Komuna e Prishtinës ka filluar punën në strehimoren publike të kryeqytetit, duke filluar me kapjen e qenve në rrugë dhe vendosjen në strehimore dhe sipas komunës, adoptimin e tyre.
Duke qenë se në Prishtinë me mijëra qen jetojnë në rrugë, kjo strehimore nuk do të mund të sigurojë strehim për numër të madh të qenve, prandaj është jashtëzakonisht me rëndësi që fokusi kryesor i punës së strehimores duhet të jetë promovimi i adoptimeve, dhe adoptimi i sa më shumë qenve, duke u siguruar që qentë përfundojnë me pronar të përgjegjshëm, që i respektojnë nevojat dhe liritë e kafshëve.
Përfshirja e komunitetit dhe transparenca në iniciativa të tilla janë thelbësore. Komuna duhet të bashkëpunojë me komunitetin, dhe të njoftojë qytetarët për çdo akcion të kapjes dhe trajtimit të qenve, duke përfshirë edhe vendin dhe kohën e kapjes së qenve, ashtu siç parashihet edhe me UA (MBPZHR) 02/2023 për Strehimoret. Shumë aktivistë dhe qytetarë kujdesen për numër të madh të qenve në kryeqytet, prandaj është tepër me rëndësi që këta qytetarë të informohen për aksionet e komunës.
Fatkeqësisht, deri më tani shumë qen të komunitetit të cilët kanë qenë të butë dhe kanë pasur përkujdesje nga qytetarë e aktivistë, janë marrë nga komuna, dhe për kohë shumë të shpejtë, sipas komunës ata qen veçse janë adoptuar. Është pak e çuditshme që qentë të mirren nga rruga dhe për më pak se 24 orë të adoptohen, dhe ne kërkojmë nga komuna që të jetë transparente dhe të ndajë me qytetarët procesin e adoptimit dhe kushtet e mbajtjes së këtyre qenve. Komuna duhet të koncentrohet në rastet urgjente që kanë nevojë për strehim (qentë e sëmurë, qentë që shkaktojnë sulme, qentë e lënduar) dhe të mendojë qasje strategjike për kapjen e qenve, që të mos rrezikojë sigurinë publike duke liruar territoret për tufa të qenve të panjohur që nuk janë të adaptuar me komunitetin.
Metoda KSVL (kap-sterilizo-vaksino-lësho) duhet gjithashtu të jetë aktive gjatë gjithë kohës, për qentë që jetojnë në rrugë dhe nuk mund të strehohen apo të gjindet adoptues për ta. Aktivistët janë dëshmitarë për lindje të vazhdueshme të këlyshëve në rrugë, prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kontrollohet riprodhimi i qenve në rrugë, dhe e metoda KSVL është mënyra më efektive për të arritur këtë qëllim. Jemi njoftuar që Komuna nuk ka projekt KSVL aktive dhe kjo do të bëjë që qentë në rrugë vazhdimisht të shumohen. Kemi kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të konsiderojë sa më pare nevojen për KSVL.
Në anën tjetër, është me rëndësi që komuna të fokusohet edhe tek qentë me pronar. Një mundësi do të ishte të ofronte kastrim/sterilizim pa pagesë për qentë me pronar, që janë burimi kryesor i shtimit të numrit të qenve në rrugë. Sipas hulumtimit të organizatës tonë në vitin 2022, më shumë se 50% e qenve me pronar në komunë të Prishtinës nuk janë të kastruar/sterilizuar, dhe gjysma e tyre lejohen të bredhin lirshëm në rrugë, duke kontribuar kështu në shtimin e numrit të qenve në rrugë.
Identifikimi me mikroçip dhe regjistrimi i qenve po ashtu është obligim i nivelit lokal, dhe ne presim nga komuna e Prishtinës (por edhe komunat tjera) iniciativa të I&R për qentë me pronar, për t’u siguruar që të gjithë qentë në Prishtinë (por edhe në komuna tjera) të jenë të regjistruar dhe evidentuar në regjistrin qendror të kafshëve.
Edukimi dhe informimi është një masë tjetër themelore e menaxhimit të popullsisë së qenve, prandaj iniciativat që targetojnë ngritjen e vetëdijes dhe informimin e publikut për mbajtje të përgjegjshme të qenve, duhet të implementohen paralelisht me çfarëdo mase tjetër që ka për qëllim redukimin e popullsisë së qenve në rrugë, në mënyrë humane dhe të qëndrueshme. Organizata jonë ka materiale informuese dhe vetdijësuese, dhe jemi të gatshëm që këto t’i ndajmë me komunën e Prishtinës dhe komunat tjera, në mënyrë që të ketë ngritje të vetëdijes shoqërore për mbajtje të përgjegjshme të qenve dhe trajtim human të tyre.
Çdo intervenim për menaxhim të popullsisë së qenve, duhet të shoqërohet edhe me mbledhjen e të dhënave në terren (numërimi i qenve, statusi i riprodhimit, niveli i mirëqenies etj). Organizata jonë ka kryer numërimin e qenve në Prishtinë 4 herë, dhe jemi të gatshëm të mbështesim përsëri komunën për mbledhje të këtyre të dhënave.
Sigurimi i mirëqenies së kafshëve, bashkëpunimi me komunitetin dhe transparenca, edukimi dhe informimi i komunitetit, promovimi i adoptimeve, përveç që janë rruga e vetme e duhur për të redukutar numrin e qenve në rrugë në mënyrë të qëndrueshme, janë edhe obligime ligjore që rrjedhin nga akte ligjore dhe nënligjore, dhe ne presim që secila strehimore apo qendër e trajtimit të kafshëve, të respektojë obligimet që i përcakton ligji.
Organizata jonë mbetet e përkushtuar të ndihmojë institucionet lokale dhe qendrore, në dizajnimin dhe implementimin e masave që kanë në fokus mirëqenien e kafshëve dhe shëndetin dhe sigurinë publike, në mënyrë humane dhe të qëndrueshme.
Në takimin që kishim me Drejtorin Bekim Brestovci, na është premtuar që masa a adoptimeve të bëhet transparente dhe të bashkëpunohet me aktivistë. Në javët në vijim do t’ju informojmë mbi detajet tjera që kanë dalur nga ai takim.