Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Video më poshtë është një shembull i duhur i pasojave të mungesës së fushatave informuese në lidhje me sjelljet e qenve dhe natyrën e tyre në përgjithësi.

Ajo që në video dhe artikull po paraqitet si “tentim për sulm”, nga gjuha e trupit të qenve shihet qartë që nuk është asgjë më shumë se dëshirë për lojë dhe vëmendje nga qentë.

Personat në video, në mungesë të njohurive për sjelljet dhe natyrën e qenve, fillojnë të shkaktojnë panik dhe të frikësohen. Veprime të tilla në këtë situatë janë të panevojshme dhe mund të qojnë në përshkallëzim të situatës që mund edhe të përfundojë në sulm. Krejt kjo për shkak të mungesës së informatave, pasi që institucionet e vendit asnjëherë nuk kanë realizuar fushata vetdijësuese për t’i informuar qytetarët për sjelljet e qenve dhe për të hequr një frikë të paarsyeshme në shumicën e rasteve.

Përderisa vazhdon të injorohet pjesa e sjelljes së njerëzve si pjesa më e rëndësishme e dinamikës së popullsisë së qenve, situata me qentë në rrugë do të vazhdojë të mbetet e njejtë, pasi që kjo situate është pasojë direkte e sjelljes së njerëzve për shkak të braktisjeve të vazhdueshme të qenve në rrugë, mbarështimit të pakontrolluar, përdorimit të qenve për luftëra me qen të tjerë, keqtrajtimit dhe frikësimit të kafshëve në rrugë etj.

Me informim të duhur të qytetarëve, shumë situata të pakëndshme ose të rrezikshme do të mund të evitoheshin. Institucionet e vendit duhet patjetër të angazhohen urgjentisht në fillimin e fushatave informuese, të cilat patjetër që do të çonin në zvogëlim të incidenteve për shkak të mungesës së informimit.

Shpresojmë që strategjia kombëtare për menaxhimin e popullsisë së qenve me dhe pa pronar të aprovohet sa më shpejtë nga Qeveria e Kosovës dhe të fillohet sa më shpejtë edhe me masën e edukimit dhe informimit në lidhje me popullsinë e qenve.