Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Ka kohë që kemi pranuar ankesa nga qytetarët, por edhe nga vet komunat, që numri i qenve në territore (komuna) të caktuara po rritet për shkak të prurjeve të qëllimshe (braktisjeve) të tufave të qenve nga territore (komuna) tjera.

Ndërsa organizata jonë ende nuk ka pranuar prova konkrete për këtë fenomen, këto raportime gjithsesi duhet të mirren seriozisht nga institucionet e vendit, përfshirë edhe Policinë e Kosovës.

Organizata jonë i bën thirrje secilit që ka informata dhe prova për veprimtari të tillë, të na informojë përmes email adresës info@animalrights-rks.org. I lusim të gjithë qytetarët të jenë të vëmendshëm në këto fenomene dhe të raportojnë, pasi që është shumë e rëndësishme për menaxhimin e qenve endacak.

Ndërrimi i territorit të qenve apo tufave të qenve, paraqet shqetësim për vet kafshët e braktisura në një territor të panjohur për ta, rrezikon kafshët tjera endacake pasi që qentë e braktisur hynë në territoret e tyre dhe gjithashtu mund të rrezikojë edhe vet qytetarët pasi që qentë e braktisur nuk njohin lagjen dhe as komunitetin ku janë lëshuar/braktisur.

Qentë e lëshuar në territor të panjohur për ta, do të ndihen të stresuar dhe të frikësuar, dhe kjo rritë mundësitë për incidente, duke rrezikuar sigurinë publike, e që sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës përbën vepër penale.

Organizata jonë do t’i drejtohet Policisë së Kosovës me kërkesë për patrullim të shtuar në zonat ku dyshohet të ketë braktisje të vazhdueshme të tufave të qenve.

I bëjmë thirrje strehimoreve, sidomos atyre që veprojnë në komunë të Prishtinës, që mos t’i braktisin qentë nga strehimoret e tyre nëse qentë që kanë strehuar janë marrë në komunat tjera dhe kanë qëndruar në strehimore për një periudhë më të gjatë kohore. Qentë që mbahen në strehimore duhet të fasilitohen për adoptim dhe nëse kjo gjë është e pamundur, qentë duhet të mjekohen në vendin ku gjinden për të mos stërmbushur strehimoret, sepse braktisja e qenve që janë mësuar të jetojnë vetëm në strehimore, është krim ndaj shëndetit, sigurisë dhe mirëqenies së qenve.

RAPORTONI BRAKTISJET! JANË TË DENUESHME ME LIGJ!

VIDEO