Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), pas disa muajsh punë të grupit punues (ku edhe organizata jonë është anëtare), ka publikuar për konsultime publike draftin e Strategjisë Kombëtare për menaxhimin e popullsisë së qenve me dhe pa pronar.

Gjatë punës së grupit punues, organizata jonë vazhdimisht ka sugjeruar që masat e propozuara në këtë strategji, të bazohen në udhëzimet humane dhe efektive të organizatave botërore si ICAM dhe WOAH (ish-OIE).

Në këtë strategji, është angazhuar edhe znj. Alexandra Hammond-Seaman, në kuadër të projektit të BE-së “Support to establishing disease surveillance and control programs and alignment with Chapter 12 of the acquis”, në cilësinë e ekspertes me përvojë më shumë se 20-vjeçare, për të propozuar masa të qëndrueshme dhe humane.

Drafti i strategjisë parasheh masa që fokusohen në burimet e problemit, siç janë: identifikimi dhe regjistrimi i qenve me mbajtës (pronar), kontrolli i mbarështimit, kontrolli i shitjes, kontrolli ndërkufitar i lëvizjes së qenve, kontrolli i riprodhimit me metodën KSVL dhe vlerësimi i dinamikës së qenve në komuna për të pasur një pasqyrë të qartë për nevojat specifike të strehimit të përkohshëm të qenve që bredhin lirshëm apo braktisën në rrugë. Për zbatim të këtyre masave, janë paraparë rreth 8.5 milionë EUR për 3 vitet e ardhshme.

I ftojmë të gjithë që të lexojnë draftin e strategjisë dhe planit të veprimit, dhe nëse mendojnë që në këtë draft mungojnë masa të caktuara, të na shkruajnë në email adresën info@animalrights-rks.org ose të drejtohen tek MAPL për propozime. Është e rëndësishme që qytetarët të përfshihen në vendim-marrje sidomos për temat të cilat ndikojnë direkt në jetën tonë të përditshme. Edhe organizata jonë do të jap disa komente finale në këto drafte dhe çdo koment apo sugjerim i juaji mund të na ndihmojë shumë.

https://konsultimet.rks-gov.net/viewConsult.php?ConsultationID=41477&fbclid=IwAR3sMYR0jOStIX1_vhV4qjEVvzu8Fh7tnNN28vKoE-nbAzW4jJhBfobs2TQ

Afati i fundit për të dhënë komente është 18 gusht 2022.

E falenderojmë shumë Qeverinë e Kosovës që e ka trajtuar dhe ende po trajton këtë problem me prioritet dhe po ashtu Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për punën e mirë dhe udhëheqjen e procesit të hartimit të strategjisë për të përmirësuar gjendjen e qenve endacak në vend!

Një punë e tillë nuk është bërë asnjëherë më parë dhe jemi të lumtur që diçka po lëvizë në këtë drejtim.

Për hapat e rradhës, do të ju mbajmë të informuar.