Muaj më parë, është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit në mes të Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve dhe AUVK-së, për përditësimin e regjistrit të kafshëve, për të përfshirë regjistrimin e kafshëve shoqëruese, ashtu siç parashihet edhe me legjislacionin në fuqi.
Në kuadër të kësaj marrëveshje të bashkëpunimit, organizata jonë, me mbështetje nga Fondacioni StrayCoco, ka financuar shtimin e një komponente në regjistrin aktual të AUV-së, për të përfshirë edhe regjistrimin e qenve me mbajtës/pronar, si një nga masat e domosdoshme për të luftuar një nga burimet kryesore të shtimit të numrit të qenve në rrugë, e që janë braktisjet nga pronarë të papërgjegjshëm.
Tanimë përditësimi i regjistrit qëndror ka përfunduar, dhe regjistrimi i qenve me mbajtës/pronar mund të fillojë pasi qe AUV t’i kontraktojë/autorizojë subjektet veterinare dhe të bëjë shpërndarjen e mikroçipëve me kod kombëtar.
Ne shpresojmë që kontraktimi i veterinerëve të bëhet sa më parë nga AUV dhe që regjistrimi të fillojë, sepse kanë kaluar shumë muaj që nga aprovimi i Udhëzimit Administrativ për regjistrimin e kafshëve shoqëruese (https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=37624)
Në momentin që komponenta e regjistrimit të qenve me mbajtës të fillojë, mund të themi që Kosova edhe pse në hapa shumë fillestar, po synon që të punojë në mënyrë efektive dhe të qëndrueshme për të zgjidhur problemin e qenve të rrugës (nëse po ashtu zbatohen masat ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi).
Puna jonë është që këto procese të mbështeten dhe të shtyhen përpara, sepse vetëm me një qasje serioze dhe gjithëpërfshirëse mund të zgjidhet problemi i qenve të rrugës.