Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Njerëzit i shohin kafshët e rrugës duke kërkuar ushqim nëpër mbeturina, dhe shumica e njerëzve nuk e duan prezencën e tyre fare. Për shumë njerëz, kafshët e rrugës paraqesin vetëm shqetësim dhe ju duken të pistë dhe që shpërndajnë sëmundje. Nuk ju intereson ku shkojnë kafshët e rrugës, përderisa largohen nga lagjet e tyre.

E vërteta është që edhe këto kafshë në rrugë janë viktima. Edhe këto kafshë do të preferonin të kishin një shtëpi në një familje që ju ofron kujdes dhe dashuri. Shumë prej tyre edhe kanë pasur shtëpi, deri sa janë braktisur nga njerëzit. Shumë prej tyre, kanë lindur në rrugë dhe nuk njohin asgjë tjetër përveç vuajtjeve.

Në ditën ndërkombëtare të kafshëve të pastreha, ju bëjmë thirrje të gjithë njerëzve të tregojnë empati për kafshët, të mos i braktisin, të mos i keqtrajtojnë e t’i ndihmojnë kafshët në rrugë me mundësitë që kanë. Nëse secili prej nesh kontribuon në këtë drejtim, edhe numri i kafshëve në rrugë do të reduktohet dukshëm.

Organizata jonë, qysh nga themelimi është angazhuar për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për menaxhimin e popullsisë së qenve me dhe pa pronar:

  • Situata me qentë e rrugës dhe nevoja për veprime urgjente është ngritur në nivelet më të larta qeverisëse
  • Kemi realizuar më shumë se 400 vizita monitoruese tek qendrat veterinare që kanë implementuar projektet e KSVL-së dhe në strehimoret e kafshëve endacake
  • Është ndryshuar Udhëzimi Administrativ (MBPZHR) 02/2018 për Identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve shoqëruese, për të bërë të obligueshëm regjistrimin e qenve me mbajtës (pronar)
  • Është draftuar dhe dërguar për aprovim Udhëzimi Administrativ për Kontrollin dhe Licencimin e Mbarështuesve të Kafshëve Shoqëruese
  • Me mbështetje të StrayCoCo, kemi ndihmuar AUV-në për instalimin e komponentës së regjistrimit të qenve në databazën ekzistuese të regjistrimit të kafshëve të AUV-së
  • Është draftuar propozimi për strategji kombëtare për menaxhimin e popullsisë së qenve, pas të cilit Qeveria (MAPL) ka krijuar grupin punues për hartimin e dokumentit strategjik shtetëror për menaxhimin e popullsisë së qenve
  • Është duke u draftuar Udhëzimi Administrativ për strehimoret e kafshëve shoqëruese
  • Në bashkëpunim me StrayCoCo është nisur një fushatë vetdijësuese për mbajtje të përgjegjshme të kafshëve shoqëruese dhe me Teatrin Dodona është realizuar shfaqja “Teo, qeni i rrugës” për të ngritur ndërgjegjësimin dhe ndjeshmërinë e fëmijëve në raport me kafshët e rrugës.
  • Është duke u punuar që të vazhdohen takimet institucionale të niveli lokal (me komunat) për t’i ndihmuar në monitorimin e projekteve që kanë të bëjnë me menaxhimin e qenve me dhe pa pronar
  • Në bashkëpunim me Prokuroritë Themelore dhe Policinë, janë duke u identifikuar abuzuesit dhe keqtrajtuesit e kafshëve dhe janë duke u ngritur kallëzimet penale kundër keqtrajtuesve të kafshëve dhe organizatorëve të luftërave me qen
  • Në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë, dhe me mbështetje të StrayCoCo, në Maj do të organizohet trajnimi me prokurorë, gjyqtarë dhe policë hetues, për veprat penale të abuzimit me kafshë, i cili do të drejtohet nga ekspertët e organizatës tonë partnere nga Zvicra, TIR.