Sot, prezantuam të gjeturat e aktivitetit të parë të këtij lloji në Kosovë për vlerësimin e dinamikës së popullsisë së qenve në komunën e Prishtinës.
Pjesëmarrës në këtë prezantim ishin përfaqësues të institucioneve të ndryshme të mandatuara për menaxhimin dhe kontrollin e popullsisë së qenve (MBPZHR, MAPL, Komuna e Prishtinës) si dhe Oda Veterinare dhe aktivistë tjerë për mbrojtjen e kafshëve endacake.
Të gjeturat kryesore të këtij hulumtimi ishin:
– Pothuajse gjysma (50%) e qenve me pronar që nuk janë të kastruar/sterilizuar nuk kufizohen brenda hapësirave të shtëpisë gjatë gjithë kohës dhe kjo tregon qartë se burimi kryesor i shtimit të popullsisë së qenve në rrugë janë QENTË ME MBAJTËS/PRONAR.
– Shumica dërmuese (79%) e lindjeve të padëshiruara të këlyshëve nga qentë me pronar, përfundojnë me braktisje në rrugë.
– Keqtrajtimi dhe shqetësimi i qenve nga njerëzit është në nivel shqetësues (43%). Kjo paraqet rrezik për qentë dhe vet njerëzit, pasi që qentë e keqtrajtuar ka më shumë gjasa që t’i shohin njerëzit si “armiq” të cilët duhet larguar nga territori.
– Përqindja e kastrimit/sterilizimit të qenve në rrugë mbetet në nivel jo të kënaqshëm.
– Vërehet një trend i fokusit më të madh te kastrimi i qenve meshkuj, ndërsa qentë femra kanë mbulueshmëri më të vogël sa i përket sterilizimit.
– Mbi 80% e qenve në komunën e Prishtinës gëzojnë mirëqenie të mirë, pa shenja të dukshme të sëmundjeve të lëkurës dhe me peshë ideale të trupit.
– Prania e vogël e qenve femra në laktacion dhe këlyshëve tregon që momentalisht braktisja e qenve të rritur me pronar mbetet shkaku kryesor i shtimit të numrit të qenve në rrugë.
Vlerësimi i dinamikës së popullsisë së qenve në nivel lokal është pjesë kyçe e Strategjisë Kombëtare për Menaxhimin dhe Kontrollin e Qenve me dhe pa Pronar’ dhe duhet të zbatohet në çdo komunë për të kuptuar gjendjen reale me qentë në rrugë dhe për t’i dizajnuar programet lokale të menaxhimit të popullsisë së qenve, duke u bazuar në të dhënat nga terreni.
I falenderojmë pjesëmarrësit që morën pjesë në prezantim, programin “EJA” të KCSF që ka besuar në këtë projekt dhe e ka mbështetur, si dhe Europe House për lejimin e shfrytëzimit të sallës për të paraqitur të gjeturat e këtij projekti.
Po ashtu, falenderojmë edhe ekipet anketuese për një punë të shkëlqyeshme në mbledhjen e të dhënave, si dhe mediat që ishin prezente në këtë prezantim!
Versionin elektronik të raportit mund ta gjeni në linkun në vazhdim: https://bit.ly/3x858bd
* Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.