Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Në muajin korrik të vitit 2022, komuna e Gjilanit kishte përzgjedhur fitues operatorin ekonomik “Monuni” për të implementuar projektin e KSVL-së në komunën e Gjilanit.

Përkundër premtimeve për bash˚këpunim nga Drejtoria e Bujqësisë në Gjilan, fatkeqësisht në realitet ky “bashkëpunim” ka qenë më shumë fjalë se sa vepra, për shkak të pasivitetit të kësaj drejtorie për të inspektuar operatorin ekonomik dhe për të marrë masa ndaj OE për mos-transparencën dhe tendencat që të mos e lejojë organizatën tonë të bëjë monitorime. Për shkak të kësaj neglizhence, organizata jonë ka njoftuar disa herë edhe AUV-në, të cilët kanë kryer vizita inspektuese tek ky subjekt veterinar.

Organizata jonë po ashtu ka kërkuar vazhdimisht nga komuna e Gjilanit, qasje në raportet e operatorit ekonomik për numrin e qenve të trajtuar gjatë këtij projekti dhe ka propozuar pranë Drejtorisë në fjalë që të bëhet një monitorim i mirëfilltë, pasi që për pak muaj, OE kishte marrë rreth 18.000 euro në emër të trajtimit të qenve endacak. Pas përfundimit të projektit, organizata jonë ka kërkuar qasje në të gjitha raportet e punës të OE-së dhe në këtë aspekt, komuna e Gjilanit ka qenë jobashkëpunuese, me ç’rast jemi detyruar t’i drejtohemi Agjencisë për Informacionin dhe Privatësi, për të kërkuar respektimin e të drejtës tonë ligjore për qasje në dokumente publike. Vetëm pas intervenimit të AIP-së, i kemi pranuar dokumentet e projektit të KSVL-së në nëntor 2022.

Në raportimet e operatorit ekonomik, kemi vërejtur shumë shkelje dhe raportime të rreme për qentë e trajtuar, që ishin në kundërshtim me numrin e qenve present gjatë vizitave tona monitoruese, si dhe gjatë inspektimeve të AUV-së.

Duke parë këto shkelje të shumta, organizata jonë i është drejtuar Prokurorisë Themelore në Gjilan, për të paraqitur dyshimet tona për keqpërdorim të pozitës zyrtare nga zyrtarë komunalë në Gjilan, si dhe mashtrim me prokurim publik nga operatori ekonomik “Monuni”.

Sipas informatave të fundit, Prokuroria ka marrë vendim për fillim të hetimeve, dhe shpresojmë që kjo çështje të zbardhet deri në fund dhe të kërkohet përgjegjësi ligjore për çdo shkelje në këtë projekt.

Komunat e Kosovës duhet të mësohen që projektet e KSVL-së kërkojnë monitorime të mirëfillta dhe shumë të shpeshta, për t’u siguruar që qentë po pranojnë trajtim human dhe profesional, dhe në anën tjetër për t’u siguruar që paraja publike (e cila është jashtëzakonisht e kufizuar në këtë aspekt) të shpenzohet në mënyrën më efektive.

Deri më tani, asnjë komunë në Kosovë nuk ka zbatuar projekte të KSVL-së me monitorim dhe vlerësim të mirëfilltë, gjë që ka rezultuar në projekte joefektive në kontrollin e riprodhimit të qenve në rrugë.

Për çfarëdo risie në lidhje me këtë temë, do të ju mbajmë të informuar.