Angazhimi i komunitetit është jashtëzakonisht i rëndësishëm në parandalimin e incidenteve në mes të qenve dhe njerëzve. Pa një empati dhe kujdes të njerëzve për qentë e komunitetit, nuk mund të presim ngritje të mirëqenies së kafshëve dhe as përmirësim të raporteve njeri-kafshë.
Në lagjen e paraqitur në foto, në Gjilan, disa banorë tash e disa kohë po tentojnë të largojnë një qenushe me këlyshë, me arsyetimin e vetëm se po “bezdisen” nga qentë. Njëra nga aktivistet e zellshme në Gjilan, Bona Ferati, ka tentuar që t’ia gjej një vend tjetër nënës me këlysh, por nëna me këlysh është kthyer tek lagjja e vjetër sepse aty është mësuar të qëndrojë.
Është shumë dëshpëruese të dëgjojmë që ka qytetarë të cilët në vend se të përkujdesen për qentë e lagjes, mundohen të bëjnë çmos që t’i largojnë qentë edhe nga ai vend i vogël ku kanë gjetur strehim për të lindur dhe rritur këlyshët. E çfarë faji ka qenushja e gjorë, e cila jeton në rrugë, dhe e cila është detyruar të lindë këlyshët midis rreziqeve të shumta që paraqet jeta në rrugë?
Organizata jonë ka qenë në diskutime të vazhdueshme me Policinë e Gjilanit dhe ka lutur zyrtarët policer të intervenojnë në rast se qenushja dhe këlyshët largohen apo zhduken nga banorët e lagjës dhe zyrtarët policor ishin tek vendi i ngjarjes së bashku me Bonën, aktivisten.
Sikur të mos mjaftonte ky mllef i pashpjegueshëm i disa banorëve, ata kanë organizuar edhe peticion për largim të qenit. Ne këta banorë i pyesim: Ku të dërgohet qeni me këlyshët e saj? A janë të gatshëm po këta banorë të mbulojnë kostot e strehimit, në qoftë se eventualisht gjindet strehim?
Në vend se të tregojmë përkujdesje edhe më të madhe për qentë në këto ditë të ftohta dimri, po e shohim që disa njerëz angazhohen që qenve të rrugës t’iu vështirësojnë jetën edhe më tej.
Përkudesja për qentë e rrugës, nuk kërkon shumë angazhim, nëse secili banor i komunitetit ndihmon nga pak. Gati nëpër secilën shtëpi, vazhdimisht hudhen mbetje të ushqimit, të cilat do të mund të ushqenin qentë e rrugës. Kjo do të ndikonte edhe në uljen e mundësisë për sulme të qenve, pasi që qentë të cilët kanë përkujdesje, nuk paraqesin rrezik për komunitetin.
Qytetarët duhet ta kuptojnë që sjellja e qenve ndaj njerëzve është pasojë direkte e sjelljes së njerëzve ndaj qenve, prandaj çfarëdo mungese e empatisë dhe çfarëdo keqtrajtimi ndaj kafshëve, do të ndikojë për të keq në raportet njeri-kafshë.
Patjetër që institucionet duhet të angazhohen shumë seriozisht për të përmbushur obligimet ligjore për menaxhimin e popullsisë së qenve, mirëpo edhe komuniteti është tepër i rëndësishëm në këtë aspekt. Ne kemi marrë informatë nga Komuna e Gjilanit që së shpejti do të kontraktojnë veterinerë për trajtimin KSVL por gjithsesi do të kërkojmë autorizim të plotë për monitorimin e plotë të punës KSVL në atë komunë dhe në të gjitha komunat e tjera, ngaqë puna jo profesionale dhe abuzuese është parë në të kaluarën në shumë komuna.
Nëse nuk mund t’i ndihmoni qentë, së paku mos i keqtrajtoni!