Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Qysh prej raportimeve të para për këtë rast, organizata jonë ka ndërmarrë veprimet ligjore për t’i bërë zgjidhje luanit të kontrabanduar ilegalisht në Kosovë.

Kemi marrë informata zyrtare, për krijim të një grupi punues për të shqyrtuar këtë rast, i përbërë nga Ministria e Ambientit, zyrtarë të AUVK-së dhe “Bear Sanctuary – Pylli i Arinjve” – si përfaqësues të organizatës “Four Paws” në Kosovë.
Pas kallëzimit penal të ngritur nga organizata jonë, nga organet kompetente është vendosur masë e përkohshme për konfiskim të luanit. Institucionet tona, në mungesë të infrastrukturës dhe vullnetit për të bërë zgjidhje sa më shpejtë për këtë qështje, luanin e konfiskuar e kanë lënë tek kontrabanduesi, për të vazhduar me përdorim të luanit për qëllime komerciale.
Prokuroria themelore në Gjilan, e ka kryer punën e vet me shumë profesionalizëm, për të cilën i falenderojmë. Pas ngritjes së kallëzimit penal nga Prokuroria Themelore në Gjilan, janë urdhëruar organet përkatëse ta konfiskojnë luanin. Kjo, deri më tani, ende nuk ka ndodhur.
Transporti i kafshëve të egra si luani, është i rregulluar me konventën CITES, të cilën Kosova nuk e ka ratifikuar (me aq informata sa kemi tani). Pra, thuhet se pa ratifikimin e kësaj konvente është e pamundur që luani të transportohet direkt nga Kosova në ndonjë vend tjetër. Sidoqoftë, disa organizata të tjera ndërkombëtare, nuk mendojnë se konventa do duhej të ishte problem. Do të analizojmë këtë gjë më mirë.Ne jemi në dijeni se organizata botërore Four Paws do të merret me luanin në fjalë, për të dërguar luanin në një nga qendrat në Europë ku do të kishte trajtim të dinjitetshëm.

Në anën tjetër, sipas udhëzimeve të komisionit në fjalë, është dashur të bëhen vizita të rregullta tek luani, për të vlerësuar gjendjen e tij shëndetësore. Kjo gjë ishte dashur të behej nga AUVK. Nol Kabashi ishte zyrtari përgjegjës, pjesë e komisionit të Ministrisë së Ambientit. Por ky i fundit, për gjithë këta muaj, asnjë vizitë nuk e ka bërë e luani bërtet si i çmendur nga lloj lloj problemi që mund të ketë. Edhe pse, duhet të theksohet se në Kosovë nuk ka njerëz të kualifikuar për të dhënë ekspertiza profesionale për shëndetin e kafsheve te egra apo ekzotike (luanit), andaj angazhimi i ekspertëve nga ana e Four Paws në Kosovë do duhej të ishte primare.

Është shumë shqetësues mungesa e vullnetit të zyrtarëve të shtetit për të ndaluar mbajtjen ilegale dhe mizore të një kafshe, duke injoruar mirëqenien e kafshës dhe duke mos i përfillur urdhërat e organeve të rendit.
Bertimat e luanit jane thirrje per te gjithe ne, te mobilizohemi dhe ta ngrisim zërin edhe më fuqishëm për kafshët e egra në përgjithësi, por edhe për luanin e shkretë që injorohet nga të gjithë.