Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Që nga shpallja e tenderit për trajtim të qenve endacak në Komunën e Ferizaj, organizata jonë ka kontaktuar Drejtorin e Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajramin për të kërkuar çasje në monitorim të këtij projekti, kontrata e të cilit është nënshkruar më 22 mars 2021, në vlerë prej 89,960.00 €. Fituesi i kontratës është subjekti veterinar Ambulanca dhe Farmacia Veterinare “Goni”, me përfaqësues DVM Agron Pajaziti.

Edhe pse kemi dërguar shkresa zyrtare katër herë drejtuar komunës, z. Bajrami vazhdimisht e ka injoruar kërkesën tonë për monitorim, duke mos kthyer përgjigjje asnjëherë.

Kjo heshtje e zyrtarëve të komunës së Ferizaj, për ne si organizatë ngrit shumë dyshime. Pse komuna e Ferizaj nuk është e interesuar të jetë transparente për një projekt ku bëhet fjalë për trajtimin e qenve endacak, një çështje mjaft delikate, për të cilin është ndarë një shumë e konsiderueshme e parasë publike? Pse po i pengon komunës së Ferizaj që qytetarët të monitorojnë një projekt publik i cili po financohet me paratë e tyre?

Përveç kësaj, që nga shpallja e tenderit e deri tek nënshkrimi i kontratës, komuna e Ferizaj nuk e ka bërë as edhe një njoftim për t’i njoftuar qytetarët rreth implementimit të tij. Si është e mundur që një komunë financon projekt në vlerë aq të madhe financiare, e të mos i njoftojë fare qytetarët për këtë? Për këto (mos)veprime të komunës së Ferizaj, shtrohet pyetja: A është dhënë kjo kontratë vetëm për të pasuruar individë/subjekte të caktuara, apo ky projekt është iniciuar për të kontribuar në rritjen e sigurisë dhe shëndetit publik dhe mirëqenies së kafshëve?

Është shumë e rëndësishme që projektet e trajtimit të qenve endacak të bëhen në mënyrë profesionale dhe transparente, që të arrihet efekti i dëshiruar i zbatimit të një projekti të tillë.

Ekipi i organizatës tonë ka shkuar tek qendra e trajtimit të qenve në fshatin Lloshkobare të Komunës, por ekipi i z. Pajaziti nuk lejoi hyrjen brenda. Kjo nuk është hera e pare që veterinerët e këtij subjekti veterinar nuk tregohen transparent dhe bashkëpunues sepse edhe gjatë vitit 2018 dhe 2020 gjate projekteve shtetërore të trajtimit të qenve endacak, kanë penguar vizitat e organizatës tonë.

Duke e parë pasivitetin e Drejtorit në fjalë, ne po ashtu kemi bërë kërkesë për qasje në dokumenta publike, për të kërkuar raportet e monitorimeve të punës së deritanishme (nga menaxheri i kontratës/Komuna) në këtë projekt.

Autorizimi i një organizate të shoqërisë civile për projektet e këtij lloji, do të ishte ndihmesë shumë e madhe për institucione shtetërore dhe komunale për t’u siguruar që projektet e financuara nga paraja publike të arrijnë efektin e dëshiruar dhe taksat e qytetarëve nuk po keqmenaxhohen dhe nuk po abuzohet me paranë publike – sikurse ka ndodhur në disa raste në të kaluarën (2018-2020).

Për fund, edhe neni 120 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës thotë që shpenzimet publike dhe mbledhja e të hyrave publike duhet të bazohen në parimet e llogaridhënies, efektshmërisë, efikasitetit dhe transparencës.