Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

*KUJDES, PAMJE GRAFIKE*

Bekim Shehi nga fshati Vranicë e Suharekës, është një nga qindra abuzues të kafshëve, të cilët veprojnë lirshëm duke abuzuar qentë në Kosovë.

Në videon më poshtë, siç shihet, qenin e tij agresiv, e komandon që të sulmojë një qen endacak, të cilit i shkakton ankth, terror dhe lëndime vdekjeprurëse.

Fatkeqësisht, Bekim Shehi nuk është i vetmi i cili kryen vepra penale të keqtrajtimit të kafshëve sipas Nenit 346 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kriminelë të shumtë në të gjitha rajonet e Kosovës, janë të përfshirë në organizime jashtëligjore të luftërave ku testohet fuqia e kafshës (qenve), e në anën tjetër, edhe pse për të gjitha këto organizime, ka fakte për vepra penale, Policia dhe Prokuroria nuk janë duke bërë ASGJË.

Edhe pse organizata jonë deri më tani ka bërë dhjetëra kallëzime penale për organizim të luftërave me qen, deri më tani organet përgjegjëse nuk kanë marrë asnjë masë adekuate për të parandaluar këtë fenomen negative e abuzues.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës është aq e papërgatitur për t’u marrë me këto raste, saqë çdoherë që e raportojmë ndonjë rast mundohen që të na injorojnë dhe ta zgjasin procesin sa më shumë. Aq nuk iu intereson, saqë në telefonatat me zyrtarë policor, edhe emalat zyrtar për raportimet tona të nevojshme na komunikojnë gabimisht dhe pa asnjë fije ndjeshmërije për këto raste. Qentë viktimë e Bekim Shehit, nuk mund të presin sa Policia e Kosovës të zgjohet nga gjumi. Rastet e raportuara në Prokurori veçse humbin dhe nuk na komunikohet asgjë për to. Si mund të shpëtojnë dhjetra/qindra qen të rrugës nga abuzuesit dhe kriminelët si ky në fjalë? Si mund ta bindim shtetin që krimet që po bëhen me kafshët në Kosovë janë po ashtu të rëndësishme?

Qentë të cilët rriten dhe trajnohen tërë jetën për të qenë agresiv, sapo të kryejnë “misionin” e tyre për pronarët abuzivë, shpeshherë përfundojnë në rrugë, duke rrezikuar edhe njerëzit, por edhe kafshët e tjera, ose përfundojnë të vrarë nga vet abuzuesit e tyre, të cilët Policia e Kosovës dhe Prokurorët tonë i lejojnë të sillen lirshëm pa asnjë problem.

Është koha e fundit që organet e rendit të angazhohen seriozisht për të ndaluar këtë dukuri dhe që kriminelët të vihen para drejtësisë.

Edhe sa duhet të presim që kafshët e gjora të mbrohen nga ky shtet? Edhe sa kafshë duhet të jenë viktimë e abuzuesve para se shteti të kryejë punën e vet?

Organizata jonë do t’i drejtohet instancave më të larta të Qeverisë, si dhe Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për t’i ngritur shqetësimet tona karshi mosangazhimit të institucioneve relevante për krimt që po bëhen me kafshë.

Organizata jonë do të organizoj një protestë për neglizhencën e madhe që institucionet tona po tregojnë karrshi të drejtave të kafshëve dhe mirëqenies së kafshëve. Për detajet do të njoftoheni së shpejti.