Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Shprehim indinjatën tonë që Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria e Bujqësisë ka shpallur tenderin e hapur për menaxhimin e vendgjuetisë, pa rregulluar fillimisht dokumentacionin e nevojshëm që kërkohet ligjërisht për dhënien e vendgjuetive nën menaxhim. Hartat e caktimit të vendgjuetive janë të vjetra (të vitit 2008) dhe jo të përputhshme me planet ekzistuese hapësinore. Vendimi i vitit 2011 për caktimin e vendgjuetive, në formën siç është tani, nuk i referohet asnjë pëlqimi paraprak të MBPZHR-së siç kërkohet sipas legjislacionit në fuqi. Zbatimi selektiv i legjslacionit nuk tregon seriozitet institucional. Vendgjuetitë do të jepen në menaxhim për një periudhë 10 vjeçare përkatësisht deri në vitin 2033 dhe që rrjedhimisht brenda kësaj periudhe do të ketë gjueti me dokumentacion jo të azhurnuar për shumë vite i cili në thelb është me paqartësi të mëdha në hartat se ku do të bëhet gjuetia.

Komuna e Prishtinës, me kërkesë të Drejtorisë së Bujqësisë në Komunë, me datë 06.02.2023, ka themeluar ‘Komitetin për hartimin e kritereve për dhënien e vendgjuetive në menaxhim të përbashkët’ (tani e tutje referuar si Komiteti), në Komunën e Prishtinës me vendim: 14-020/04-27230/23.

Ky Komitet ka pasur për detyrë të hartojë kriteret për dhënien e vendgjuetive në menaxhim, ashtu siç kërkohet sipas legjislacionit në fuqi. Organizata jonë dhe z. Arian Mavriqi, ishin pjesë e Komitetit duke përfaqësuar OSHC-të në lidhje me mbrojtjen e kafshëve, me ftesë të vet drejtorit të Drejtorisë së Bujqësis, z. Plator Gërdovci.

Qysh në takimet e para është diskutuar rreth bazës ligjore dhe dokumenteve strategjike që kanë të bëjnë me menaxhimin e vendgjuetive sipas Ligjit për Gjuetinë. Është diskutuar që të përcaktohen kritere të mirëfillta dhe në përputhje me ligjet në fuqi dhe është vërejtur se korniza ligjore për dhënien e vendgjuetive në menaxhim, është mjaft e mangët, përveç se është e vjetër. Për këtë çështje, organizata jonë do të publikojë një shkresë më të detajuar. 

Organizata jonë ka kërkuar që të dihet saktësisht fondi/numri i kafshëve të egra pasi që të dhënat e vetme zyrtare për fondin e kafshëve ishin ato të aktit themelues të vitit 2008 i cili nuk është më në fuqi (edhe pse hartat dhe të dhënat për vendgjueti edhe sot përdorën sipas këtij akti jo valid të vitit 2008). Për më tepër, kemi kërkuar që të analizohen vendimet për aktin e themelimit të vendgjuetive pasi që nga fillimi i takimeve të Komitetit, organizata jonë nuk ishte e pajtimit se dokumentacioni i disponueshëm ishte i kompletuar. Gjatë takimit është diskutuar edhe për gjendjen në terren të kafshëve të egra, ku z. Arian Mavrriqi ka treguar për shumë probleme që hasen në malet e Kosovës sa i përket gjuetisë jo të kontrolluar mirë ku në të shumtën e rasteve kjo gjueti mbetet jo e kontrolluar mirë edhe kur procedurat janë tërësisht ligjore e mos të flasim për abuzimet/keqtrajtimet që bëhen në rastet kur kemi të bëjmë me gjueti ilegale.

Është e rëndësishme të shtohet se edhe në një Strategji Kombëtare, e cila është hartuar nga MBPZHR në kuadër të një projekti të BE-së para pesë (5) vitesh, për menaxhimin e kafshëve të egra dhe gjueti (e cila asnjëherë nuk është aprovuar apo zbatuar), thuhet qartë se problemi kryesor i menaxhimit me kafshë të egra bie tek numri i kafshëve dhe mungesa e të dhënave nga MBPZHR ashtu siç kërkohet me legjislacion. Vlen të shtohet se MBPZHR nuk ka një Plan Zhvillimor në fuqi apo të aprovuar të menaxhimit të gjuetisë apo mbrojtjes së kafshëve siç kërkohet sipas Ligjit për Gjuetinë. Ligji për Gjuetinë kërkon që dy vite pas aprovimit të Ligjit të hartohet Plani Zhvillimor për gjuetinë dhe ende tash pas 18 viteve nuk është zbatuar ky obligim ligjor.

Përveç numrit të kafshëve, organizata është ankuar edhe për vendimin zyrtar të vitit 2011 (Vendimi për caktimin e vendgjuetive të përbashkëta dhe dhënien e tyre në menaxhim, me numër 01.nr.324-1147 të datës 27.05.2011). Ky vendim është miratuar në bazë të dispozitave të nenit 19 dhe nenit 27 të Ligjit për Gjuetinë (Ligji nr. 02/L-53)  dhe dispozitave të nenit 5 pika 5.2, të Vendimit nr. 5109/3 të 09.11.2010 të MBPZHR që ka të bëjë me caktimin e vendgjuetive në Komunë të Prishtinës. Sipas të gjeturave të organizatës tonë, nuk ka pëlqim paraprak nga MBPZHR në rastin konkret, sepse vendgjuetitë në secilën Komunë duhet të themelohen nga Kuvendi Komunal por edhe caktimi i vendgjuetive shkon përmes Kuvendit Komunal me propozim të Drejtorisë së Bujqësisë. Po ashtu, vlen të theksohet se të gjitha vendgjuetitë, para themelimit, duhet të kenë pëlqim paraprak të MBPZHR-së dhe kjo kërkohet në mënyrë eksplicite nga legjislacioni në fuqi.

Përmes disa korrespondencave zyrtare, Drejtoria e Pyjeve brenda MBPZHR-së ka pohuar se një pëlqimi i MBPZHR-së i vitit 2009 është valid për vendimin e caktimit të vendgjuetive të vitit 2011, por që në një takim të përbashkët me Drejtorinë e Pyjeve, kjo e fundit kishte shprehur dilemat e saj në lidhje me pëlqimin e vitit 2009 dhe kishte thënë se duhet të gjendet pëlqimi për vendimin e vitit 2011 pasi që ky i fundit i referohej pëlqimit nr. 5109/3, i lëshuar nga MBPZHR për një Komunë tjetër. Pas kërkesave  që të gjendet pëlqimi i vendimit 2011, Komuna kishte dërguar Komitetit disa pëlqime të lëshuara nga MBPZHR, ku përfshihej pëlqimi i njëjtë i vitit 2009 dhe një pëlqim tjetër i vitit 2012 për tri (3) vendgjuetitë në fjalë. Sipas organizatës tonë dhe pas të gjeturave nga analizimet e fundit rezultojnë në dyshimin se nuk ka fare vendim të themelimit për vendgjuetitë Prishtina I, II, III nga Kuvendi Komunal pas dhënies së pëlqimit valid të MBPZHR-së në vitin 2012 dhe kërkojmë nga Komuna e Prishtinës dhe Drejtoria e Bujqësisë ta adresojnë këtë çështje urgjentisht pasi që vendimi i 2011 nuk i referohet asnjë vendimi valid por një pëlqimi të Komunës së Gjilanit. Nuk mund të vlejë një pëlqim për dy Komuna. Kjo përbën shkelje administrative.  

Pëlqimi i vitit 2012 duhet të merret si i mirëqenë pasi që përshkruan tri (3) vendgjueti sipas vendimit të vitit 2011 (01.nr.324-1147) për caktimin e vendgjuetive dhe jo ai i vitit 2009 i cili është aq i vjetër, ku edhe përshkruhet një vendgjueti tjetër shtesë (Prishtina IV) që tashmë nuk i takon Komunës së Prishtinës por Komunës së Graçanicës.

Ashtu siç kemi vërejtur në Komunën e SkenderajGjilanitPejës, dhe Mitrovicës së Jugut,  të gjitha vendimet janë të emëruara për themelim dhe jo për caktim të vendgjuetive. Vendimi për caktimin e vendgjuetive rregullohet me Nenin 8 të UA-së 10/2007 për caktimin e kritereve dhe procedurat e themelimit të vendgjuetive. Ky UA bazohet në Nenin 19 të Ligjit për Gjuetinë. Do të thotë, Kuvendi Komunal bën caktimin e sipërfaqes (vendgjuetive), ku përshkruan emrin e tyre, hartat, karakteristikat e fshatrave, kafshëve dhe llojet e tyre (gjithcka që kërkohet sipas legjislacionit në fuqi) që sipas mendimit tonë është vendimi 01.nr.324-1147 i datës 27.05.2011, dhe ku më pastaj MBPZHR jep pëlqimin e që sipas nesh është pëlqimi me numër referent 186/12 i datës 20.04.2012 i lëshuar nga MBPZHR. Pas këtyre hapave pastaj themelohet vendgjuetia me vendim nga Kuvendi Komunal i cili sipas të gjeturave të organizatës tonë, po mungon për Komunën e Prishtinës. Jemi në vitin 2023 dhe është e nevojshme që dokumentacioni për caktimin e vendgjuetive të jetë sa më i qartë dhe i saktë dhe të mos zbatohet legjislacioni vetëm pjesërisht.   

Ne kemi kërkuar nga Drejtoria e Pyjeve të kuptojmë edhe më shumë mbi pëlqimin e vitit 2012 të MBPZHR-së, me numër referent 186/12 (të datës 20.04.2012, i protokoluar me datë 23.04.2012  me numër 610/2), i cili është dhënë pas kërkesës së Drejtorisë për Ekonomi dhe Zhvillim të Komunës së Prishtinës në atë kohë, me numër referent 610 të datës 05.03.2012. Do të thotë, Komuna në mars 2012 ka bërë kërkesë tek MBPZHR për pëlqim dhe kjo e fundit ka dhënë pëlqim në prill 2012 për tri (3) vendgjuetitë. Kjo do të thotë, pëlqimi i MBPZHR-së i vitit 2012 për tri vendgjuetitë (Prishtina I, II, III) po “injorohet” dhe se vendimi i 2011 për caktimin e vendgjuetive (vetëm caktimit) po konsiderohet si vendim për themelim.

Për më tepër, organizata jonë ka kërkuar që hartat për vendgjuetitë “Prishtina I, II dhe III” të jenë më të qarta dhe mirë të definuara, pasi që në dokument nuk vërehen qartë dhe janë harta të caktuara në vitin 2008. Çfarë është më e rëndësishme, është kërkuar po ashtu të kuptohet nëse harta e vendimit 2011 (por me harta të vjetëruara të vitit 2008) përputhen apo jo, me planet hapësinore aktuale në fuqi pasi që në materialin ofertues për tenderim, duhet të vendosen edhe hartat dhe sipërfaqet e vendgjuetive. Sipas Nenit 19.4 të Ligjit për Gjuetinë, Komuna duhet të siguroj se themelimi i vendgjuetisë është në pajtim me planet ekzistuese hapësinore. Për këtë, është dakorduar që të takohet Drejtoria e Planifikimit Hapësinor në Komunë të Prishtinës që të na dorëzohen hartat e vendgjuetive të aktit themelues të vitit 2008 dhe të konfirmohen se ekzistojnë brenda planeve ekzistuese hapësinore. Sipas Drejtorisë së Planifikimit Hapësinor, hartat që janë të vendgjuetive, nuk i referohen asnjë reference hapësinore aktuale dhe se definimi i këtyre zonave është e pa mundur të bëhet në bazë të skicave të cilat janë prezantuar dhe se skicat në fjalë janë pa kordinata. Përveç kësaj të fundit, Drejtoria po ashtu ka theksuar se edhe një problem tjetër është identifikuar dhe i cili ka të bëjë mendryshimin e struktures urbane dhe demografisë nga koha kur janë përcaktuar tri (3) zonat sikurse në skica.P.sh. pjesët e zonave si Matiçani, Zllatari, etj., tash janë zona urbane dhe janë të banueshme. Edhe me këtë vërtetohet se ri-themelimi i vendgjuetive është më se i nëvojshëm. Drejtoria e Planifikimit Hapësinor ka propozuar të formohet një komision profesional, në mënyre që të vazhdohet procesi i definimit të këtyre zonave, me të gjitha palët e interesit në këtë proces. Ne kemi pëkrahur këtë ide por Drejtoria e Bujqësisë nuk e ka parë si të nevojshme.

Ne falenderojmë Drejtorin e Bujqësisë, z. Gërdovcin që na ka ftuar të jemi pjesë e Komitetit, për të dhënë kontributin tonë në këtë çështje.

Ne vazhdojmë t’i sugjerojmë Komunës së Prishtinës dhe Drejtorit, z. Gërdovcit, që ta bëjnë ri-themelimin e vendgjuetive në Prishtinë, pasi që Komuna e Prishtinës si Kryeqytet, duhet të jetë shembull për të gjitha Komunat tjera dhe të mos zbatojë legjislacionin pjesërisht dhe me dokumentacion të gabuar dhe të stërvjetëruar.

Kafshët e egra dhe mbrojtja e mjedisit, meritojnë më shumë vëmendje dhe kujdes.

Hartat e vjetërsuara të vitit 2008: