Komuna e Prishtinës, përmes procedurave të prokurimit, ka përzgjedhur dy operatorë ekonomik për dy lote shtesë për projektin e KSVL-së në Prishtinë, në vlerë prej 100,000 Euro.
Sipas platformës e-prokurimi, fitues janë subjekti “Goni” nga Ferizaj, dhe Qendra për Trajtimin e Kafshëve (QTK).
Operatori Ekonomik “Goni”, në Ferizaj ka bërë punë jashtëzakonisht të dyshimtë, ku qindra qen janë zhdukur nga qyteti, ndërsa subjekti veterinar është paguar nga komuna për shërbime të KSVL-rreth 90,000 Euro vetëm në vitin 2021. Për këtë punë të dyshimtë, ky subjekt veterinar është raportuar në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, dhe sipas informatave të Prokurorisë, rasti është ende duke u hetuar.
Operatori ekonomik “Qendra për Trajtimin e Kafshëve”, rishtazi ka patur një rast ku ka vrarë një qen me pronar në Novobërdë, pasi që ka marrë qenin kinse për trajtim. Ky rast është raportuar tek komuna e Prishtinës, e cila deri më tani nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të kërkuar përgjegjësi nga operatori ekonomik.
Komuna e Prishtinës, ka qenë e njoftuar për punën dyshuese të këtyre operatorëve ekonomik, dhe megjithatë prapë i ka kontraktuar, duke u arsyetuar se janë përzgjedhur në bazë të kriterit “çmimi më i lirë”, por pa kërkuar sqarime nga operatorët ekonomik për t’i arsyetuar ofertat e tyre. Si ka mundësi që një subjekt veterinar nga Ferizaji, që gjendet me lokacion shumë më larg se subjektet tjera veterinare, që nuk e njeh rajonin e Prishtinës, të trajtojë qen në Prishtinë, dukshëm më lirë se subjektet tjera, dhe në fund edhe të ketë profit nga ky projekt? Ligji për Prokurimin Publik, parasheh edhe rastet kur ofertat për projekt janë jo-normalisht të ulëta. Si mund të sigurojë komuna që do të ketë trajtim human të qenve nga ky operator ekonomik i cili edhe në komunën ku është i regjistruar nuk bën punë të mirëfilltë?
Pra, komuna e Prishtinës, në vend se të angazhohet dhe të mos tolerojë as edhe neglizhencën më të vogël në këtë projekt (dhe projektet tjera), i shpërblen me 100.000 Euro dy operatorë ekonomik që bëjnë punë të dyshimtë.
Për ne si organizatë, kjo zgjedhje nga komuna e Prishtinës nuk është e rastësishme, duke marrë parasysh edhe deklarimet e zyrtarëve të komunës të cilët bëjnë thirrje dhe promovojnë ndryshime ligjore që i hapin rrugë eutanazisë masive.
Përkundër iniciativave fillestare për zgjedhje të qëndrueshme për situatën me qentë në rrugë, komuna e Prishtinës si duket është dorëzuar dhe po planifikon t’i qaset këtij problemi me metoda dyshuese, ku qentë do të zhduken dhe vriten, kurse këto veprime do të paguhen me fonde publike, në emër të kastrimit dhe sterilizimit.
Ne e kuptojmë që komuna ka përgjegjësi të mendojë për sigurinë dhe shëndetin publik, por kjo asesi nuk e arsyeton shpenzimin joefektiv të parasë publike, duke kontraktuar subjekte të cilat njihen për punë jotransparente dhe joetike. Në këtë mënyrë, paraja publike do të vazhdojë të shpenzohet, e problemi me qentë në rrugë do të mbetet i njejtë.
Për më tepër, ka disa muaj që kërkojmë nga komuna raportet e qenve të trajtuar deri më tani me projektin e KSVL-së, si dhe kemi kërkuar edhe planin e ndërtimit të qendrës për trajtim të përkohshëm, por deri më tani, komuna nuk na ka ofruar qasje në këto dokumente, edhe pse kemi memorandum bashkëpunimi, ku parashihet edhe ofrimi i dokumenteve publike që lidhen me trajtimin e kafshëve dhe mirëqenien e tyre.
Ne kemi provuar të jemi mirëkuptues me komunën, duke marrë parasysh punët e shumta të zyrtarëve, por zhvillimet e fundit na bëjnë të kuptojmë që komuna e Prishtinës nuk është e interesuar për zgjidhje të qëndrushme, por dëshiron që sa më shpejtë të largojë qentë nga rruga, edhe përmes metodave johumane dhe veterinerëve joetik dhe joprofesional.
Gjithsesi që organizata jonë do të rishikojë bashkëpunimin me komunën e Prishtinës, pasi që nuk pranojmë të bëhemi pjesë e punëve ku kontraktohen veterinerë që kanë tendencë zhdukjen e qenve të rrugës dhe profitin personal të tyre.
Për më tepër, do të kërkojmë llogari nga komuna e Prishtinës si autoritet kontraktues, për secilin cent të shpenzuar për trajtim të qenve, dhe kudo që hasim në parregullsi, do të përdorim të gjitha masat ligjore që zyrtarët përgjegjës të japin llogari sipas dispozitave ligjore në fuqi.
Ne ju bëjmë thirrje të gjithë aktivistëve dhe qytetarëve të jenë të vëmendshëm për qentë në lagjet e tyre, dhe të kërkojnë llogaridhënie nga komuna për secilin qen që e vërejnë që mungon nëpër lagjet e tyre dhe që dyshohet për punë joetike.