Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Gjykata Themelore në Gjakovë, ka dënuar me 600 EUR gjobë të pandehurin A.Z., për shkak të veprës penale të organizimit të luftërave me qen.

Ky dënim vjen pas denoncimit të kësaj vepre penale nga organizata jonë në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, me ç’rast pas hetimeve Prokuroria ka ngritur aktakuzë për të pandehurin.

Duke marrë parasysh lëndimet dhe shqetësimet që kanë pësuar kafshët në luftërat e organizuara nga i pandehuri, organizata jonë është e dëshpëruar për dënimin të cilin e konsiderojmë mjaft të ulët, edhe pse nga hulumtimet e deritanishme që kemi bërë, ky mbetet një nga dënimet më të larta të shqiptuara deri më tani për veprën penale të organizimit të luftërave me qen.

Çfarë mbetet shqetësuese është që as Prokuroria e as Gjykata nuk e kanë pare të nevojshme që qeni i të pandehurit të konfiskohet edhe pse e kemi kërkuar këtë gjë ne si organizatë. Deri më tani, në të gjitha rastet e luftërave me qen për të cilat ka aktgjykime nga Gjykatat, në asnjë rast asnjë qen nuk është konfiskuar nga institucionet ligjzbatuese. Kjo mbetet një fenomen shumë shqetësues që rrezikon qentë jashtëzakonisht shumë, pasi që të njejtit do të mund të përdoren prapë për të njejtat qëllime. Rezultatet e suksesshme të këtyre rasteve arrihen kur qentë largohen nga mbajtesit e dhunshëm dhe abuzues.

Në anën tjetër, në Kosovë mungon infrakstruktura strehuese ku qentë e konfiskuar do të mund të strehoheshin, kurse nuk mund të promovohen as për adoptim pa kaluar një periudhë të ritrajnimit dhe socializimit me njerëz dhe kafshë të tjera pa shfaqur agresivite. E gjithë kjo do të thotë më shumë kosto dhe njerëz të trajnuar për të cilët as organizata dhe as ndonjë institucion tjetër nuk ka burime në dispozicion. Megjithatë, organizata jonë beson që çfarëdo zgjidhje e përkohshme është më e mirë, qoftë edhe eutanazia në rast të qenve agresiv, sesa këta qen të mbeten me persona abuzues që i detyrojnë të përleshen me qen të tjerë, dhe i ekspozojnë qentë e gjorë ndaj dhunës dhe keqtrajtimit të vazhdueshëm.

Është tejet me rëndësi që institucionet si AUV dhe MBPZHR, por edhe komunat, të angazhohen në fushata vetdijësuese për të promovuar mbajtjen e përgjegjshme të qenve, e në anën tjetër të sigurojnë infrastrukturën e nevojshme për strehimin e qenve që e kanë jetik strehimin për t’u larguar nga një jetë abusive, ndërsa organeve ligjzbatuese si Policia, Prokuroria dhe Gjykatat, ju mbetet të jenë të pakompromis në dënimin e personave që keqtrajtojnë kafshët, por edhe të sigurohen që persona të tillë të mos mbajnë më kafshë në të ardhmen.

Aktgjykimi i plotë: https://gjakove.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/GJK_P_2023-131573_SQ.pdf