Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

KUJDES: PAMJE GRAFIKE! *

Ditëve dhe javëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të pamjeve mjaft shqetësuese të helmimeve mizore të qenve në rrugë në Mitrovicën e Veriut dhe rishtazi edhe në Gjakovë.

Pamjet jashtëzakonisht tmerruese të këtyre krimeve shpërfaqin një mungesë të frikshme të tolerances ndaj qenve në rrugë nga disa individë që përbëjnë kërcënim jo vetëm për qentë e rrugës, por edhe për sigurinë publike në përgjithësi.

Deri më tani kemi qenë dëshmitar se në secilin rast të helmimit të qenve të rrugës, viktima kanë qenë qentë më të butë dhe qentë që nuk kanë përbërë asnjë kërcënim për komunitetin. Faji i tyre i vetëm ka qenë që kanë lindur dhe jetuar në një komunitet jotolerant dhe të rrezikshëm.

Ka shumë studime që tregojë që personat që kryejnë krime ndaj kafshëve, nuk ndalen vetëm me mizori ndaj kafshëve dhe shumë shpejt dhuna bartet edhe tek njerëzit. Prandaj, është tepër e rëndësishme që institcuionet ligjzbatuese të ndjekin penalisht krimet ndaj kafshëve jo vetëm për të vënë drejtësi për kafshët, por edhe për të parandaluar edhe krimet tjera edhe ndaj njerëzve.

Qytetarët duhet ta kuptojnë që me vrasje nuk reduktohet numri i qenve në rrugë, përderisa vet njerëzit janë fajtorë për këtë situatë, duke braktisur qen në rrugë vazhdimisht dhe falë mungesës së angazhimit institucional që kjo situate të përmirësohet. Vrasja e qenve e shpërfaq një anë të errët të shoqërisë tonë, dhe nuk kontribuon aspak në zgjidhjen e problemit por përkundrazi, e përkeqëson atë.

Është tejet shqetësuese që në vitin 2023 ende flitet për veprime të tilla mizore dhe në fakt institucionet ligjzbatuese deri më tani nuk kanë dënuar askënd për këto veprime. Helmimi i kafshëve është vepër e dënueshme me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, por që ende nuk ka gjetur zbatim në praktikë.

Organizata jonë do t’i drejtohet Policisë dhe Prokurorisë për këto rastet e fundit, por që fatkeqësisht pritjet janë shumë të vogla që personat përgjegjës të identifikohen dhe të dënohen sipas dispozitave ligjore në fuqi.

Video nga aktivistja në Gjakovë: Altina Kusari