Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Gjatë viteve të fundit, disa komuna kishin marrë vendim për ndalimin e përdorimit të fishekzjarrëve dhe mjeteve piroteknike gjatë festave të fundvitit. Megjithatë, këto vendime nuk gjeten zbatim në praktikë, pasi që për t’u ndaluar përdorimi i fishekzjarrëve dhe mjeteve piroteknike, duhet të ndalohet edhe shitja e tyre, përfshirë edhe prodhimin dhe importin e tyre.

Për t’u ndaluar përdorimi i fishekzjarreve dhe mjeteve tjera piroteknike, nuk mjaftojnë vetëm vendime simbolike nga komunat, por duhet angazhim edhe i nivelit qendror për të ndaluar shitjen e tyre.

Për këtë arsye, organizata jonë ka dërguar kërkesë zyrtare drejtuar ministrive përkatëse (MINT, MPB, ME, MMPHI) për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për të ndaluar prodhimin, importin, eksportin, magazinimin shitjen dhe përdorimin e të gjitha mjeteve piroteknike dhe fishkezjarrëve, nga personat fizik dhe juridik, dhe në masë të kontrolluar nga organet shtetërore, në të gjithë Republikën e Kosovës.

Përderisa vizualisht fishekzjarrët mund të duken bukur për sy, efektet negative të tyre, nuk mund të injorohen lehtë. Në fakt, këto efekte kanë ndikim negativ në shumë fusha, sa që ndalimi i përdorimit të tyre do të duhej të ishte një vendim i pritshëm me parime të qëndrueshmërisë mjedisore dhe shoqërore. Përdorimi i fishekzjarrëve apo edhe mjeteve të tjera piroteknike ndikon negativisht në disa sfera të jetës së njerëzve, të cilat përfshijnë ambientin, kafshët, shëndetin dhe sigurinë publike.

Prandaj, përmes kësaj komunikate publike, i bëjmë prapë thirrje institucioneve relevante të ndërmarrin veprimet e nevojshe për të ndaluar shitjen dhe përdorimin e fishekzjarrëve dhe mjeteve tjera piroteknike, posaçërisht gjatë festave të fundvitit.