Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Organizata jonë shpreh indinjatën rreth deklaratave në emisionin “Info plus” të RTK-së, të Drejtorit të Drejtorisë së Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve në kuadër të AUV-së, z. Sadik Heta, dhe këshilltarit për siguri në komunën e Prishtinës, z. Bajram Gecaj, në lidhje me situatën me qentë pa pronar (endacak).

Fatkeqësisht, në këtë bisedë, përkundër shumë propozimeve nga organizata profesionale ndërkombëtare, mbizotëronte biseda për vrasje/eutanazi sistematike të qenve të rrugës, e shumë pak është folur për burimet e këtij problemi.

Fillimisht, duhet cekur që strategjia kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronar, parasheh menaxhimin e popullsisë së përgjithshme të qenve, me fokus kryesor në burimet e problemit, e që janë qentë me pronar.

Z. Heta shumë shpesh e përmendi si arsyetim bazën ligjore për situatën e tanishme, sidomos për mungesë të strehimoreve. Ndërsa është e vërtetë që aktualisht nuk ka bazë ligjore për përcaktimin e standardeve dhe rregullave të operimit të strehimoreve, nuk është e vërtetë që kjo deri më tani ka penguar që të punohet seriozisht që gjendja e popullsisë së qenve pa pronar të mos jetë në këtë gjendje siç është.

KSVL (kapja, sterilizimi, vaksinimi dhe lëshimi) shumë shpesh u përmend si “shkaktari” i numrit të madh të qenve në rrugë, gjë që s’është e vërtetë sepse KSVL është vetëm një masë e kontrollit të riprodhimit të qenve aktualisht në rrugë dhe nuk funksionon si masë e vetme për reduktimin e qëndrueshëm të numrit të qenve që braktisen vazhdimisht në rrugë. Pse KSVL nuk ka pasur efekt, është pikërisht pse burimet e problemit si: braktisja e vazhdueshme e qenve dhe mbarështimi dhe shitja e pakontrolluar asnjëherë nuk është marrë seriozisht nga AUV apo edhe MBPZHR. Nëse burimi i problemit nuk adresohet, as masa e vrasjes masive nuk do të jeTë efektive dhe as e qëndrueshme, përveç se është masë mizore.

Institucionet e vendit që nga viti 2008 deri në vitin 2021 kanë zbatuar 68 kontrata për menaxhimin e qenve endacak nepërmjet vrasjes me armë, eutanazisë dhe trajtimit të qenve endacak me metodën KSVL. AUV ka zbatuar dy kontrata një vjeçare në vitin 2018 dhe 2020 kurse autoritetet komunale kanë zbatuar 66 kontrata që nga viti 2008. Vlera totale e projekteve komunale ka arritur në vlerë deri në 1.223.153,00 € dhe në total së bashku me projektet e AUV-së vlera e shpenzuar ka arritur deri në 3.223.153,00 €. Komunat me më së shumti kontrata përgjatë viteve, janë Prishtina, Shtimja dhe Prizreni. Ndërsa komunat e tjera, kryesisht kishin numër shumë të vogël të kontratave, me kohëzgjatje maksimale deri në 1 vit. Nga viti 2017 deri në vitin 2021, 7 komuna kishin projekte aktive të KSVL-së, ndërsa në vitin 2021, 15 komuna kanë implementuar projekte të tilla përmes kontratave publike. Asnjë nga këto kontrata, nuk kanë pasur raporte vlerësuese dhe të monitorimit, dhe rrjedhimisht, asnjëherë nuk është matur ndikimi i projekteve të ndryshme për të kontrolluar numrin e qenve në rrugë.

Përveç disa nismave afat-shkurta të shoqërisë civile, asnjë projekt publik nuk është zbatuar sa i përket informimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për pronësi të përgjegjshme të qenve, sjelljet e qenve dhe informata të përgjithshme për të siguruar një raport të mirë njeri-qen për të evituar incidentet potenciale dhe për të inkurajuar pronësinë e përgjegjshme të qenve për të evituar mbarështime të pakontrolluara dhe të paqëllimshme dhe braktisjet si rrjedhojë e mos menaxhimit të qenve që shumë pronarë mbajnë.

Z. Gecaj e përmendi që prej kur është ndaluar vrasja e qenve, ka filluar problemi me qentë endacak. Deri në vitin 2016 janë vrarë qentë në Kosovë. Pse nuk është zgjidhur problemi qysh para 15-20 viteve? Vrasja është ndaluar sepse është vërtetuar që është një mënyrë mizore e tentimit të menaxhimit të problemit, e cila nuk ka kurfar efekti. Kjo dëshmi vjen nga Rumania dhe disa shtete fqinje si Mali i Zi, Sërbia, Shqipëria (edhe pse eutanzojnë jashtëligjshëm).

Për fat të keq, asnjëherë në këtë emision, nuk u përmend edhe një nga masat më të rëndësishme për të ulur mundësinë e incidenteve në mes të njerëzve dhe qenve, e që është informimi dhe ndërgjegjësimi i komunitetit. Organizatat më të mëdha botërore, përfshirë edhe Organizatën Botërore për Shëndetin e Kafshëve (ish-OIE), theksojnë që pa ndryshuar sjelljet e njerëzve me qentë (përfshirë parandalimin e braktisjeve dhe abuzimin) nuk mund të ndryshojë as situata me qentë në rrugë. Deri më tani, asnjë komunë nuk kanëë oranizuar fushata të vazhdueshme vetdijësuese.

Po ashtu, shumë u flit për agresivitetin e qenve, por asnjëherë nuk u shtrua pyetja pse po ndodh ky agresivitet te disa qen? Z. Heta, si drejtor i një drejtorie për shëndetin dhe mirëqenin e kafshëve, do të ishte mirë të përmend që incidentet në mes të njerëzve dhe qenve ndodhin pikërisht përmes rrezikimit të mirëqenies së qenve. Po ashtu është mirë të përmendet nga z. Heta që inspektimet e mbajtjes së kafshëve dhe inspektimi i pronarëve të kafshëve, asnjëherë nuk janë bërë nga AUV. Kafshët e keqmbajtuara dhe të abuzuara në shtëpitë e tyre, nuk janë fare interes për Drejtorinë e Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve.

Po ashtu, shumë pak u flit për burimet e problemit, dhe për planet për trajtim të këtyre burimeve. A po tentojnë zyrtarët e shtetit të fshehin tendencën për largim të qenve nga rruga përmes eutanazisë masive, pa punuar fare në burimet e problemit? Sa për informatë, meqenëse z. Gecaj dhe z. Heta u arsyetuan shumë për shkak të bazës ligjore: Në mars të vitit 2021 ka hyrë në fuqi UA për identifikimin dhe regjistrimin e qenve me pronar, dhe AUV tash e një vit nuk ka qenë në gjendje të fillojë këtë masë tepër të rëndësishme. Regjistrimi i kafshëve dhe këlyshëve rekomandohet edhe nga BE dhe organizatat botërore për mirëqenien e kafshëve për të gjurmuar sëmundjet e kafshëve, kafshët nëse humbasin dhe çfarë është më e rëndësishmja, për të parandaluar ose identifkuar pronarët që braktisin kafshët e tyre.

Po ashtu, burimi tjetër i problemit të vazhdueshëm qëndron tek mbarështimi i pa kontrolluar i qenve në mbarë Kosovën. MBPZHR ka pasur kohë qysh nga 2006 kur ka hyrë në fuqi Ligji për Përkujdesjen ndaj Kafshëve, të aprovojë një udhëzim administrativ për të kontrolluar mbarështimin e kafshëve dhe shitjen e tyre, por që ende nuk e ka bërë. Një draft i këtij udhëzimi (akt nënligjor) është punuar nga AUVK në vitin 2021 (ku edhe organizata jonë ishte pjesë e grupit punues) dhe ishte dorëzuar në MBPZHR në shtator 2021 dhe ende nuk ka asnjë përgjigje. Do të thotë zyrtarët pajtohen që numri i qenve të rritet vazhdimisht dhe po ashtu pajtohen se vrasja masive dhe sistematike e qenve të rrugës të jetë masa e vetme për kontrollin e popullsisë se qenve. KJO NUK DUHET TË LEJOHET! 

Në Prishtinë, por edhe në komunat tjera, pothuajse në çdo lagje mbizotërojnë mbeturinat, e ku hudhen shpesh edhe mbetje shtazore të produkteve të ndryshme. Si mund të çuditemi që kemi prezencë të madhe të qenve në Kosovë, kur na kanë kapluar mbeturinat në çdo skaj? Për shumë qen të rrugës, ushqimi në mbeturina është burimi kryesor i mbijetesës së tyre. Përmes largimit të mbeturinave nga qyteti dhe krijimit të pikave ushqyese në hyrje të qytetit, larg frekuentimit të njerëzve, mund të zvogëlohet prezenca e qenve në zonat urbane me frekuentim të lartë.

Patjetër që qentë duhet të largohen nga rruga, por kjo mund të bëhet vetëm gradualisht dhe jo të fitohet idea që përnjëherë do të mblidhen të gjithë qentë dhe të eutanazohen. Kushdo që thotë ndryshe, është duke dezinformuar. Vetëm me qasje të qëndrueshme e cila fokusohet në burimet e vërteta të problemit do të reduktohet në mënyrë efektive dhe humane numri i qenve në rrugë.

Z. Heta dhe z. Gecaj, shpesh e përmendën eutanazinë si krahasim me vendet tjera. Por asnjëherë nuk e cekën që eutanazia si masë e vetme nuk ka funksionuar në asnjë vend deri më tani dhe pa masa serioze të promovimit të qenve për adoptim. Po ashtu, nuk është plotësisht e vërtetë që ka interesim për adoptim të kafshëve të rrugës në Kosovë. Përderisa njerëzit braktisin edhe qen të “racave”, si mund të supozohet që ka interesim për adoptim të kafshëve të rrugës në Kosovë? Shumica dërmuese e qenve të adoptuar nga rrugët e Kosovës, janë në vendet e BE-së dhe SHBA (adoptues të huaj) jo shtetas të Kosovës. Kostot për adoptime jashtë vendit janë mjaft të larta dhe shpresojmë që Komunat të dizajnojnë programe serioze dhe të ndajnë buxhet adekuat për kostot e adoptimeve të qenve edhe jashtë vendit.  

Gjithsei duhet të bëhet zgjidhje, sepse nuk ka asnjë kuptim të rrezikohet as mirëqenia e kafshëve dhe as shëndeti dhe siguria publike, por zgjidhje të matura dhe të menduara mirë.  Qytetarët me të drejtë kërkojnë siguri për të ecur të lirë në rrugë pa frikën e ndonjë incidenti, por në anën tjeter edhe mbrojtesit e kafshëve me të drejtë kërkojnë zgjidhje humane dhe të qëndrueshme.

Organizata jonë është tejet e shqetësuar me rastet e sulmeve të qenve, sidomos ndaj fëmijeve dhe gjithsesi i ftojmë qytetarët që të identifikojnë qentë agresiv në lagjet e tyre dhe të lajmërojnë autoritetet komunale për të larguar qentë agresivë nga rruga.

Po ashtu i bëjmë thirrje qytetarëve që të raportojnë abuzimin që iu bëhet qenve të rrugës (qoftë nga të miturit ose nga të rriturit), ngaqë abuzimi i qenve është një nga faktorët kryesor të sulmeve të qenve ndaj njerëzve.

Organizata jonë gjithmojnë kërkon një qasje të qëndrueshme dhe gjithpërfshirëse, e cila fokusohet në rrënjët e problemit dhe jo vetëm në simptomat e saj. Organizata jonë po ashtu po kërkon të sigurohet efektivitet i plotë dhe i qëndrueshëm përmes punës transparente dhe llogaridhënëse.