Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve u bën thirrje të gjithë dashamirësve të kafshëve dhe profesionistëve që trajtojnë fushën e mbrojtjës së mirëqeniës së kafshëve dhe promovimit të të drejtave të tyre, që të jenë këmbngulës në mbarëvajtjën e Programit (Menaxhimi dhe Kontrolli i Qenve Endacak) që Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës ka tenderuar (me vlerë 1.3 MIL) tek një numer i madh i operatorëve ekonomik (klinikave veterinare) në të gjithë Kosovën, të premten, me datë 25 maj 2018.

Projekti i cili do të fillojë të zbatohet së shpejti në gjithë territorin e Kosovës do të aplikojë metodën: “Kap – Kastro/Sterilizo – Vaksiono – Lësho” (nga anglishtja CNVR). Ky projekt ka për qëllim që qentë endacak të trajtohen në mënyrë profesionale dhe mjekësore, që t’u sigurohet atyre një mirëqenie e dinjitetshme. Po ashtu, duke i kastruar dhe sterilizuar ata, çdo vit e më shumë do të pakësohej numri i qenve që jetojnë dhe bredhin rrugëve, pa ndonjë dedikim nga ana e komuniteteve shoqërore, deri më tani.

 

T’ua rikujtojmë të gjithëve, pse do të përfshihemi në program:

– Në një takim në Kamenicë, njëri nga veterinarët dëshmoi që vrasja e qenve ishte për ta një gjë e zakonshme;

– Në Pejë, Komuna dhe zyrtarët e saj dëshmuan që edhe pse programi CNVR nga StrayCoco kishte iniciuar, nuk kishin interes ta respektojnë programin siç duhet, por lanë dhe braktisën qentë në një fshat të quajtur Sfërk në Komunen e Pejës – një vend që është i mbuluar me të gjitha mbeturinat e regjionit të Pejës, ku edhe ujërat helmuese të mbeturinave gjenden aty;

– Komuna e Podujevës, vitin e kaluar, bëri një vrasje masive dhe sistematike të qenve, ku gjuetarët me krenari “pastruan” qytetin me gjak dhe dhimbje;

– Në Graçanicë, ku strehimorja në një kodër, në fund të fshatit, la të izoluar qindra qenë, pa ushqim dhe ujë të pastërt – vend që ishte mbushur me kocka dhe mbetje të tyre;

– e mos t’i përmendim qindra raste të keqtrajtimeve të qenve që përfshihen në luftëra dhe argëtime;

– shitja e tyre ilegale në tregjet e Kosovës dhe shumë raste të tjera, ku qentë instrumentalizohen dhe keqtrajtohen.

Për më tepër, shuma e 1.3 milion eurove, janë të marra nga buxheti publik. Ne si taksa-pagues kemi të drejtë të diimë se ku dhe si shpenzohen paratë tona.

Andaj çfarë duhet të bëjmë ne, që të gjithë së bashku të sigurojmë mbarëvajtjen e projektit?

1. Do të kërkojmë që çdo hap i procesit të projektit të tenderuar, të jetë transparent (sipas Ligjit Nr. 04/L-042 PËR PROKURIMIN PUBLIK NË REPUBLIKËN E KOSOVËS, neni 10, paragrafi: 1,2,5.) për të gjithë qytetarët, e sidomos për shoqërinë civile – e cila është e fokusuar që t’i mbrojë qentë endacakë nga çdo lloj padrejtësie apo trajtimi jo-human apo jo-etik, përgjatë gjithë procesit.

2. Do të kërkojmë qasje në MONITORIM gjatë procedurave të zbatimit të programit. Me këtë duam të sqarojmë, që do të kemi një qasje sa më koordinuese me të gjithë akterët. Por, gjithashtu, presim nga vet Agjencioni dhe akterët tjerë të përfshirë në këtë projekt, që ta marrin këtë kërkesë si diçka në të cilën duhet të jemi të gjithë përgjegjës.

© Fondacioni për të drejtat e Kafshëve