Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Më 29 Nëntor 2019, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve (FDK), në bazë të Ligjit nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, ka paraqitur kërkesë për qasje në kontratën për shërbime: “Trajtimi i qenve endacak”, me numër identifikues 651-19-6045-2-3-6 me numër të brendshëm GI 651 19 079 236.

Më 16 Dhjetor 2019, FDK ka marrë përgjegjje nga Komuna e Gjilanit me të cilën i janë ofruar të dhëna si: lista e qenve të trajtuar, tri mostra nga 133 qenë të trajtuar, foto të qenve të trajtuar me numër të matrikulave.

Më 17 Dhjetor 2019, FDK ka kërkuar nga Komuna e Gjilanit plotësim të dokumenteve, respektivisht të dhëna lidhur me vendin e saktë se ku është lëshuar secili qen, fotografitë në formë elektronike me ngjyra, të dhëna për përdorim të eutanazisë, të dhëna për çmimin për secilin trajtim për 133 qenë. Këto të dhëna parashihen me nenin 17 të udhëzimit administrativ nr. 04/2017 për kushtet teknike të cilat duhen plotësuar nga qendra e trajtimit të përkohshëm të kafshëve endacake.

Kjo kërkese, nuk është trajtuar nga Komuna e Gjilanit.
Për këtë arsye, më 09 Janar 2020, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve i është drejtuar me ankesë Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP).

Avokati i Popullit, në letër rekomandimin drejtuar Komunës së Gjilanit, vëren që kjo komunë, me mostrajtim të kërkesës së Fondacionit, ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës (Neni 41, Paragrafi 1), Ligjin për Prokurim Publik (04/L-042) dhe Ligjin për Qasje në Dokumente Publike (06/L-081).

Avokati i Popullit i rekomandon komunës së Gjilanit ta trajtojë ankesën e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, në pajtim me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike dhe me legjislacionin përkatës në fuqi.

Organizata jonë e falenderon IAP për trajtimin profesional të ankesës tonë, dhe shpreson që mos të ketë raste ku institucionet publike veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.