Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Projekti i kastrimit, sterelizimit dhe vaksinimit të qenve endacak në Kosovë po fillon sërish.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës ka shpallur tenderin e projektit për trajtim të qenve endacak në Kosovë, me 4 tetor 2019.
Ne jemi të kënaqur që ky projekt po fillon dhe shpresojmë që do të vazhdojë për një kohë të gjatë edhe në vitet në vijim.

Mirëpo, jemi mjaft të zhgënjyer që AUVK-ja koncentrohet edhe këtë vit, në kuantitet (numër) se sa në kualitetin e punës.

Vitin e kaluar (2018), AUVK-ja ka insistuar që kriteret e tenderit të përshtaten për secilin veterinarë, pa përcaktuar kualifikime të përshtatshme veterinare për t’i trajtuar qentë. Andaj kemi pasur edhe raste të rënda ku qentë kanë pësuar mjaft keq – pikërisht nga paaftësia e disa veterinerëve t’i trajtojnë kafshët e vogla (qen, mace).

Edhe këtë vit, AUVK-ja nuk përcakton asnjë kriter mbi profesionalizmin dhe aftësitë e mjekëve veterinar që do të aplikojnë këtë vit në projekt – por ka specifikuar që pikat strehuese post-operacionale të kenë më së paku 25 bokse, vende për rehabilitim të qenve. Edhe pse hapësira në situatën e Kosovës, nuk ishte prioritare – por puna e pa pastër dhe jo profesionale e një numri të madh të veterinerëve. Këtë e themi duke u bazuar në vizitat që kemi bërë vitin e kaluar 2018, ku kemi vërejtur punën e pa pastër dhe jo profesionale të shumë veterinerëve – pa marrë parasysh se sa hapësirë kishin ata për qentë.

Edhe nëse ndonje ambulatore veterinare i ka vetëm 5 ose 10 bokse, por punon siç duhet duke respektuar çdo dispozitë ligjore për trajtim të dinjitietshëm të kafshëve, jemi të sigurt së puna do të jetë me rezultat të mirë.

Siç duket, koncentrimi është tek arritja e një numri të shpejt të trajtimeve (të çfarëdoshme) të qenve, se sa mirëqenia e tyre dhe trajtimi i tyre me një pune cilësore dhe profesionale nga ana e veterinerëve.

Së pari do t’i lusim AUVK-ën ta ndryshojnë këtë kriter.
Së dyti, ne do të shohim se kush nga veterinerët do të fitojë tenderin këtë vit. Nëse janë po ata të njëjtit që kanë bërë krime dhe kanë keqpërdorur edhe fondet publike gjatë 2018, do t’i paraqesim publikisht dhe do të kërkojmë shkarkimin e tyre, publikisht.
Së treti, do t’i monitorojmë të gjitha pikat fituese edhe më aktivisht gjatë punës në 2019/2020 dhe do ta raportojmë çdo shkelje menjëherë në prokurori (Kodi Penal i Kosoves: neni 343,344, 346).