Me këtë shkresë i drejtohemi gazetarëve në intervistën e poshtëngjitur dhe të gjithë qytetarëve që na percjellin, në mënyrë që t’i informojmë më mirë rreth situatës aktuale të qenve endacak dhe punës që po bëhët, pikërisht për ta përmirësuar këtë gjendje dhe që shtimi apo edhe shumimi i qenve në rrugë, të reduktohet në mënyrë efektive.
Para se t’i listojmë komentet tona ndaj pikave që u përmenden, duam t’i falenderojmë të dytë, për qasjen etike dhe të njerëzishme që shprehen gjatë bisedës për qentë endacak. I falenderojmë që duan t’i shohin qentë mirë dhe po ashtu ta gëzojnë një jetë në paqe të shoqërisë në Kosovë. Sado që edhe ne e ndajmë dëshirën me ta, ne po ashtu punojmë çdo ditë, pikërisht në dhe për këto tema dhe po e kuptojmë dita, ditës që nuk është aq lehtë të zbatohen dëshirat tona utopike për trajtimin human dhe ideal qoftë të kafsheve njerëzore apo jo njerëzore. Poashtu, shpresojmë që entuziazmi i tyre për të trajtar këtë temë të mos mbetet me kaq, por të angazhohen ata dhe të gjitha mediat tjera, për të bërë presion tek institucionet përgjegjëse për të zgjidhur këtë problem në mënyrën më efektive dhe humane të mundshme.
Biseda dhe pikat që janë theksuar nga mysafirja znj.Nushi-Muhaxhiri dhe moderuesi z. Kreshnik Berisha, nuk ishin plotësisht të sakta dhe qytetarët kanë nevojë që të kuptojnë më mirë dhe më drejtë këtë gjendje, se sa të bëhët bisedë që anon në këndvështrimin e problemit nga aspekti: bardh e zi. Po ia japim disa ngjyra ne, dhe po ju njoftojmë më mirë rreth pikave që i kanë biseduar gazetarët në studion televizive.
Komentet tona për temat, të cilat gazetarët i kanë trajtuar:
1. “Të gjithë ata që janë sulmuar nga qentë endacak, janë persona që i duan qentë”
Ky koment nga znj. Nushi-Muhaxhiri, i thënë me kaq siguri, edhe pse merr për bazë vetëm dy raste, nga dhjetëra sa kanë ndodhur deri më tani, nuk e paraqet realitetin e situatës. Komenti i gazetares, po ashtu ishte, se njerëzit (aktivistët për mbrojtjen e kafshëve, besojmë që e ka menduar) i përgjigjen asaj me justifikimin „ju i keni ngacmuar qentë, andaj edhe po ju sulmojnë“. Ne nuk e dimë se ku i kanë marrë burimet e të dhënave, por sikur znj. Nushi-Muhaxhiri të hulumtonte pak më thellë, do të haste në dhjetëra artikuj të organizatës tonë për këtë temë, me të cilën mirremi çdo ditë dhe punojmë për të ndihmuar institucionet për të krijuar një zgjidhje permanente për këtë çështje. Prandaj, është mjaft jo profesionale të merre n për bazë „thënje“ apo „komente të Facebook-ut“ që disa njerëz ndoshta edhe e besojnë se ‚vetëm‘ nëse i ngacmojnë qentë, ata sulmojnë. Por ndoshta gazetarja ka marrë vetëm komentet e disave, ato që ia përkrahin mendimin, pa kuptuar mirë që dhjetra artikuj të organizatës tonë thonë se: „kafshimet në të shumtën e rasteve vijnë si rezultat i ngacmimeve të njerëzve në përgjithësi“. Organizata jonë, vazhdimisht në media thotë se „qytetarët e pafajshëm po i mbajnë pasojat e kafshimeve“ dhe kjo më të vërtëtë është shqetësuese për të gjithë, sepse edhe ne si komunitet i mbrojtjes së të drejtave të kafshëve, jetojmë në këtë vend. Nuk jetojmë jashtë kufijve të Kosovës. Andaj, të thuhet në një emision që „disa njerëz dhe disa grupe, po thonë që njerëzit që sulmohen në moment, ishin duke sulmuar qenin, është mjaft siperfaqësore. Ka aktivistë që mirren profesionalisht me kapacitetet që kanë të trajtojnë këtë temë në nivelet më të larta institucionale. Në fakt, komentet e njerëzve që përmend gazetarja, nuk përfaqësojnë mendimin e të gjithë aktivistëve të mbrojtjes së kafshëve. Në fakt, ato mendime janë pakicë, pasi që edhe në komunitetin e dashamirësve të kafshëve ka njerëz profesionalë të cilët i kuptojnë shumë mirë sjelljet e qenve, dhe arsyet që qojnë deri tek agresiviteti i tyre.
Qentë janë kafshë të mësuara me njerëz. Nëse njeriu qaset me guxim (me shumë vetëbesim) ndaj qenve dhe tregon agresivitet dhe abuzim ndaj tyre, qentë menjëherë e njohin atë person agresiv si dominant dhe nuk e ngacmojnë atë me patjetër dhe as njerëzit që nuk frikësohen, por shpesh edhe nga përvojat që i marrim në Kosovë, sulmohen pikërisht njerëzit që frikësohen apo njerëz më të dobët se ta (qentë) e që shpesh janë fëmijët. Ky rast është kur qentë kafshojnë nga frika dhe traumat e abuzimeve nga njerëzit e tjerë. Në ndonjë rast, kur ndonjë person nuk është edhe me aq vetbesim sa abuzuesi paraprak dhe konfrontohet me qentë e traumatizuar më herët dhe nga vetëmbrojtja mundohet t‘i sulmojë, ekziston rreziku që qentë ta kafshojnë atë individë sepse ata ndjejnë frikën dhe kërcënimin nga personi që hipotetikisht është duke i sulmuar ata. Këtu bëhët fjalë për rastet kur njerëzit që ishin duke i ngacmuar qentë edhe sulmohen nga ta.
I nderuar Kreshnik, e nderuara Paulina, ne çdo ditë shohim edhe incidentet mes njerëzve dhe kafshëve totalisht të pafajshme, që janë të qetë në gjumë dhe që sulmohen nga njerëzit, për rrethanat dhe kushtet e momentit, totalisht të panevojshme. Andaj, patjetër që ka raste kur njerëzit sulmohen nga qentë, përshkak se pikërisht ata njerëz ishin duke tentuar t’i ngacmonin ato. Por asesi nuk mund të thuhet, se komuniteti i mbrojtjes së kafshëve, mendojnë në 100% që “qentë sulmojnë ATY, për ATY, vetëm nga sulmi momental nga ndokush”.
Qentë sulmojnë edhe kur duan ta mbrojnë territorin e vet. Territorin e bëjnë aty ku ushqehen masivisht (mbeturinat në çdo kënd të Kosovës) dhe shpesh aktivistët për mbrojtjën e kafshëve, që i ushqejnë në vende jo adekuate (këtë gjë po ashtu e kritikojmë dhe shpesh e kemi thënë edhe në intervista në emisionet televizive). Nëse në territorin e tyre, qysh të vegjël, shkelmohen, nëse njerëzit vazhdimisht (nga frika apo zemërligësia) i sulmojnë apo i frikësojnë, nëse nuk sterelizohen qysh në moshat e hershme: 7-10 muaj [ndikon nga testosteroni tek qentë e kastruar ende të rinjë në moshë, ngaqë gjatë moshës 7-10 muaj ende nuk krijojnë karakter dominant dhe “luftues” (jo në të gjitha rastet) nëse nuk janë veçse të traumatizuar apo ngacmuar paraprakisht; kurse tek femrat, sterelizimi nga mosha 7 muajshe, e zvogëlon mundësinë për riprodhim të parë (jo në të gjitha rastet)], qentë do të jenë shumë të gatshëm për sulme. Sterelizimi i bushtrave duhet të jetë prioritet që të zvogëlohet numri i shumimit të qenve në vend, me masat e tjera të nevojshme, të cilat do t’i shpjegojmë më poshtë.
2. “Komunat e tjera i sjellin qentë në Prishtinë”
Ne si organizatë bëjmë vizita të shumta të veterinerëve dhe punës së tyre gjatë projekteve shtetërore të kastrimit/sterelizimit të qenve endacak dhe në disa nga rastet kemi hasur edhe në këtë fenomenin tejet negativ, të bartjes së qenve nga një komunë në një komunë tjetër. Megjithatë, ky fenomen nuk bëhet vazhdimisht (bëhet më shumë gjatë projekteve shtetërore të kastrimit dhe sterelizimit, ngaqë edhe kapësat e qenve që zakonisht i dërgojnë qentë tek veterinerët për operim, paguhen nga veterinari përgjegjës) dhe nuk është faktori i vetëm.
Është pak e habitshme se si edhe pas hulumtimit të znj. Nushi-Muhaxhiri, nuk u përmendën asnjëherë faktorët kryesorë të mbipopullimit të qenve në rrugë, e që janë braktisjet e shumta që ndodhin në Kosovë. Si e dimë këtë? Shumë njerëz mbajnë qen të pa kastruar apo sterelizuar dhe shpesh edhe i mbarështojnë me ndonjë qen tjetër, qoftë të rrugës apo të arranzhuar për mbarështim. Kur bushtrat lindin këlyshit, jo të gjithë këlyshit mund të mbahen nga familjet kosovare. Shpesh vet nëna dhe këlyshit, baktisen në rrugë. Këtë e dimë nga rastet e shumta të shpëtimit, nga shumë aktivistë vullnetplotë. Poashtu, kemi hasur nga shumë përvoja në terren dhe nga faqet e Facebook-ut të fëmijeve të mitur që mbarështojnë qen për luftëra. Qentë ata i mbajnë në shtëpi të pabanuara, ku vazhdimisht i shumojnë. Shumë nga këto kafshë, po ashtu përfundojnë në rrugë.
Tregjet e kafshëve, janë të stërmbushura me këlysh dhe qen të shumtë. Shumica e këlyshve, nëse nuk shiten për disa javë me radhë, përfundojnë në rrugë. Fushë Kosova, mbushet shumë me qen, pikërisht për këtë arsye. Këtë gjë edhe vet një shitës na ka thënë dhe nëse një person e bën këtë gjë, të jeni të sigurtë që ka shumë më shumë që braktisin qen që nuk shitet për gjatë.
Për më tepër, çdo dy javë shohim lindje të reja dhe këlysh të vegjël në rrugë. Shumica e këlyshve, vdesin nga shumë faktorë dhe vetëm disa mbijetojnë. Tani, më siguri po mendoni në vete: “Eh, nëse do të kishin strehim, do të mbijetonin”, apo jo? Më vonë ua shpjegojmë pse strehimoret nuk janë zgjidhje e qëndrueshme dhe efektive, tani për tani siç është situata.
3. “Besoj që sterelizimi po bëhët në Kosovë”
E nderuara znj. Nushi-Muhaxhiri, kur merreni me hulumtimin e situatës në vend nga qentë endacak, nuk mund të thoni “besoj që po bëhet”. Duhet ta dini saktësisht se çfarë është bërë me parat e qytetarëve në projektet shtetërore të KSVL (Kap, sterelizo, vaksino, lësho) që ishtë menaxhuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), gjatë 2018 dhe tani gjatë 2020. A keni kërkuar raport nga AUV për punën e veterinerëve përgjatë projektit shtetëror? Ngaqë ju vetëm po ‘besoni’ se po sterelizohen, ne mund të ju tregojmë saktësisht, ngaqë jemi marrë direkt me monitorimin e këtyre projekteve, me aq mundësi që kemi pasur, ngaqë AUV na e ka bërë shumë shpesh, shumë të vështirë punën. Thjesht nuk iu pëlqente të kritikoheshin veterinerët e tyre të pakualifikuar (jo të gjithë) sidomos gjatë vitit 2018, të cilët ishin shumë pak transparent dhe tejet shumë parregullësi ishin gjetur. Shumë shpejt do ta publikojmë raportin për këtë projekt, ngaqe kemi kërkuar nga AUV (me ndihmë të Avokatit të Popullit) që të na dorëzohen të gjitha të dhenat dhe raportet e punës së veterinerëve në 2018. Nga AUV thuhej se 14.000 qen ishin të trajtuar (ku numrohej edhe numri i eutanazive të qenve) kurse nga të dhënat që kemi marrur nga AUV, kemi analizuar raportimin e rreth 7.000 qenve. Jo më shumë. AUV ose nuk ka dashur të na dorëzojë të dhënat e plota ose nuk kanë ASNJË raport mbi punën e Rajonit të Ferizajit dhe Gjilanit.
Kur themi projekti i vitit 2018 dhe 2020 – mos mendoni se janë projekte të vazhdueshme, 1-vjeçare. Jo. Në 2018 është punuar nga maji – nëntor 2018 (me ndërpreje) kurse në 2020, kanë filluar nga maji dhe tashmë pothuajse të gjitha subjektet fituese veterinare, e kanë kryer punën. Do të thotë, nëse këtë vit, AUVK nuk merr më fonde nga Qeveria, i bie që qentë gjatë kësaj periudhe e deri në vitin tjetër, do të kenë hapësirë për shumim në rrugë. Disa projekte të KSVL ishin aktive edhe në këto Komuna gjatë vitit 2019: Suharekë, Fushë Kosovë, Prizren, Prishtinë, Gjilan. I kemi kërkuar të dhënat (raportet e punës) të veterinerëve në të gjitha Komunat që kanë punuar në 2019 dhe rezultati ishte:
- Prishtinë – raporte jo të mira dhe gjysmake të punës së Qendrës në Harilaq; Asnjë foto nuk ishte dorëzuar dhe raportimet ishin shumë të dobëta.
- Suharekë – kemi pranuar fotot dhe raportimet nga vet veterinari J.K. i kontraktuar në vitin 2019. Nuk kishte ndonjë parregullësi të madhe, por buxheti nuk ishte i madh dhe mjaft pak qen ishin trajtuar.
- Fushë Kosovë – jemi në kontakt me veterinarin. Ai ka marrë kontratë 3 vjecare, por shumë pak fonde nga Komuna e Fushë Kosovës. Ne vazhdimisht tentojmë të bëjmë presion tek institucionet, që mos të harrojnë ta planifikojne një projekt afat-gjatë, dhe me fonde të nevojshme për trajtimin e qenve në çdo komunë në Kosovë.
- Prizren – raportet me shkrim na janë dorëzuar, por asnjë foto. Nuk kemi asnjë dëshmi se veterinari i kontraktuar asokohe F.K. ka punuar saktësisht ashtu siç ka raportuar. Institucionet tona i paguajnë veterinerët me një dorë mjaft të shlirë. Nuk kanë nevojë të raportojnë shumë edhe pse, në disa aspekte, këtë gjë kemi arritur ta ndrrojmë tek projekti i KSVL në Prishtinë në 2020 gjatë kohës së pandemisë me Komunën e Prishtinës dhe në projektin shtetëror të vitit 2020. Ne vazhdimisht kemi propozuar Komunave, masa më të rrepta të monitorimit. Me një monitorim të rreptë, edhe puna efektive do arrihej.
AUV, ka bërë shumë pak vizita monitoruese gjatë vitit 2018. Ne kemi bërë mbi 100 vizita në 2018, dhjetra vizita gjatë vitit 2019 dhe mbi 130 vizita nga prilli 2020 e deri tash.
Këto vizita, e nderuara znj. Nushi-Muhaxhiri dhe z. Berisha, janë bërë pikërisht që të sigurohet maturi tek institucionet përgjegjëse në Kosovë, që pastaj ata të jenë në gjendje ta menaxhojnë një strehimore utopike, të cilën ju po e përshkruani me kaq lehtësi: “ku qentë do trajtoheshin mirë, ku do të ishin të lumtur, ku njerëz vijnë t’i adoptojnë”. Po, të nderuar, edhe ne e ëndërrojmë këtë gjë, çdo ditë dhe natë. Por ja që, të punosh për jetë të mirë të qenve të rrugës, në strehimoret eventuale shtetërore dhe private, është mjaft vështirë dhe rrugë e gjatë, sidomos me nivelin politik dhe profesional të institucionve tona përgjegjëse në të gjithë Kosovën dhe mungesën e vetëdijesimit shoqëror sa i përket respektimit të mirëqenies së kafshëve.
Vizitat monitoruese, po bëhen nga ne, që të sigurohet:
- që qentë trajtohen njerëzishëm (ende duhet t’i bindim veterinerët, që nuk është ‘e turpshme’ t’i trajtojnë qentë njerëzishëm dhe profesionalisht;
- që nuk po bëhen mashtrime me numrin e qenve të raportuar si të trajtuar dhe që në të vërtetë nuk janë fare të trajtuar. Nëse mashtrohet me numrat e raportuar, i bie që qentë në rrugë vazhdojnë të shumohen dhe qytetarët mendojnë që projektet shtetërore janë aktive.
Shumë qytetarë, na kanë kontaktuar që të ndërmjetësojmë mes tyre dhe veterinerëve për KSVL, ngaqë veterinerët e kontraktuar nga shteti, shpesh dinë të jenë jo profesional dhe arrogant. Do të thotë, ju si qytetar, me fondet e të cilëve, veterinerët bëjnë punën, as nuk ju përgjigjen (jo të gjithë) me mirësjellje e as nuk ju dëgjojnë kur raportoni ndonjë qen agresiv.
Ju ndoshta ‚besoni‘ se po sterelizohen, por ne po ju themi që:
- nuk dihet ende qartë puna reale e veterinerëve dhe numrit që raportojnë dhe
- edhe nëse do sterelizoheshin për 5 muaj në një përiudhë kontraktuese, një vjeçare një numër i qenve, por pastaj projekti pauzon për më shumë se 6 muaj, kemi shpejtë lindje të reja në rrugë. Ashtu ka ndodhur mes 2018 – 2020.
4. “1.3 milion”
Ky projekt ka marrë fund. Këto të holla ishin shfrytëzuar për 14.000 qen të trajtuar gjatë vitit 2018, ashtu siç na ishte thënë nga AUVK.
Shteti duhet të investojë shuma të veçanta për çdo vit për projektet KSVL. Të cilat do duhej të jenë aktive gjatë gjithë kohës. Ngaqë do të trajtoheshin qentë me kastrim/sterelizim; qentë e sëmurë dhe qentë agresiv do të largoheshin nga rruga.
Shumë aktivistë të mbrojtjës së kafshëvë mundohen të bëjnë disa hapësira, që i quajnë strehimore por që aspak nuk janë hapësira adekuate për mbajtje të qenve ngaqë nuk kanë vend, fonde dhe aftësi menaxhuese të një strehimoreje me të gjitha programet që duhet bërë për të pasur strehimore tranzitore (deri tek adoptimi). Edhe pse, shumë strehimore në Kosovë (të gjitha private, diku rreth 13 që dimë deri më tani) me aktivistë të huaj, të diasporës kosovare, apo edhe vendas të Kosovës, kanë arritur që të gjëjnë familje të mira, për qindra qen të rrugës së Kosovës.
Këta aktivistë, që po kritikohen aq shumë nga shumë njerëz, janë pikërisht ata që i largojnë më qindra qen nga rruga për t’u adoptuar jashtë Kosovës. E ju keni guxim të thuani se ata që i duan më të vërtetë qentë, i strehojnë ata? Po pikërisht atë gjë po e bëjnë, e dashura znj. Nushi-Muhaxhiri.
5. “Po ma ngrisin dyshimin qytetarët, sa i përket punës së sterelizimeve”
Gjatë intervistës, znj. Nushi-Muhaxhiri, beson se veterinerët kanë bërë sterelizime dhe kastrime në gjithë Kosovën, do të thotë, për këtë projekt nuk ka informata të sakta. Por pyetja është, pse nuk na keni pyetur neve, që kemi fakte të sak ta të punës në 2018-2020 të projekteve shtetërore? Siç duket, qytetarët mund ta shprehin mendimin e tyre, por njerëzit që po punojnë çdo ditë në këto çështje, nuk duhet pyetur?
Po e nderuara, Paulina, edhe pse po bëhen sterelizimet, qentë po vazhdojnë të shtohen. Arsyet i kemi shpjeguar në pikën 3.
6. “Në sheshin e Prizrenit, nuk janë më qentë paraprak dhe po vijnë qen të tjerë”
Nëse do ta kishit analizuar fenomenin e zhdukjes së qenve edhe nga aspekti i qenve të gjorë, do të kuptonit se qentë endacak janë vet viktimë, sepse ashtu-kështu, po zhduken mizorisht nga rruga, sepse mirren nga veterinerët, kastrohen, sterelizohen ose abuzohen gjatë operimit nga veterinerë neglizhentë dhe jo profesional dhe siç keni konfirmuar të dytë gjatë intervistës, merren shpesh nga një vend e lëshohen në një vend tjetër, ku pastaj mund të shfaqen probleme sepse janë në një territor të ri dhe të panjohur për ta. A nuk ju duken këto çështje për të cilat duhet ngritur zërin?
Është shumë matematikë e thjeshtë. Kaq shumë parregullsi ka në projektet shtetërore dhe ju ende mendoni që jeta e qenve në strehimoret e ndërtuara hipotetikisht, gjatë kësaj periudhe kohore, do të ishte humane për qentë? A e dini sigurtë që qentë do të jenë të lumtur e të trajtuar mirë në të gjitha aspektet në këto strehimore? Sepse znj. Paulina duket shumë e sigurtë.
7. “Strehimoret” si koncept
Koncepti i strehimoreve për mbajtje permanente të qenve (deri në adoptim), në Kosovë, është ‘ koncept shumë optimist dhe shumë i largët për një vend si Kosova. Pse e themi këtë? Nga fakti se për të ardhur tek strehimi efektiv dhe i qëndrueshëm i qenve duhet të ndërmirren disa hapa të tjerë ligjor.
Nëse sot ndërtohet një apo më shumë strehimore në Kosovë, ku do të strehoheshin qindra qen (edhe pse shteti i jonë nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të siguruar kushtet adekuate qenve në strehimore), prap do të kishim qen në rrugë, sepse nuk kemi zgjidhur problemin nga burimi i tij.
Përderisa qentë me mbajtës (pronarë) nuk identifikohen dhe regjistrohen, dhe të njejtit nuk dënohen në bazë të legjislacionit në fuqi, për braktisje dhe abuzim të kafshëve të tyre, problemi i shtimit dhe shumimit të qenve endacak do të jetë gjithmonë prezent. Poashtu, ka shumë raste ku edhe qentë humbin, dhe në mungesë të identifikimit, shpeshherë mbeten në rrugë dhe nuk gjinden nga mbajtësit (pronarët) e tyre. Këta qen, shumica dërmuese e të cilëve janë të pa kastruar/sterelizuar, shumohen me qen të tjerë të rrugës, duke e rritur kështu numrin e tyre.
Pra, për momentin, ideja e strehimoreve në Kosovë, është tejet e paarritshme. Thjeshtë shteti ynë nuk ka aftësi as profesionale as financiare që përmes strehimoreve të zgjidh problemin e qenve endacak. Mbajtja e qenve në strehimore, ka kosto jashtëzakonisht të larta, dhe kërkon angazhim të stafit profesional për përkujdesje të qenve. Mbajtja e tyre deri në vdekje, e rrezikon tejet shumë mirëqenien e tyre, në situatën aktuale në të cilën ndodhemi.
Këtu është një studim, i cili tregon se si Holanda e ka zgjidhur problemin me qen endacak. Këtë gjë e kërkojmë dhe punojmë të bëhet edhe në Kosovë. Pa zbatuar programe paralele: ndryshimet dhe zbatimet ligjore (ndëshkimet, ndalja e mbarështimeve), KSVL, edukim në shoqëri dhe strehim – nuk mund të zgjidhet situata siç duhet.
Disa foto nga dy strehimore komunale (Gracanice dhe Peje), në të kaluarën:
Si duhet të funksiononte një strehimore: https://animalrights-rks.org/shelter-for-temporary-stay-in-switzerland/?fbclid=IwAR0tcSfmOXeByDiK-825LCxZmu8IqsXDn83wgHdB6TdsAoGf08CDqxeZ33Q
*Në vendet e zhvilluara, strehimoret mbahen me kosto të atyre që i braktisin apo i sjellin kafshët në strehimore, apo nga donacionet e dashamirësve të kafshëve. Poashtu, në shtet e zhvilluara, ku ka strehimore siç po kërkoni ju, nuk strehohen kafshët endacake, sepse nuk ka kafshë të rrugës (për shkak zbatimit të plotë të legjislacioneve për mbajtje të përgjegjshme t kafshëve shoqëruese), andaj edhe numri i kafshëve në strehimoret e vendeve të zhvilluara, është më i vogël.
8. “Strehimorja e Prishtinës” – Qendra për Trajtim të Përkohshëm që do të ndërtohet në Prishtinë
Komuna e Prishtinës, mund ta ketë quajtur Qendrën për Trajtim të Përkohshëm (QTP), strehimore, por po ju themi edhe njërerë pas shumë deklaratave tona, që në këtë QTP nuk do të ketë strehim permanent të qenve, por do QTP-ja do të kryej shërbime sipas udhëzimit administrativ 04/2017 (MBPZHR). do të thotë do të shërbejë si klinikë veterinare për trajtim human të kafshëve të rrugës. QTP-ja e planifikuar nga Komuna, ka vetëm rreth 50 vende për strehim të përkohshëm.
Na vjen keq që Komuna vazhdon të mos ju tregojë qytetarëve drejt!
9. Ekzistojnë dy grupe të njerëzve: ata që thonë qentë “nuk të hajnë” dhe ata që thojnë, “qentë të hajnë”
Kjo gjë nuk është e vërtetë.
Nuk janë vetëm dy grupe. Grupet e tjera, për të cilat ju nuk keni njohuri apo nuk keni dashur t’i përmendni, janë pikërisht ato grupe, që po mundohen të bëjnë të pamunduren për të zgjidhur situaten në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Pastaj kemi edhe shumë aktivistë që po mundësojnë adoptimin e qenve të rrugës, pa pushim. Pse këto dy grupe të tjera i keni anashkaluar? Sepse puna e tyre, është shumë më komplekse dhe e vështirë e shumica e njerëzve duan vetëm ide të bukura dhe strehimore ideale ku qentë do të strehoheshin, pa i interesuar askujt pastaj, se si do ta kenë qentë, jetën në ato strehimore hipotetike.
Ju mund të mendoni tani dhe të thuani: “po as në rrugë nuk kanë kujdesje të mirë”.
Kjo është e vërtetë, as në rrugë nuk e kanë jetën e mirë, të siguruar. Andaj kërkojmë zbatime të mirëfillta të projekteve shtetërore dhe ndryshime ligjore për t’i ndaluar braktisjet (shtimi) dhe shumimet (në mungëse të sterelizmit dhe kastrimit) e qenve (kafshëve) endacak. Mbyllja e tyre sistematike dhe masive në Kosovë, me vetëdije, rrezikon skajshmërisht mirëqenien e kafshëve dhe cakton precedent të rrezikshëm të vrasjeve masive të qenve, ngaqe numri i tyre në rrugë është i madh në krahasim me kapacitetet financiare dhe profesionale që ka Kosova. Andaj, bëjmë thirrje që qytetarët t’i pranojnë kafshët e rrugës si pjesëtarë të komunitetit duke i trajtuar mirë – dhe në rast të qenve që rrezikojnë jetën e njerëzve, qoftë nga ndonjë sëmundje zoonotike apo nga agresiviteti i vazhdueshëm i ndonjë qenit, të merren nga operatorët ekonomik (subjekte veterinare) të kontraktuara qoftë nga shteti, apo nga Komunat, dhe të largohen që mos të rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë publike.
Problemi po qëndron që as Komunat dhe as vet AUVK-ja, nuk po zbatojnë projekte të vazhdueshme të KSVL-ës (kapje, sterelizim, vaksinim, lëshim) në mënyrë që qentë të mos shumohen në rrugë dhe që qentë agresiv, të identifikohen dhe largohen nga rruga, pas sulmeve eventuale. Pse nuk kërkojmë që të zbatohen këto masa, para se të bëjmë thirrje për izolimin e tyre?
Edhe ne si organizatë, jemi për strehimin e tyre të dinjitetshëm, ku mirëqenia e tyre do të sigurohej plotësisht, mirëpo, para strehimit të qenve, duhet të ndalen shtimet dhe shumimet e qenve endacak. Dhe për këtë, ju si gazetarë mund të ndihmoni dhe jo ta shihni këtë gjendje duke paraftyruar “dy grupe të njerëzve”.
10. “Në Magure, po i lëshojnë qentë me vath”
Thirrësi nga Magurja, i cili ankohej që qentë me vath po kthehen në rrugë, nuk mori nga ju shpjegim të duhur për këtë gjë. Ashtu siç e cekëm më lartë, në projektin shtetëror të trajtimit përmes KSVL-ës, qentë e trajtuar, duhet të kthehen në territorin e tyre, pas trajtimit. Qentë e trajtuar, identifikohen me vath. Subkjetet veterinare i porosisin vather e ndryshëm, me ngjyra të ndryshme, me një numer unik identifikues, të cilat i raportohen në AUVK.
Thirrësit, ish dashur t’i shpjegohet pse qentë kthehen në rrugë, me vath në vesh. Ai dhe shumë qytetarë të tjerë nuk kanë informata për procedurat e projektit, sepse nuk janë dhe nuk ishin asnjëherë, të informuar nga askush (edhe pse janë ndarë fonde shtetërore për informim dhe vëtëdijesim të qytetarëve me vlerë 111.000,00 euro – por që asnjë aktivitet vetëdijesues nuk është organizuar nga kompania e kontraktuar nga AUVK). Pasi që znj. Nushi-Muhaxhiri është duke hulumtuar mbi këtë temë, e ftojmë të informohet më mirë. Ne i kemi dyert e hapura për të gjithë që interesohen.
Po ashtu, jemi shumë të shqetësuar se një gazetare thotë publikisht që ‘nuk ka fakte’ të abuzimeve të veterinerëve gjatë projekteve shtetërore të KSVL-ës. Sikur znj. Nushi-Muhaxhiri të bënte hulumtim të mirëfilltë rreth kësaj teme ashtu siç po pretendon, në faqe të Facebook dhe uebfaqe të organizatës tonë do të gjente fakte të panumërta rreth abuzimeve të veterinerëve me qentë e rrugës. Prandaj, është e habitshme se si znj. Nushi-Muhaxhiri flet me aq siguri që nuk ka fakte për këtë. Edhe për këtë pjesë, e ftojmë gazetaren të hulumtojë ashtu siç duhet, e jo të dalë me deklarata gjysmake. Për hir të njerëzve dhe kafshëve.
Disa fakte:
https://animalrights-rks.org/threat-towards-vets-and-our-team/
https://animalrights-rks.org/ethics-commission-of-the-veterinary-profession-is-not-doing-its-job/
https://animalrights-rks.org/kfvas-favourite-vet-doesnt-need-accountability/
https://animalrights-rks.org/lack-of-cooperation-from-the-veterinary-entity-goni-in-ferizaj/
https://animalrights-rks.org/the-attempt-of-some-veterinarians-to-hide-their-real-work/
https://animalrights-rks.org/suspicions-of-veterinary-abuse-on-stray-dogs/
https://animalrights-rks.org/kfva-must-manage-the-situation-with-stray-dogs/
Për fund, dëshirojmë të ju falenderojmë prapë për vullnetin për të dhënë edhe ju si media kontributin tuaj për zgjidhje afatgjate të këtij problemi, sepse mendojmë që mediat kanë një rol të rëndësishëm në zgjidhje të këtij problemi, qoftë duke ngritur vetëdijen e qytetarëve për situatën reale të qenve në rrugë dhe burimeve të problemit, qoftë përmes presionit medial ndaj institucioneve për angazhim profesional rreth gjetjes së një zgjidhjeje afatgjate, përderisa këto tema trajtohen në mënyrë profesionale, ku përfshihen akterë që mirrren profesionalisht çdo ditë për të ardhur deri te një zgjidhje e qëndrueshme e problemit të qenve endacak.
I ftojmë edhe znj. Nushi-Muhaxhiri, edhe z. Berisha, por edhe gazetarët e tjerë, që të na kontaktojnë në çdo kohë për informata të hollësishme rreth kësaj teme mjaft të përfolur, pasi që që nga viti 2018, me kapacitetet që kemi, mirremi aktivisht me këtë temë institucionalisht, ligjërisht dhe përmes vizitave monitoruese në terren.