Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratën për trajtimin e qenve endacak me metodën KSVL (kap, sterilizo, vaksino, lësho), ashtu siç parashihet me Udhëzimin Administrativ (MBPZHR) 04/2017.
Subjekti fitues i cili do të bëjë trajtimin e qenve endacak, është “Veterina 1” SHPK, me DMV Shefki Ajdini.
Kjo kontratë parasheh kastrimin/sterilizimin dhe vaksinimin kundër tërbimit të rreth 700 qenve në komunën e Prishtinës.
Është lajm i mire që Komuna e Prishtinës pas një pauze të gjatë po rifillon trajtimin e qenve endacak; pauzë e cila ka shkaktuar shumë vuajtje për qentë, aktivistët për mbrojtjen e kafshëve endacake dhe shoqërinë në përgjithësi nga kafshimet dhe sulmet nga qentë endacak.
Për shkak të neglizhencës institucionale të qeverisjes së kaluar në komunë, numri i lindjeve të reja të qenve në rrugë është rritur jashtëzakonisht shumë. Çdo ditë lexojmë postime dhe marrim thirrje që shumë këlyshë janë braktisur diku në rrugë nga vet personat që mbajnë qenin si kafshë shoqëruese. Shumë këlyshë të vegjël kanë gjetur vdekjen nga moti ekstrem i dimrit. Në anën tjetër, kanë vuajtur shumë fëmijë duke qenë të kafshuar dhe traumatizuar nga ndonjë sulm apo kafshim.
Projektet KSVL në komunat e Republikës së Kosovës, nuk duhet të ndalen në asnjë moment dhe në momentin që numri 700 i trajtimeve të përfundojë, duhet ta kenë në dispozicion projektin e radhës, pa humbur kohë.
Këto projekte kërkojnë edhe monitorime të mirëfillta dhe gjithëpërfshirëse, andaj së shpejti do të bëjmë kërkesë tek Komuna e Prishtinës për të qenë pjesë e monitorimit të projektit (duke nisur nga salla e operacionit e deri tek trajtimi & mirëqenia e kafshëve). Gjatë takimit të përbashkët me Kryetarin e Prishtinës, z. Rama, kjo gjë ishte e mirë se ardhur për Komunën e Prishtinës.
Projektet e KSVL-së, asnjëherë nuk do të jenë efektive nëse nuk fillohet me regjistrimin intenziv të qenve me mbajtës/pronar. Duhet patjetër që masat e tjera paralele të ndërmirren (në bashkëpunim me nivelin qëndror), për ta reduktuar dukshëm shtimin dhe shumimin e qenve në rrugë, ashtu siç e kami shpjeguar edhe në propozimin tonë për strategji kombëtare: https://bit.ly/3kkw6H2
Vlen të theksohet që projektet e KSVL-së parashohin vetëm kastrimin/sterilizimin e qenve dhe vaksinimin kundër tërbimit, dhe fatkeqësisht nuk mbulojnë rastet urgjente të lëndimeve dhe sëmundjeve të qenve. Qendrat e shpëtimit, sidomos për rastet që kërkojnë trajtim urgjent, duhet të planifikohen dhe të ndërtohen nga institucionet përgjegjëse.