Luani Gjoni po vazhdon jetën e tij, nën përkujdesjen e mrekullueshme të stafit të PYLLI I ARINJVE Prishtina.
Megjithatë, PYLLI I ARINJVE vazhdon të mbetet një shtëpi e përkohshme për Gjonin, i cili ka vite që pret transferimin në Afrikë të Jugut, në njërën nga qendrat e shpëtimit të FOUR PAWS.
Gjoni mbetet peng i procedurave politike, përkatësisht konventës ndërkombëtare CITES, të cilën Kosova ende nuk e ka ratifikuar. Pa ratifikim të kësaj konvente, Kosova nuk mund të eksportojë kafshë të egra të mbrojtura në vendet tjera të cilat janë anëtare të CITES.
Fatkeqësisht Gjoni nuk është kafsha e vetme e egër e kontrabanduar në Kosovë dhe që mbahet në kushte jo adekuate në izolim, dhe institucionet e vendit nuk kanë asnjë iniciativë por as mundësi t’i konfiskojnë këto kafshë, për shkak të mungesës së infrastrukturës për mbajtjen e tyre, por edhe për shkak të pamundësisë për të bashkëpunuar me organizata ndërkombëtare për transferimin e tyre në vende tjera.
Duke pasur parasysh kërkesat ligjore në Kosovë për ratifikim të një konvente ndërkombëtare, duhet mobilizim i madh politik, dhe presim nga Ministria e Mjedisit, por edhe institucionet tjera dhe komisionet relevante parlamentare, që të iniciojnë sa më shpejtë ratifikimin e konventës CITES!