Në emisionin “Express” në KTV, ka qenë i ftuar z. Lamir Thaci, zyrtar për informim në AUVK (Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë), për të folur rreth temës së qenve endacak.
Fillimisht, e falenderojmë AUVK-ën që është përkushtuar për zgjidhje humane të problemit të qenve endacak, dhe si rrjedhojë e kësaj, edhe politikat e AUVK-së kanë qenë të orientuara për zgjidhje humane të këtij fenomeni në vendin tonë, falë dashamirësve të kafshëve në vitin 2017, të cilët kanë propozuar KSVL (kapje, sterelizim, vaksinim dhe lëshim) në vend të eutanazisë masive, siç ka paraparë AUVK fillimisht.
Ne si organizatë, jemi të përfshirë që nga themelimi ynë në vitin 2018 në monitorimin e projekteve shtetërore të menaxhimit të popullatës së qenve endacak përmes metodës KSVL (kapje, sterelizim, vaksinim, lëshim).
Më poshtë, janë disa deklarata të AUVK-ës, të cilat duhet të plotësohen:
1. “Angazhimi i veterinerëve profesional në projektin shtetëror të vitit 2018”
Këto pohime, nuk qëndrojnë. Në vitin 2018, por edhe në vitin 2020 ka pasur të angazhuar një numër të madh të veterinerëve të cilët kanë pasur pak ose nuk kanë pasur fare përvojë në trajtimin e kafshëve të vogla. Si rrjedhojë e kësaj, kemi pasur shumë raste të qenve të keqtrajtuar (keq operuar), e poashtu edhe raste të qenve të raportuar si të kastruar, e të cilët pasi janë kthyer në rrugë kanë lindur këlyshë. Ne si organizatë, edhe në vitin 2018 edhe në vitin 2020 kemi bërë thirrje që në projekte të këtij lloji të angazhohen veterinerë profesional dhe me përvojë të dëshmuar në trajtimin e qenve.
Përzgjedhja e veterinerëve për projekte të KSVL-ës, duhet të përmisohet.
Në vitin 2018, ishin të kontraktuara 15 subjekte veterinare në gjithë Kosovën ku 3 nga subjektet kishin veterinerë profesional për kafshë të vogla, një ishte mesatarisht e mirë kurse 11 ishin me veterinerë abuziv, mashtrues dhe aspak profesional.
Në vitin 2020, janë të kontraktuara 29 subjekte veterinare për gjithë Kosovën, ku 12 prej tyre bëjnë punë profesionale, 7 subjekte bëjnë punë mesatarisht të mirë, kurse 10 subjekte veterinare, kanë kryer punë abuzive, mashtruese dhe jo transparente. Në fund të vitit, do të ketë raporte faktike për punën e këtyre subjekteve, gjatë projektit shtetëror.
2. “Raportet e vitit 2018 janë dorëzuar tek organizatat”
Kjo është e vërtetë, mirëpo kjo nuk është bërë vullnetarisht. Edhe pse ne si organizatë kemi dërguar kërkesë zyrtare tek AUV për qasje në dokumente publike të kontratës për menaxhimin e popullatës së qenve endacak në vitin 2018, kjo kërkesë nuk është pranuar nga AUVK, dhe si rrjedhojë e kësaj, organizata është drejtuar tek Avokati i Popullit me ç’rast Avokati i Popullit ka pranuar ankesën e Fondacionit. Tek pas vendimit të Avokatit të Popullit, AUVK-ja ka dorëzuar raportet e këtij projekti.
Ndërsa në vitin 2020, deri më tani, pikërisht tek z. Lamir Thaci kemi dërguar 4 kërkesa zyrtare për qasje ne raportet e veterinerëve që veçse kanë përfunduar punën, mirëpo deri më tani nuk kemi marrë kurfar përgjegjje nga z. Thaci.
3. ORGANIZATAT e përfshira në monitorimin e projekteve të KSVL-së të menaxhuara nga AUVK
Disa herë gjatë bisedës, të dy bashkëbiseduesit, kanë përmendur disa herë që organizataT (në shumës) kanë qenë të autorizuara për të monitoruar punën e subjekteve veterinere të kontraktuara.
Sa për sqarim, përvec organizatës tonë, asnjë organizatë tjetër nuk ka qenë as e përfshirë, as e autorizuar për të bërë monitorimin e këtyre subjekteve në këto projekte.
Në vitin 2018, as organizata jonë nuk ka pasur autorizim zyrtar (jo të shkruar) për monitorimin e këtyre qendrave, mirëpo kemi insistuar që prapë se prapë t’i vizitojmë, meqë kjo parashihet edhe me udhëzimin administrativ 04/2017 (MBPZHR).
Ndërsa në vitin 2020, pas shumë insistimeve (8 muaj), jemi organizata e vetme që është autorizuar nga AUVK për të bërë monitorimin e subjekteve veterinere të kontraktuara, ku si rrjedhojë kemi realizuar më shumë se 130 vizita tek qendrat e trajtimit të përkohshëm të qenve endacak.
4. “Profesionistët e fushës”
Thaci gjatë bisedës thotë që AUVK angazhon veterinerë profesionalë, të cilët janë edhe doktorë të mjekësisë veterinare. Pas më shumë se 200 vizitave monitoruese tek subjektet veterinare të kontraktuara për trajtimin e qenve endacak, mund të themi me plot bindje se kjo nuk është e vërtetë.
Ashtu sic kemi parë nga vizitat tona të shumta, një pjesë e madhe e veterinerëve nuk kanë bërë trajtim të mirë të qenve endacak. Kjo si pasojë e mungesës së përvojës së shumë veterinerëve në trajtimin e kafshëve të vogla. Pra, në këto projekte ka pasur të angazhuar veterinerë të cilët mirren me trajtimin e kafshëve të mëdha, ndërsa kanë pak ose fare përvojë në trajtimin e kafshëve të vogla si qeni.
Përvec problemeve post-operative, në shumë qendra kanë munguar edhe kushtet bazike për mirëqenie të qenve: buka dhe uji i freskët, higjiena dhe përkujdesja e duhur.
Mirëpo, duhet patjetër të theksohet që ka pasur të angazhuar edhe veterinerë shumë profesionalë, të cilët kanë kryer punën e tyre me përkushtimin më të madh të mundshëm.
Fatkeqësisht, këta veterinerë profesional në këtë projekt janë cilësuar si të ‘barabartë’ me veterinerë pa përvojë në trajtimin e qenve.
5. “Gjatë vitit 2018, janë trajtuar 14.000 qen në tërë Kosovën”
Ky pohim është bërë nga AUVK që nga përfundimi i këtij projekti. Ndërsa nga të dhënat që na janë dorëzuar pas kërkesës për qasje në dokumente publike, figurojnë vetëm 7,000 qen të trajtuar. Në këtë rast, ose AUVK nuk na ka dhënë të gjitha raportet, ose nuk kanë kurfar të dhënash për punën në rajonin e Ferizajit dhe Gjilanit.
6. “Gabimet e veterinerëve kanë qenë raste të izoluara”
Sa i përket kësaj, edhe mund të shihet si vetëm “raste të izoluara” por nuk nuk mund të thuhet me aq siguri, ngaqë jo profesionaliteti dhe neglizhenca e veterinerëve që kanë abuzuar gjatë projektit, nuk ishin vetëm rastësi por të kryera me qellim dhe vetëdije të plotë nga veterinerët.
Nëse ka ndodhur një keqtrajtim njëherë, si mund të sigurohemi që nuk ka ndodhur edhe më shumë herë?
Po ashtu, gabime në menaxhimin e projektit ka pasur, dhe nuk mund të themi që kanë qenë raste të izoluara. Në shumë qendra ka pasur mungesë të dukshme të higjienës, mungesës së ushqimit të duhur dhe ujit të freskët për një mirëqenie të dinjitetshme, si dhe gabime gjatë operimeve. Poashtu, ka shumë pak fakte për kthimin e qenve në territorin ku janë kapur. Nga shumë informata që kemi pranuar nga qytetarët, në shumë raste qentë nuk janë kthyer në vendin e njejtë ku janë kapur.
* Prapë po e cekim, jo të gjithë kanë bërë punë jo të mirë. Fatmirësisht në tërë Kosovën ka veterinerë profesional dhe të përkushtuar për trajtim të dinjitetshëm të kafshëve, prandaj tash e 2 vjet bëjmë thirrje që në projekte të dedikuara për trajtimin e qenve endacak të angazhohen vetëm veterinerët e dëshmuar në këtë fushë.
7. Ngritja e kallëzimeve penale ndaj veterinerëve abuzues dhe përkrahja e OJQ-ve për kallëzimet penale
Sa i përket organizatës tonë, nuk kemi asnjë informatë që AUVK-ja ka ngritur ndonjë kallëzim penal për ndonjë veterinar. Këtë e bën edhe më të pakuptueshme edhe fakti qe veterinerët abuzues janë ‘dënuar’ nga AUVK me suspendim 1-mujor të punës (një rast 2 mujor), dhe pas 1 apo 2 muajsh, kanë rifilluar punën pa ofruar asnjë dëshmi konkrete të trajnimeve në fushën e trajtimit të qenve, ashtu sic është kërkuar nga AUVK. Për më tepër, “suspendimet” kanë ndodhur në kohën kur shumica e subjekteve të suspenduara, ishin veçse në përfundim të projektit.
Poashtu, deri më tani, në kallëzimet penale që kemi ngritur ne si organizatë ndaj veterinerëve abuzues, përvec që nuk kemi pasur përkrahje nga AUVK, as që jemi pyetur ndonjëherë.
8. “I kemi ngritur shqetësimet tek Oda Veterinare”.
Oda Veterinare është OJQ dhe nuk ka ndonjë fuqi për të ndërmarrë veprime konkrete në lidhje me punën joprofesionale të veterinerëve. AUVK është autoriteti kompetent për të penalizuar veterinerët abuzues.
Oda Veterinare, edhe pse OJQ, do të mund të bënte punë të rëndësishme në integritetin dhe avancimin profesional të veterinarisë, por nuk e bën atë.
Pas shumë ankesave dhe raportimeve tona të punës jo njerëzore dhe jo ligjore të veterinerëve, Oda në fjalë, ka themeluar një Komision të Etikës për të vlerësuar punën e veterinerëve në projektin shtetëror (edhe pse kjo gjë do duhej bëhej para fillimit të projektit). Komisioni, nuk ka bërë asgjë dhe nuk është as aktiv më.
9. “Kemi angazhuar praktikat tjera veterinare për të ritrajtuar qentë të cilët janë keqtrajtuar”
Ne nuk kemi informata për asnjë qen të ritrajtuar me urdhër të AUVK-së. Përvec rasteve të cilat i kemi dërguar ne si organizatë për ritrajtim tek praktikat veterinere që nuk kanë qenë të kontraktuara në këtë projekt, nuk dimë për ndonjë rast që AUVK ka kërkuar ritrajtimin e ndonjë qeni.
Gjatë muajve të fundit, së bashku me AUVK-në dhe zyrën e zv. KM të parë, z. Besnik Tahiri, kemi punuar në ndryshimin e dy udhëzimeve administrative, që kanë të bëjnë me identifikim dhe regjistrimin e qenve me pronarë, si dhe krijimin e një udhëzimi administrativ të ri për licencimim e mbarështuesve të qenve.
Mungesa e regjistrimit të qenve me pronarë si dhe kontrollimit të mbarështuesve ilegalë, janë dy burimet kryesore të shtimit të madh të qenve endacak në Kosovë. Mungesa e bazës ligjore e ka bërë shumë më të vështirë menaxhimin e kësaj situate, prandaj së bashku me AUVK-ën edhe kemi dorëzuar pranë Ministrisë së Bujqësisë këto dy udhëzime administrative (jemi në përfundim të udhëzimit administrativ për mbarështuesit), të cilat besojnë se do të krijojnë një bazë të fortë për trajtim serioz të këtij fenomeni.
Prandaj, shfrytëzojmë rastin edhe një herë të falenderojmë AUVK-në për bashkëpunimin e deritanishëm, mirëpo ne besojmë që në projektet e trajtimit të qenve endacak ka ende shumë hapësirë për transparencë, si dhe ka nevojë për standarde strikte sa i përket trajtimit human dhe profesional të qenve të rrugës. Por, nga gabimet mund të mësojmë të gjithë, prandaj edhe shpresojmë që në projektet e rradhës të KSVL-së të angazhohen veterinerë profesional, pasi që një punë e mirë ose e keqe e një veterineri/e, indirekt ndikon edhe në mirëqenien e qytetarëve, pasi që një qen i keqtrajtuar nga veterinari, mund të jetë rrezik potencial për njerëzit, si për shëndet ashtu edhe për siguri. Një qen i trajtuar sic duhet nga veterinari/ja, pa problem ri-integrohet në komunitet dhe nuk paraqet rrezik, me kusht që kthehet nga veterinerët në vendin e njejtë ku është kapur.