Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Inspektimet për mbajtjen e kafshëve shoqëruese (qen, mace) në shtëpi private, strehimore, hotele të qenve, dyqane të kafshëve dhe qendrat të trajtimit të përkohshëm, janë një pjesë thelbësore e menaxhimit të popullsisë së qenve. Këto inspektime nuk janë procese burokratike – por janë një mjet thelbësor për të parandaluar abuzimin, neglizhimin dhe braktisjen e qenve nga mbajtës (pronarë) të papërgjegjshëm dhe parandalimin e sëmundjeve të ndryshme zoonotike. Inspektimet e rregullta mund të sigurojnë që të gjitha kafshëve t’u sigurohet kujdesi i duhur, duke kontribuar edhe në reduktimin e numrit të kafshëve endacake. Sipas dispozitave ligjore, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) është e ngarkuar me inspektime veterinare në Kosovë.

AUV ka një përgjegjësi të madhe – nga inspektimi i pikave kufitare, supermarketeve deri te shitësit e mishit, thertoret, fermat dhe inspektime për mbajtje të kafshëve shoqëruese në shtëpitë private dhe strehimoret/qendrat e trajtimit. Megjithatë, aftësia e AUV-së për të zbatuar ligjet në fuqi dhe për të mbrojtur kafshët është duke u rrezikuar rëndë për shkak të mungesës së inspektorëve veterinarë dhe mekanizmave të tjerë ligjor, të cilat nga MBPZHR nuk po trajtohen sipas seriozitetit që i takon. Gjatë vitit 2022, ishin shtuar disa inspektorë, por jo për kafshët shoqëruese apo edhe çështjen e qenve endacak por në përgjithësi për inspektime në AUVK. Në gjithë këto vite, në të gjitha projektet publike, që janë organizuar kryesisht pa i lajmëruar qytetarët dhe duke keqpërdorur paranë publike, dhe institucionet tona ende nuk caktojnë inspektorë të mjaftueshëm në mënyrë që çështja e qenve endacak të mos lihet anash nga institucionet përgjegjëse.

Duke pasur parasysh vizitat e shumta që duhet të kryejnë inspektorët, numri aktual i inspektorëve është tejet i pamjaftueshëm. Kjo ngarkesë e bën të pamundur që ata të zbatojnë në mënyrë efektive ligjet që janë ngarkuar të respektojnë, duke rezultuar në një barrë të padrejtë si për kafshët ashtu edhe për vetë shoqërinë. Është një fakt i njohur për më shumë se një dekadë që AUV ka mungesë të stafit për përgjegjësitë që ka. Ne i falenderojmë inspektorët e AUVK-së që në muajt e fundit janë munduar që të inspektojnë sa më shumë raste që i kemi raportuar edhe pse nganjëherë duke punuar jashtë agjendave dhe obligimeve të tyre kontraktuale (punë në vikend apo pushime). Ne e vlerësojmë shumë që Inspektoriati i AUVK-së dhe Drejtoria për Shëndetin dhe Mirëqenien e Kafshëve është më aktive dhe më e qasshme për rastet ku përfshihen edhe qentë me dhe pa mbajtës (pronar). Gjithsesi duhet të bëhet shumë më shumë nga të gjithë akterët e përfshirë, sidomos Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë, dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR).

I bëjmë thirrje urgjentisht MBPZHR që të prioritizojë këtë çështje dhe të rrisë numrin e inspektorëve veterinar në mënyrë eksponenciale. Pengesat burokratike ose kufizimet ligjore nuk duhet të shërbejnë si justifikim për mosveprim. Në vend të kësaj, ne e shohim si detyrë të Qeverisë që të ndryshojë dhe përmirësojë ligjet për të siguruar punën efikase të të gjitha institucioneve dhe zyrtarëve në Kosovë.

Sipas Ligjit aktual për Përkujdesjen ndaj Kafshëve, MBPZHR është përgjegjëse për hartimin e një udhëzimi administrativ (UA) që do të vendosë standardet për mbajtjen e kafshëve shoqëruese, përfshirë qentë. Ky UA do të shërbejë si një udhëzues konkret për të siguruar mirëqenie sa më të lartë të kafshëve. Megjithatë, deri më tani, nuk ka asnjë veprim në këtë drejtim dhe së fundmi kemi bërë kërkesë që ky UA të draftohet sa më parë.

Gjithashtu dëshirojmë të theksojmë se UA për mbarështuesit e kafshëve shoqëruese, i cili është dërguar nga AUV në MBPZHR për aprovim në shtator 2021, ende nuk është rishikuar apo miratuar. Edhe ky UA, është një komponent jetik në menaxhimin e popullsisë së qenve.

Është me rëndësi të theksohet se hapat e mësipërm janë të paraparë edhe në planin e veprimit të Strategjisë Kombëtare për Menaxhimin dhe Kontrollin e Qenve me dhe pa Pronar, të miratuar në tetor 2022.

Pavarësisht kësaj, zbatimi i Strategjisë Kombëtare ka stagnuar për shkak që ende nuk është ndarë buxhet nga Qeveria e Kosovës. Por, ndarja e buxhetit nuk është faktori i vetëm i suksesit në përmirësimin e kushteve të qenve. MBPZHR, si një nga institucionet kryesore në zbatimin e duhur të legjislacionit që ka të bëjë me menaxhimin e popullsisë së qenve, ka mundësi për të bërë ndryshime edhe brenda kufizimeve ekzistuese.

Ne kërkojmë nga MBPZHR që të shfrytëzojë autoritetin e saj për të rritur numrin e inspektorëve veterinar, të miratojë UA për mbarështuesit e kafshëve shoqëruese dhe të përshpejtojë hartimin dhe zbatimin e UA për rregullimin e mbajtjes së kafshëve shoqëruese.

Ne besojmë se këto veprime, tashmë të parapara në Strategjinë Kombëtare, janë jo vetëm të mundshme por të nevojshme për shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve dhe kafshëve shoqëruese në Kosovë.