Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Organizata jonë ka marrë mjaft ankesa në muajt e fundit për mbajtjen jo të duhur të kafshëve të egra në disa restorane të Kosovës.

Për shkak të këtyre ankesave, kemi nisur një aksion të monitorimit dhe të raportimit të restoraneve që mbajnë kafshë të egra apo ekzotike, që t’i shohim kushtet në të cilat mbahen kafshët.

Në restorantin “Liqeni i Mjellmave”, një vjedull po mbahet në kushte nën standardet e pranueshme, në një hapësirë në të cilën përjeton shqetësim dhe vuajtje. Kushtet e mbajtjes nuk i plotësojnë kushtet e kërkuara nga ‘Udhëzimi Administrativ nr. 01/2012 për kushtet e mbajtjes, mënyrën e shenjëzimit dhe evidentimit të shtazëve të mbrojtura në internim’. Organizata jonë ka kërkuar të ndryshohet urgjentisht ky udhëzim administrative dhe të ndalohet krejtësisht mbajtja e kafshëve të egra në restorane apo për qëllime argetuese/rekreative në Kosovë, përveç në rastet kur kafshët kanë nevojë për shpëtim dhe nuk mund të lirohen prapë në natyrë. Kafshët e egra nuk e kanë vendin në hapësira të izoluara dhe aq më pak në kafaze të tilla. 🦡❌  

Ne kemi kontaktuar Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) për t’i njoftuar për këto raste dhe kemi pranuar konfirmim nga ta se do të merren me rastet në fjalë. Ne kemi kërkuar nga MMPHI që të verifikojnë nëse këto objekte kanë licencat e nevojshme për mbajtjen e këtyre kafshëve, siç parashihet me ligj. 🏛️📋

Ne gjithashtu i kemi shkruar restoranit “Liqeni i Mjellmave” dhe kemi kërkuar që ta adresojnë urgjentisht këtë çështje duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e jetesës për të përmbushur standardet e përcaktuara me ligj. Në rast të mbajtjes apo zënies së paligjshme, kafshët duhet të konfiskohen nga autoritetet përkatese sipas autorizimeve ligjore.

Organizata jonë së fundmi ka bërë kërkesë pranë MMPHI për listën e plotë të restoraneve, pet shopeve apo entiteteve të çfarëdoshme që mbajnë kafshë te egra apo/dhe ekzotike, licencat e tyre dhe llojin e kafshëve që mbajnë. Po ashtu, kemi kërkuar nga MMPHI të tregojnë se për çfarë qëllime mbahen ato kafshë (konsum apo diçka tjetër).

Nga komuniteti kërkojmë që të mos mbështesni asnjë entitetet që mban kafshë të egra për qëllime argëtuese/recreative, sidomos ato që shkelin ligjin dhe shpërfillin mirëqenien e plotë të kafshëve. Çdo vendim për mbështetjen e këtyre aktiviteteve, është një votë për llojin e botës në të cilën nuk duhet të jetojmë. Le të zgjedhim dhembshurinë dhe respektin për të gjitha qeniet e gjalla. 🌍❤️🐾