Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

KUJDES: PAMJE GRAFIKE*

Organizata jonë ka pranuar me shqetësim raportimet e aktivistëve të Prizrenit për helmimin e qenve të rrugës në lagjen Marash të këtij qyteti.

Sipas informatave të para, dy qen endacak kanë vdekur si pasojë e helmimit, ndërsa po ashtu ka raste edhe të qenve me mbajtës (pronar) që kanë pësuar komplikime shëndetësore si pasojë e konsumimit të ushqimit të helmuar të vendosur në këtë pjesë të qytetit të Prizrenit.

Vendosja e ushqimeve të kontaminuara me materie helmuese vdekjeprurëse në hapësira publike, përveç që rrezikon kafshët (endacake dhe me mbajtës/pronar), po ashtu edhe rrezikon edhe vet njerëzit dhe mjedisin, e që sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës përbën vepër penale. Autori/autorët e kësaj vepre duhet të gjendet urgjentisht dhe të dënohet sipas dispozitave ligjore në fuqi, për të parandaluar veprime të tilla në të ardhmen.

Organizata jonë tashmë e ka raportuar rastin në Polici dhe Prokurorinë Themelore në Prizren, dhe pret nga këto institucione të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të identifikuar keqbërësin dhe për të filluar proceduar penale ndaj tij/saj.

Kushdo që ka informacione rreth këtij rasti, ju lusim të na shkruani në inbox ose në email adresën info@animalrights-rks.org. Të gjitha informatat do t’ju përcjellen organeve ligjzbatuese dhe do të trajtohen me anonimitet të plotë.

Gjithashtu, organizata jonë do t’i drejtohet edhe komunës së Prizrenit që tash e sa vite nuk ka ndërmarrë asnjë fushatë vetdijësuese për banorët e Prizrenit edhe pse komuna ka shpenzuar €254,010.00 që nga viti 2016 për projektet për trajtimin e qenve endacak (me shumë kritika për menaxhimin në të kaluarën).

I ftojmë komunat e Kosovës të ndrrojnë qasjen dhe t’i informojnë qytetarët e vet për sjellet e duhura me kafshët, si të mbajnë qentë, të parandalojnë braktisjen e qenve në rrugë dhe si qytetarët duhet të ndihmojmë që situata me qen endacak të përmirësohet në kohë afatgjate.