Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Letër drejtuar Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë:

Të nderuar zyrtarë të MMPH-ës dhe AMMK-ës,

Po ju shkruaj në lidhje me festivalin Sunny Hill Festival që organizohet në Prishtinë më saktësisht në Parkun e Gërmisë që sa vite me radhë. Këtë vit, nga 2 – 4 gusht.

Ne si organizatë për mbrojtën e kafshëve, por edhe si individë, shqetësohemi jashtëzakonisht shumë me faktin që ky festival do të organizohen në një ambient natyror siç është parku i Gërmisë. Po ashtu jemi mjaft të tronditur me mënyrën e punës së organizatorëve të festivalit sepse siç shihet në foto, po shkatërrojnë gjelbërimin/ambientin dhe një pjesë shumë të rëndësishme të parkut që u shërben qytetarëve, të cilët paguajnë tatime për mirëmbajtjen e këtij parkut.

Për më tepër, festivali që do të zgjasë dy-tre ditë edhe këtë vit, do të jetë tejet i dëmshëm për faunën që jeton në parkun e Gërmisë, përkatësisht zogjtë. Ndotja e ambientit përmes zhurmës sjellë pasoja mjaft të rënda për kafshët dhe ambientin, ashtu si çdo lloj ndotje tjetër në ambient.

Jemi shumë të interesuar se a kanë leje specifike nga ju si Ministri apo nga AMMK-ja për organizimin e këtij festivali në parkun e Gërmisë?

Nëse kanë leje, do të dëshironim ta shohim atë dhe të nisim procedurat e nevojshme për të parandaluar që një gjë e tillë tani dhe sidomos edhe për herët e tjera.

Për më tepër kemi lajmin që ju po planifikoni ta organizoni këtë festival në Bernicë, ku sërish preket ambienti, natyra dhe fauna e egër nga ndotja e zhurmës dhe kështu fillon edhe degradimi i ambientit 1. nga fakti që duhet “rregulluar” vendin për festival (si tani në Gërmi) dhe 2. nga pjesëmarrja e madhe e njerëzve që automatikisht nënkupton mbeturina shumë, cigare të hedhura në tokë dhe shumë ndotje të tjera që do ta shkatërrojnë ambientin në masë të madhe.

Çfarë plani strategjik ka Sunny Hill Festival apo Komuna e Prishtinës që ta ri-vitalizojë parkun e Gërmisë pas përfundimit të festivalit? Si duhet siguruar gjelbërimi sërish? Kush i matë pasojat që u shkaktohen kafshëve që jetojnë në parkun e Gërmisë?

Këto neglizhenca dhe akte jashtëligjore vetëm dhe vetëm për ta organizuar një festival “qejfi”, janë të pa tolerueshme dhe shumë të dëmshme për ambientin dhe kafshët.

Ju lus me shumë mirësjellje që të kërkoni nga Sunny Hill Festival që a. ta anulojnë koncertin në Parkun e Gërmisë (gjë që tani është e pamundshme sepse ju veçse keni lejuar organizimin) ose b. ta ulin “zërimin” dhe zhurmën për 50% më pak se sa zakonisht që mos t’i shkaktojnë tronditje, stres dhe ankth shpezëve dhe kafshëve të tjera që jetojnë në Parkun e Gërmisë.

Përvec stresit dhe ankthet, zhurmat e tilla dëmtojnë edhe kooridoret e biodiversitetit (ekologjike) të shpezëve që bëhen gati të shtegtojnë – kjo varësisht nga speciet e shpezëve; një gjë që nuk është analizuar para se të jepet leja për këtë festival.

Nga institucionet relevante si ju, kërkojmë me shumë urgjencë që të mos jepen më leje për festivale që ndotin ambientin dhe sidomos në parqe, natyrë apo afër vendeve ku mund te shkaktojnë shqetësim për njerëzit dhe kafshët (qofshin ato kafshë të egra apo edhe të buta).

Ne jemi tatim-pagues të Republikës së Kosovës dhe kemi të drejt të kërkojmë që këto pak trashegimi natyrore/ambientale që na kanë mbetur, t’i mbrojmë me çdo kusht!

Shumë shpejt do të bëjmë thirrje publike drejtuar të gjithave organizatave për mbrojtjen e ambientit në Kosovë, që të mobilizohemi me kampanja kundër keq-shfrytëzimit të ambienteve natyrore siç po ndodhë tani.

Presim me mirësjellje përgjigjje!

Faleminderit!