Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka marrë vendim për themelimin e grupit punues për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ (MBPZHR) 04/2017 për Kushtet Teknike të cilat duhet plotësuar qendrat e trajtimit të përkohshëm për kafshët endacake. Organizata jonë ka kohë që ka kërkuar që strehimi i kafshëve shoqëruese apo ato endacake të futet nën kornizë ligjore ngaqë strehimi i kafshëve në Kosovë është i pa kontrolluar dhe i pa standardizuar për të respetuar mirëqenien dhe të drejtat e kafshëve në plotësi

Plotësimi dhe ndryshimi i këtij udhëzimi administrativ, është paraparë në kuadër të projektit të BE-së “Support to establishing disease surveillance and control programs and alignment with Chapter 12 of the acquis”, në bashkëpunim me AUV-në, ku edhe organizata jonë është ftuar të jetë pjesë e këtij grupi punues, si pjesë e shoqërisë civile.

Përveç ndryshimeve për kushtet teknike për qendrat e trajtimit të përkohshëm ku do të kërkohet monitorim më strikt i subjekteve veterinare të cilat implementojnë projektet e KSVL-së. Në këtë udhëzim administrativ pritet të përfshihen edhe standardet dhe kushtet teknike që duhet t’i plotësojnë edhe strehimoret/qendrat që strehojnë kafshë me dhe pa pronar.

Përmes ndryshimeve të reja, do të vendosen standarde të reja të cilat do të kenë prioritet mirëqenien e kafshëve dhe punën profesionale e transparente.

Organizata jonë është në kontakt edhe me organizatat partnere (TIR, StrayCoCo), për të marrë sugjerime për të propozuar standardet më të mira për trajtimin dhe strehimin e kafshëve, sidomos atyre endacake.