Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Në vitin 2021, organizata jonë ka bërë kërkesë në Qeveri që të konsiderohet draftimi dhe aprovimi i një dokumenti të rëndësishëm që situata me qen endacak të trajtohet në mënyrë serioze dhe të qëndrueshme nga institucionet e vendit, pasi që Kosova (dhe as Komunat) nuk kishin asnjë plan apo know-how se si t’i qasen gjendjes me qen endacak. Edhe pse ka pasur dhe ka disa dispozita ligjore që kanë vënë obligime dhe autorizime të ndryshme për institucionet, në mënyrë që të trajtojnë situatën me qen endacak, këto të fundit ndërmerrnin projekte jo të menduara mirë, jo të qëndrueshme dhe pa monitoruar dhe vlerësuar projektet që ndërmirrëshin. Projektet që ndërmirreshin nuk kishin të bënin me trajtimin e burimit të problemit por kryesisht kishin të bënin me kastrim/sterilizim dhe nëse disa Komuna dhe veterinerë ishin etik sa duhet, lironin qentë në vendin ku janë kapur ashtu siç theksohej qysh nga viti 2017 me legjislacionin në fuqi (në atë kohë UA për Qendrat për Trajtimin e Përkohshëm që kryesisht rregullonte metoden KSVL – Kap, sterilizo, vaksino, lësho).

Pas një pune të gjatë nga organizata jonë dhe duke kërkuar nga Komunat kontratat e dhëna për trajtimin e çështjes së qenve endacak, dhe duke parë që shteti i Kosovës kishte dhënë më shumë se 70 kontrata nga viti 2009-2022 në gjithë Kosovën kryesisht për KSVL, por që kishte edhe kontrata për vrasje të tyre (përmes shoqatave të gjahtarëve) strehim, vaksinim, identifikim, për të cilat ishin shpenzuar rreth 4 milion euro të tatim paguesve, ne kemi pare si të domosdoshme që institcionet e vendit të ulën së bashku dhe të dakordohen mbi linjat bazë të punës së tyre që trajtimi i qenve endacak të bëhet në mënyrë sa më të strukturuar dhe të organizuar dhe jo duke bërë punë copë-copë, pa rezultate dhe pa qenë transparentë me publikun. Ishte e domosdoshme që Kosova të ketë një qasje të punës dhe të koordinojë komunat mes veti (në bazë të dinamikave specifike të komunave të tyre të popullsisë së qenve) që të vihen themelet e para të një sistemi të qëndrueshëm, human dhe efektiv për menaxhimin dhe kontrollin e popullsisë së qenve.

Me date 25 janar 2022, Zyra e Kryeministrit ka thirrur një takim për çështjen e qenve endacak ku ka ftuar në takim të gjtihë akterët e përfshirë dhe relevant për kontrollin e popullsisë së qenve. Të gjitha institucionet kanë dhënë premtime që do të angazhohen në maksimum në vitet në vijim për këtë çështje. Në vitin 2022 është formuar grupi punues zyrtar nga MAPL – Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që të fillohet me draftimin e Strategjisë Kombëtare si dokument udhërrëfyes për institucionet nga viti 2023-2028, kurse në tetor të vitit 2022 është aprovuar Strategjia Kombëtare për Menaxhimin e Popullsisë së qenve dhe ende sot shumë nga masat e strategjisë mbesin ende të pazbatuara. Përkundër që shumica e kompetenca me ligj ju takon komunave, edhe në përgjegjësitë e nivelit qendror ka ngecje sa i përket kësaj tematike:

1. Organizimi i punëtorive me komuna dhe vlerësimi (mbledhja e të dhënave) i gjendjes në terren

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) duhet të organizojnë punëtori me komuna (në nivele rajonale për t’i koordinuar komunat mes vete), për t’i njoftuar dhe ngritur kapacitetet e komunave për të mbledhur të dhëna rreth popullsisë së qenve në territoret e tyre, dhe në bazë të këtyre të dhënave, të ndihmojë komunat në krijimin e Planeve Lokale për Menaxhimin e popullsisë së qenve (PLMPQ), pasi që shumë komuna vetëm alokojnë buxhet për KSVL, pa pasur ndonjë plan specifik se çfarë duhet të arrihet me projektet që ndërmarrin dhe pa planifikuar punë për të trajtuar problemin nga burimi i tij. Nëse Komunat investojnë vetëm për të menaxhuar situata aktuale (edhe atë jo siç duhet) pa u marrë me vetdijësim, regjistrim dhe identifikim të qenve me mbajtes/pronar, pa koordinim me Policinë për të parandaluar braktisjet dhe pa programe mbështetëse për mbajtje të përgjeshme të qenve, nuk do të ketë situatë të përmirësuar por vetëm projekte që trajtojnë simptomat e problemit.

2. Avancimi i kornizës ligjore

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ende nuk ka njoftuar për fillimin e procedurave për Udhëzimet Administrative (UA) për Mbajtje të Përgjegjshme të Qenve dhe UA për kontrollin dhe mbarështimin e shitjes së kafshëve shoqëruese. Pa këto dy UA, është e pamundur të kontrollohet burimi kryesor i problemit: qentë me mbajtes/pronar.

Përkundër shumë kërkesave të drejtuara në MBPZHR nga organizata jonë, ende nuk kemi marrë përgjegjje, dhe i bëjmë thirrje MBPZHR që të fillojë me procedurat për draftimin e dy UA, të cilat janë përgjegjësi e MBPZHR, dhe presim që Ministria të përmbushë premtimet për bashkëpunim në këtë drejtim, ashtu siç ka premtuar z. Peci në takimin e organizuar nga Zyra e Kryeministrit më datë 25 janar 2022.

Sa I përket kësaj pike, organizata jonë ka qenë aktor kyç në draftimin e UA-së për Identifikimin dhe Regjistrimin e Kafshëve Shoqëruese ku është bërë obligim për mbajtësit që t’i regjistrojnë qentë e tyre siç kërkohet nga BE për një kontroll më të mirë të qenve dhe maceve. Ky UA është aprovuar në Mars 2021 nga Ministri I atëhershëm Besart Mustafa. Së bashku dhe me AUVK po ashtu është draftuar UA për mbarështimin dhe shitjen e kafshëve shoqëruese e cila është dorëzuar nga AUVK në Shtator 2021 që MBPZHR të fillojë me shqyrtimin e UA-së dhe aprovimin e tij.

Organizata jonë po ashtu ka punuar që të draftohet edhe UA për mbajtjen e përgjegjshme të kafshëve shoqëruese dhe e cila do t’i dorëzohet së shpjeti MBPZHR-së. Ne jemi të gatshëm t’i mbështesim institucionet tona me ekspertizën tonë por gjithsesi që vullneti kryesor qëndron tek MBPZHR. Çështja e qenve endacak duhet të jetë prioritet për MBPZHR-në.

3. Kontrolli i qenve me pronar dhe kontrolli i mbarështimit dhe shitjes

AUV është përgjegjëse për kontrollin e qenve me pronar, dhe duhet të angazhohen vazhdimisht për kontrolle të këtyre qenve, për të ndëshkuar personat për keqmbajtje dhe braktisje, dhe personat që nuk i regjistrojnë qentë ashtu siç kërkohet me legjislacionin në fuqi.

Në anën tjetër, meqenëse nuk ka ende bazë ligjore, AUV po ashtu nuk ka plane për kontrollin e mbarështimit dhe shitjes së qenve, por edhe importit të tyre, që është një nga masat esenciale për zvogëlimin e numrit të qenve në rrugë. Organizata jonë do të angazhohet që të bëhen inspektime më shumë dhe ta mbështesë AUVK-në me aq sa e mundshme që të inspektohet më shumë dhe të bashkëpunohet me Policinë që braktisjet e qenve të ndëshkohen.

4. Mbështetja financiare për komunat

Shumë komuna në Kosovë ende nuk kanë asnjë projekt aktiv për menaxhimin e popullsisë së qenve, kryesisht për shkak të fondeve të pamjaftueshme dhe mungesës së know-how për të menaxhuar popullsinë e qenve. Ministritë përkatëse nga niveli qendror duhet të punojnë me komunat, për t’i mbështetur edhe me mjete financare për zbatimin e masave të strategjisë, sepse pa punë paralele nga të gjitha komunat, nuk mund të ketë punë efektive në reduktimin afatgjatë të numrit të qenve në rrugë.

5. Infrastruktura e strehimit

Shumë institucione shfaqin tendencë (jo të hapur) në përdorimin e strehimit të qenve si masë e vetme e menaxhimit të popullsisë së tyre pasi që është një “aktivitet” që mund të shfaqet si zgjidhje heroike për qytetarët dhe sjellë vota. Strategjia Kombëtare nuk ka fokusin kryesor në strehim (edhe pse është masë e paraparë), pasi është dëshmuar vazhdimisht edhe në vendet tjera fqinje si çasje e dështuar që shpenzon kot paranë publike dhe dëmton mirëqenien e qenve pa zgjidhje të qëndrueshme për të adresuar shtimin dhe shumimin e qenve endacak. Për të lëxuar më shumë mbi këtë pikë, ju ftojmë të vizitoni linkun: https://www.animalrights-rks.org/wp-content/uploads/2023/05/2.7-Strehimi-i-mirefillte-i-kafsheve_A5.pdf

Gjithsesi që infrastruktura e strehimit duhet të ekzistojë, nëpërmjet qendrave me kapacitet të vogël të strehimit të qenve përkohësisht deri në adoptimin e tyre që të bëhet punë kraduale ku mirëqenia e kafshëve nuk cenohet për shkak të mungesës së kapaciteteve njerëzore dhe financiare të komunave.

Strehimi i përkohshëm i qenve duhet të shoqërohet patjetër me masat e tjera si KSVL (kap, sterilizo, vaksino, lësho), kontrolli i qenve me pronar dhe kontrolli i mbarështimit dhe shitjes, edukimi për mbajtje të përgjegjshme të kafshëve dhe promovimi i adoptimeve.

Fatkeqësisht edhe pse kanë kaluar më shumë se 1 vit që nga aprovimi i strategjisë, komunat mbesin ende të vetme dhe mjaft të hutuara në zbatimin e masave për menaxhimin e popullsisë së qenve, që po rezulton me shpenzim të fondeve dhe mosndryshim të situatës në terren.

Niveli qëndror deri më tani nuk ka qenë aq aktiv sa kemi pritur, në kryerjen e detyrave të deleguara nga Strategjia Kombëtare, dhe presim që tê gjithë të angazhohen shumë më aktivisht, për t’i udhëzuar dhe ndihmuar komunat në menaxhimin efektiv dhe human të popullsisë së qenve.

Deri më tani, 18 masa nuk janë duke u zbatuar, 8 masa janë në proces e sipër (planifikim dhe realizim të pjesshëm) dhe 5 masa janë zbatuar dhe ende po vazhdojnë.

Masat që janë në realizim apo të realizuara nga institucionet:

1.1 Themelimi i task forcës në nivel qendror, lokal/ndërkomunal
1.1.1 Njoftimi i akterëve relevant për themelimin e task forcës

Disa takime janë mbajtur dhe ky proces është ende në vazhdim e sipër.

2.2 Identifikimi dhe regjistrimi i kafshëve shoqëruese:
2.2.1 Janë siguruar 18,700 mikroçipa për qentë me pronar
2.2.2 Lidhja e kontratave me subjektet veterinare për I&R e kafshëve shoqëruese.
2.2.3 Janë siguruar 200 lexues për mikroçip dhe është krijuar baza e të dhënave.

Në bazë të projektit të BE-së “Support to establishing disease surveillance and control programs and alignment with Chapter 12 of the acquis” janë dhuruar për AUVK mikroçipat dhe lexuesit që AUVK të realizojë Identifikimin & Regjistrimin e qenve falas për 1 vit. AUVK ka bërë kontraktimin e veterinerëve (me një vonesë të gjatë në punë dhe me mbështetje të Zyrës së Kryeministrit) që një projekt të ofrohet falas për qentë me mbajtes/pronar. Në këtë projekt është ofruar edhe një numër shumë i vogël i kastrimit/sterilizimit të qenve me mbajtes/pronar për të motivuar kastrimin/sterilizimin e qenve që të mos të riprodhohen në rrugë me qentë tjerë. Ky projekt ka përfunduar dhe sipas UA-së për Identifikim & Regjistrim, të gjithë mbajtesit e qenve duhet t’i regjistrojnë qentë dhe macet e tyre.

4.2 Mbështetja në trajtimin e qenve
4.2.3. Kapja, kastrimi/sterelizimi, vaksinimi dhe lëshimi
4.2.5. Eutanazia e qenve të sëmurë dhe agresivë (kjo bëhet në kuadër të projekteve KSVL, jo me ndonjë projekt të veçantë)

Projektet KSVL implementohen nga Komunat më poshtë:

i. Komuna e Prishtinës (Operatori Ekonomik, QTK, veterinerët Uran Rexhepi, Hasan Limani, Hyzri Ymeri edhe pse veterinari kryesor ishte Taulant Kastrati)
ii. Komuna e Mitrovicës (Operatori Ekonomik “Grup i O. E. A. V. Veterinaria; BLENDOR KADRIU B.I. Lushtë, Mitrovica me veterinar Avni Kadriu)
iii. Komuna e Lipjanit (Operatori Ekonomik “Ambulanta Veterinare PASSION PET SH.P.K.; Faredin Mujaj B.I.)
iv. Komuna e Fushë Kosovës (Operatori Ekonomik “Kida Farm & Vet” me veterinar Qendrim Kida)
v. Komuna e Drenasit në bashkëpunim me organizatën “StrayCoCo” (Operatori Ekonomik City Vet Pet me veterinar Shaban Mehmeti)
vi. Komuna e Skenderaj në bashkëpunim me organizatën “StrayCoCo” (Operator Ekonomik “MitroVet” me veterinar Labinot Osmani)
vii. Komuna e Rahovecit (Operatori Ekonomik “Bujar Mustafa B.I” me veterinar Bujar Mustafa)
viii. Komuna e Gjilanit (Operatori Ekonomik “Monuni” me veterinar Mehmet Maliqi)
ix. Komuna e Kamenicës (Operatori Ekonomik “Monuni” me veterinar Mehmet Maliqi)
x. Komuna Ferizaj (Operatori Ekonomik “AV Goni” me veterinerë Agron Pajaziti dhe Mexhid Haxhimusa)
xi. Komuna e Klinës (Operatori Ekonomik “O.E Ambulanca veterinare sh.p.k” me veterinar Driton Morina
xii. Komuna e Istogut (Operatori Ekonomik “Haki Bytyqi B.I” me veterinar Haki Bytyqi)
xiii. Komuna e Obiliqit (Operator Ekonomik “Uran Rexhepi B.I.” me veterinar Uran Rexhepi dhe Ajet Haliti)
xiv. Komuna e Prizrenit (Operatori Ekonomik “Fidan Krasniqi B.I SHPK” me veterinar Fidan Krasniqi)
xv. Komuna e Podujevës (Operatori Ekonomik “Nazmi Lahu B.I,; Blerim Vërshevci B.I.; Isuf Berisha B.I.; Sabri Halili B.I. me veterinerë Nazmi Lahu, Blerim Vërshevci, Isuf Berisha Albatrit Halili”)

4.3 Parandalimi i sëmundjeve infektive – zoonotike
4.3.1 Vaksinimi i qenve kundër sëmundjes së Tërbimit dhe sëmundjeve parazitare

Vaksinimet 1 vjeçare bëhen tek qentë e kapur për KSVL dhe qenve me mbajtës (pronar) iu ipet vaksina kundër tërbimit tek veterinerët.

5.2 Ngritja e kapaciteteve fizike për strehimoret e kafshëve shoqëruese
5.2.1 Vlerësimi i nevojave për ngritjen e strehimoreve të kafshëve shoqëruese

Këto Komuna janë në planifikim të ngritjes së strehimoreve/qendrave të përkohshme:

1. Komuna e Prizrenit
2. Komuna e Pejës
3. Komuna e Prishtinës
4. Komuna e Istogut
5. Komuna e Mitrovicës ka kontraktuar Operatorin Ekonomik që funksionon edhe si qendër strehuese për mbajtjen e 100 qenve për t’i promovuar për 23 ditë për adoptim në kuadër të projektit KSVL.

5.4. Ushqyerja e qenve endacak nëpër komuna
5.4.1. Përcaktimi i vendeve si pika ushqyese për qentë endacak

Vetëm Komuna e Prishtinës dhe Komuna e Ferizaj kanë realizuar pikat ushqyese.

Masat e Planit të Veprimit të Strategjisë të cilat realizohen dhe janë në realizim e sipër nga organizata jonë:

1.2. Hartimi i PKKQ-së në bazë të strategjisë kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronar
1.2.4. Monitorimi dhe vlerësimi i ndërhyrjeve për MPQ

Këtë monitorim e kemi bërë në Komunën e Prishtinës dhe ende vazhdojmë ta bëjmë. Gjithsesi që varësisht nga kapacitet financiare për 2024, do të realizohen edhe disa numërime të dinamikës së qenve në komunat tjera. Po ashtu jemi vazhdimisht duke mbledhur të dhënat nga Komunat për projektet që janë duke realizuar për të matur efektivitetin e tyre dhe për të monitoruar gjendjen.

2.1 Avancimi I kornizës legjislative për përkujdesin ndaj kafshëve
2.1.1. Vlerësimi expost i Ligjit Nr. 02/L-10 Për Përkujdesin ndaj kafshëve
2.1.2. Rishikimi i legjislacionit në fuqi
2.3.1 Krijimi i politikave për mbarështuesit e kafshëve shoqëruese për mbajtje dhe shitje
2.3.2 Krijimi i politikave për mbajtjen e qenve të rrezikshëm

Sa i përket pikës 2.3.2, grupi punues e ka vendosur këtë emër por bëhet fjalë për mbajtjen e përgjegjshme të kafshëve shoqëruese për të parandaluar qoftë rreziqet nga qentë me mbajtës por edhe rregullat se si të mbahen kafshët shoqëruese që të evitohet jeta e tyre mizore qoftë në aspektin fizik ashtu edhe mendor.

3.1 Zhvillimi i fushatave informuese

Organizata jonë ka inicuar një fushatë vetdijësuese që është aktive deri më tani që të informojë qytetarët dhe shoqërinë e përgjithshme mbi mbajtjen e përgjegjshme të kafshëve shoqëruese, me fokus më të madh tek qentë.

Për më shumë, vizitoni linkun me broshurat informuese: https://www.animalrights-rks.org/kampanjat/

Sa i përket pikës 3.1.2 Organizimi i aktivitete dhe punëtori në shkollat fillore dhe të mesme, për mirëqenien e kafshëve dhe mbajtjen në mënyrë të përgjegjshme të kafshëve shtëpiake – ne kemi lidhur një Memorandum Bashkëpunimi me MASHTI dhe Pyllin e Arinjve që të bëhet edukimi i nxënësve në shkolla por për aktivitetet e kësaj pike do t’ju njoftojmë më vonë.

5.5. Kontrolli i lëvizjeve të qenve në hapësirat publike

5.5.1 Zhvillimi i rregullave specifike komunale që përcaktojnë mënyrën e mbajtjes së qenve në qytete dhe lëvizjen e qenve në vende publike

Është dorëzuar një draft rregullore tek Komuna e Prishtinës për mbajtjen e përgjeshme të qenve në hapësirat publike.