Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Komuna e Mitrovicës ka ndarë 320,000 € për tenderin për trajtimin e qenve në rrugë me metodën KSVL, si dhe ofrimin e strehimit për rreth 100 qen endacak. Fitues i këtij tenderi është shpallur DMV Avni Kadriu dhe djali i tij Blendor Kadriu, pronarë të subjekteve të veçanta veterinare por në kuadër të të njëjtit konsorcium familjar. Strehimorja/qendra e tyre është e licencuar nga AVUK si strehimore për qen, të cilën e presim me padurim ta shohim, pasi është strehimorja e parë e licencuar nga AVUK pas hyrjes në fuqi të Udhëzimit Administrativ (UA) 02/2023 për strehimoret, të miratuar nga MBPZHR në maj 2023.

Sipas dispozitave të këtij UA, objektet e strehimit për t’u licencuar duhet të plotësojnë të gjitha kushtet e përcaktuara në UA, me theks të veçantë në fuqinë punëtore të mjaftueshme, të trajnuar për kujdesin dhe trajtimin e duhur të kafshëve.

Gjatë tenderimit të projektit, organizata jonë ka kërkuar takim dhe është takuar me z. Bahtir Maxhuni nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Komunë të Mitrovicës pasi. Gjatë këtij takimi, ne i kemi sygjeruar z. Maxhuni që në projekt të përfshihet edhe një fushatë ndërgjegjësuese për qytetarët dhe veçanërisht për mbajtësit/pronarët e qenve në Mitrovicë, për mbajtje të përgjegjshme të qenve, për të parandaluar shtimin e qenve në rrugë nga braktisjet e shumta. Është pozitive që Komuna e ka pranuar dhe e ka përfshirë këtë aspekt në kuadër të projektit. Vlen të theksohet se masa ndërgjegjësuese dhe shumë çështje tjera janë folur edhe gjatë punëtorisë së mbajtur me 2 mars 2023 për komunat për menaxhimin human dhe të qëndrueshëm të popullsisë së qenve, e cila është organizuar në bashkëpunim me Four Paws International dhe në të cilën Komuna e Mitrovicës kishte marrë pjesë.

Megjithatë, ne jemi mjaft të shqetësuar për çështjen e strehimit të kafshëve, pasi e dimë shumë mirë se ky aspekt mund të jetë shumë sfidues për Komunën, por jemi shpresojmë se me një qasje transparente dhe bashkëpunuese, menaxhimi i suksesshëm i qenve që kanë nevojë për strehim do të arrihet. Qentë që janë ambientuar për një kohë të gjatë me komunitetin dhe mjedisin e rrugës, veçanërisht ata që i janë nënshtruar kastrimit dhe sterilizimit në vitet e mëparshme  nga DMV Labinot Osmani në bashkëpunim me organizatën StrayCoCo, duhet të mbeten të paprekur dhe të pastrehuar përveç nëse është absolutisht i nevojshmëm strehimi.

Organizata jonë më 28 korrik është takuar përsëri me z. Maxhuni, i cili përsëri ka konfirmuar përkushtimin e komunës për bash˚këpunim me shoqërinë civile sa i përket menaxhimit të popullsisë së qenve. Në këtë takim ishte prezente edhe OJQ lokale SAPA, që vepron në Mitrovicën e Veriut.

Disa pika shumë të rëndësishme të takimit të përbashkët kishin të bëjnë edhe me Monitorimin dhe Vlerësimin e të gjithë projektit. Ne jemi të bindur se mekanizmat efektivë të mbikëqyrjes, të karakterizuara nga vizitat/inspektimet në terren, mbajtja e saktë e regjistrit të qenve që përmban të dhëna gjithëpërfshirëse demografike dhe mjekësore, dokumentacioni i procedurave të kapjes dhe trajtimit dhe përcaktimi i saktë i vendeve të kapjes dhe lëshimit, janë të domosdoshme për të siguruar shfrytëzim efektiv të parasë publike dhe ruajtje të mirëqenies së qenve të trajtuar.

Gjithashtu kemi theksuar rëndësinë e një takimi me operatorin ekonomik (veterinar) për t’u informuar rreth strategjisë së funksionimit të strehimores. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të organizohet një takim i përbashkët ndërmjet operatorit, komunës dhe organizatave të shoqërisë civile, në mënyrë që të jemi të informuar për punën e planifikuar të operatorit.

Organizata jonë rekomandon që fokusi kryesor i këtij projekti të jetë në masën KSVL, identifikimin & regjistrimin e qenve me mbajtës (pronar), si dhe në organizimin e fushatave ndërgjegjësuese për mbajtje të përgjegjshme të qenve. Çfarëdo përpjekje e mundshme për të promovuar adoptimin e qenve duhet të fillojë fillimisht me një grup modest prej 5-10 qensh, në vend të 100 qenve qysh në start. Shkalla e adoptimeve të qenve në vendin tonë ende mbetet në nivel shumë të ulët, prandaj është me rëndësi që çfarëdo iniciative për strehim të përcillet edhe me kampanja të promovimit të adoptimeve lokale.

Për më tepër, e kemi theksuar edhe rëndësinë e angazhimit të Komunës në identifikimin dhe regjitrimin të qenve me mbajtës (pronar) si dhe subvencionimin e kastrimit/sterilizimit të këtyre qenve, pasi burimi kryesor i qenve të rrugës vjen nga qentë me mbajtës (pronarë), që riprodhohen edhe pa dëshirën ose planifikimin e mbajtësve (pronarëve).

Vetëm duke zbatuar masa të tilla si Identifikimi dhe Regjistrimi, fushatat e vazhdueshme ndërgjegjësuese dhe programet e KSVL-së, në koordinim me një plan strategjik dhe mekanizma të fuqishëm të monitorimit dhe vlerësimit, Komuna e Mitrovicës (por edhe komunat tjera) do të mund të adresojë me efikasitet problemin e menaxhimit të popullsisë së qenve. Duhet të theksohet se menaxhimi i qenve, me apo pa pronarë, nuk rregullohet nga Udhëzimi Administrativ 02/2023 për strehimoret por përmes Strategjisë Kombëtare për menaxhimin e popullsisë së qenve. Fatkeqësisht, edhe zyrtarë nga AVUK dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e kanë përhapur këtë keqkuptim. UA për strehimoret përshkruan kushtet për kujdesin e qenve dhe protokollet e strehimit, por nuk siguron reduktimin e qenve të rrugës ose përmirësimin e problemit. Reduktimi i qenve në rrugë kërkon zbatimin e njëkohshëm të më shumë masave, siç theksohet në Strategjinë Kombëtare dhe Planin e Veprimit.

Organizata jonë u bën thirrje të gjithë qytetarëve në Mitrovicë që të monitorojnë situatën me trajtimin e qenve endacak, duke raportuar çdo parregullsi që hasin. Është detyrë e të gjithë komunitetit që të angazhohet për të siguruar efektivitetin e projekteve publike dhe shpenzimin efikas të fondeve publike.

Për më tepër, ne i bëjmë thirrje Komunës së Mitrovicës që të mbikëqyrë me kujdes funksionimin e qendrës/strehimores, duke siguruar respektimin obligimeve lligjore që mbështesin trajtimin dinjitoz dhe human të qenve.

Falenderojmë z. Bahtir Maxhunin për qasjen dhe bashkëpunimin e hapur deri më tani.