Sot, në Ferizaj u mbajt protesta kundër zhdukjes së qenve endacak në këtë rajon.
Komuna e Ferizaj ka kontraktuar subjektin veterinar “AV Goni” me tender 89.000 euro, që të bëj trajtimin e qenve endacak përmes metodës KSVL (kap, sterilizo, vaksino, lësho), mirëpo aktivistët e rajonit të Ferizaj kanë ngritur dyshimet për zhdukjen e qenve, pasi që qentë e rrugës për të cilët përkujdeseshin, nuk ishin më në territoret e tyre.
Komuna e Ferizaj, së bashku me DMV Agron Pajaziti, nuk kanë qenë asnjëherë të gatshme për bashkëpunim, e as nuk na kanë siguruar qasje në dokumentet zyrtare të këtij projekti, duke vepruar në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Kjo protestë pason pas lajmërimit zyrtar të organizatës tonë për Prokurorinë Themelore në Ferizaj, për dyshimet tona për dhënje të pandërgjegjshme të ndihmës veterinare dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Institucionet e vendit patjetër që duhet të jenë transparente me qytetarët, sidomos kur bëhet fjalë për shpenzimin e parasë publike. Një komunë që jep tendera në vlera të mëdha, përveç transparencës, duhet të monitorojë strikt edhe zbatimin e projekteve sipas legjislacionit në fuqi, për t’u siguruar që paraja publike nuk po shpenzohet vetëm për të pasuruar xhepat e disa individëve dhe që qente të trajtohen në mënyrë sa më humane dhe me dinjitet.
I falenderojmë shumë aktivistët që janë bashkuar në këtë protestë, e po ashtu i falenderojmë jashtëzakonisht shumë edhe mediat që kanë mbuluar këtë aksion.
Videon nga protesta, mund ta shikoni në këtë LINK.
Fotot nga protesta mund t’i shikoni në këtë LINK.