Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Me keqardhje raportojmë se katër qen të pafajshëm u helmuan në një kënd të lojërave për fëmijë në fshatin Bostane të komunës së Novobërdës. Ky akt i urrejtjes ka ndodhur në pronën e kishës në Bostan dhe është kapur në video. Një punëtor i fermës është kapur në kamerë duke u hedhur ushqim qenve, pas ngrënies së të cilit ata janë gjetur të vdekur.

Organizata jonë ka kontaktuar policinë dhe prokurorinë për të marrë masa të menjëhershme dhe për të vënë para drejtësisë autorin. Policia dhe prokuroria kanë bërë punë të mirë për ta marrë këtë çështje, ndërsa prokurori kujdestar ka kërkuar nga organizata jonë që të ndihmonte në gjetjen e mënyrës për të sjellë disa inspektorë veterinar për të shkruar një raport për qentë e helmuar pasi zyrtarisht nuk është caktuar asnjë inspektor veterinar në punë gjatë fundjavave apo festave. Ky fakt është shqetësues dhe duhet ndryshuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) me asistencën e Kryeministrisë, për të ndërtuar një sistem më të fortë të inspektimit veterinar, i cili nuk kërkon që inspektorët të dalin vullnetarisht në raste të tilla. Mbrojtja e shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve është një angazhim 24/7, dhe ne i bëjmë thirrje MBPZHR-së dhe AUV-së të punojnë për rregullimin e kësaj shtylle të rëndësishme të mirëqenies së kafshëve dhe mbrojtjes së shëndetit publik.

Helmimi i kafshëve të pafajshme është krim i rëndë bazuar në nenin 346 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës që nuk duhet të mbetet pa u ndëshkuar. Ky akt jo vetëm që është mizor dhe i pashpirt, por paraqet edhe rrezik për sigurinë publike. Do të jemi në kontakt me Prokurorinë Themelore të Gjilanit për t’u siguruar që autori të dënohet maksimalisht sipas ligjeve në fuqi.

Falenderojmë organizatën “Udruženje za zaštitu životinja ‘Šapa’” / Animals Protection Association ‘Paw’” që na lajmëroi menjëherë për këtë rast dhe që bën një punë kaq të madhe për mbrojtjen dhe shpëtimin e drejtpërdrejtë të kafshëve shoqëruese dhe endacake në Mitrovicën e Veriut dhe në komunitetet me shumicë serbe në Kosovë.

Po ashtu e falenderojmë edhe Drejtorinë e Inspektoratit në kuadër të AUV-së, që përkundër që nuk ishin në detyrë zyrtare gjatë fundjavës, prapë kanë reaguar shpejtë për këtë rast.

Edukimi është çelësi për të parandaluar që incidente të tilla tragjike të ndodhin në të ardhmen. Ne duhet t’i mësojmë të tjerët të respektojnë dhe mbrojnë kafshët dhe të raportojnë çdo sjellje të dyshimtë ndaj tyre. Le të bëhemi bashkë për të siguruar që drejtësia të vendoset për këta qen të gjorë dhe për të parandaluar që akte të tilla mizore të mos ndodhin përsëri.

Organizata jonë do të vazhdojë të mbështesë njerëzit, organizatat qeveritare dhe joqeveritare për të siguruar një bazë të fortë për një sistem të qëndrueshëm të kontrollit të mirëqenies dhe shëndetit të kafshëve në Kosovë.

Të gjithë duhet të punojmë së bashku për të mbrojtur kafshët tona të dashura dhe për t’i bërë komunitetet tona më të sigurta për të gjithë.

*KUJDES: PAMJE GRAFIKE!*