Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Më 8 Tetor 2024, është mbajtur takimi mes Kryeministrit të Kosovës z. Albin Kurti, Ministrit të MAPL-së, z. Elbert Krasniqi dhe Ministrit të Financave, z. Hekuran Muratin, me Kryetarët e Komunave të Kosovës, ku një nga tri temat për diskutim, ishte edhe tema e qenve endacak, më specifikisht, zbatimi i Strategjisë Kombëtare për kontrollin dhe menaxhimin e qenve me dhe pa pronar, e aprovuar nga Qeveria në tetor 2022. Në këtë takim, ishte e ftuar edhe organizata jonë.

📸 © Elbert Krasniqi / MAPL

Për fat të keq, Kryetarët e Komunave nuk paten asnjë koment dhe asnjë reagim sa i përket çështjes me qentë endacak.

Gjatë ngritjes së çështjes, kemi theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror dhe lokal, si dhe për nevojën urgjente të kontrollimit të burimit të qenve endacak, që janë qentë me pronar. Edhe Ministri, z. Krasniqi, potencoi se kontrolli i qenve në përgjithësi nuk mund të shikohet vetëm si një projekt afatshkurtër dhe se Komunat janë bartëset kryesore të zbatimit të masave per kontrollin e qenve me dhe pa pronar, me synim krijimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe aktiv gjatë gjithë kohes për menaxhimin e qenve me pronar dhe ata endacak.

📸 © Elbert Krasniqi / MAPL

Ne theksuam se trendi apo dëshira për të marrë qen në pronësi është e madhe dhe do të rritet vazhdimisht edhe në Kosovë, ashtu siç është në vendet perendimore, andaj edhe shteti i Kosovës duhet të krijojë një sistem të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm të kontrollit dhe menaxhimit të kafshëve shoqëruese, që të evitohet braktisja në rrugë dhe mbarështimet dhe shitjet jashtëligjore – në mënyrë që popullsinë aktuale të qenve në rrugë ta reduktojmë sa më shumë.

Kjo strategji kombëtare është hartuar për shkak se masat e deritanishme të ndërmarra në nivelin komunal (projektet e kastrimit/sterilizimit, eutanazisë, vrasjes me armë) nuk janë zbatuar siç duhet, nuk kanë oasur efekt dhe nuk kanë qenë asnjëherë të koordinuara me në nivelin qendror. Po ashtu ka munguar monitorimi dhe vlerësimi i mirëfilltë i punës në këto projekte.

📸 © Elbert Krasniqi / MAPL

E falenderojmë Kryeministrin Kurti dhe Ministrin Krasniqi për potencimin e nevojës për kontroll të qenve me pronar, si dhe për kontrollin e riprodhimit përmes projekteve të KSVL-së.

Po ashtu, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që bazuar në Strategjinë Kombëtare, të ndërmarrë masa për të mbështetur komunat dhe për t’i ngritur kapacitetet e komunave për menaxhim të popullsisë së qenve, pasi që komunat janë implementuesi kryesor i shumicës së masave.

Ne gjithashtu presim që Qeveria të alokojë mjete për të zbatuar masa për kontrollin e riprodhimit, kontrollin e qenve me pronar, ngritjen e kapaciteteve dhe strehimin e përkohshëm deri në adoptim të qenve në nevojë.

Organizata jonë mbetet e përkushtuar të ndihmojë të gjitha instituticonet relevate që të ndërmarrin masa të qëndrueshme dhe humane që synojnë reduktimin e numrit të qenve në rrugë.

Për çfarëdo zhvillimi në këtë drejtim, do t’ju informojmë me kohë.