Ky nuk është rasti i parë, e as nuk do të jetë rasti i fundit që aktivistët tanë hasin në qen me plagë të tmerrshme, të shkaktuara nga veterinerë të licencuar nga AUVK dhe Oda e Veterinerëve.
Pra, këta veterinerë, për këtë punë të tmerrshme dhe kriminale, janë paguar me taksat e qytetarëve, e AUVK nuk ka ndërmarrë as edhe një masë serioze ndaj këtyre shkelësve të ligjit, në mënyrë që këto raste të mos ndodhin në të ardhmen.
Përveç kësaj, aktivistët tanë kanë hasur edhe në qen me vath në vesh, të cilët kanë lindur këlyshë. Ndërsa numri i vathit, nuk shihet fare. Pra, dikush nga veterinerët, qëllimisht ka vënë vath në vesh të qenve, pa numër, e të tillët i ka lajmëruar si të sterilizuar, dhe edhe në këtë rast është paguar nga taksat e qytetarëve. Edhe për këtë, shumë shpejtë do t’i publikojmë faktet.
Tash e sa kohë, i kemi bërë thirrje AUVK-së që të marrë masa serioze ndaj veterinerëve abuzues, por fatkeqësisht, përveç disa ‘suspendimeve’, asnjë masë serioze nuk është marrë që këta veterinerë të japin përgjegjësi për abuzimet që i kanë bërë.
AUVK, së bashku me Odën e Veterinerëve, duke i mbrojtur veterinerët abuzues, po e njollosin skajshmërisht profesionin e veterinarisë, dhe poashtu po e dëmtojnë reputacionin edhe të veterinerëve profesionalë, që me të vërtetë bëjnë punë të mirë.
Është koha e fundit që AUVK të ndërmarrë masa serioze për të parandaluar abuzimin me kafshë, me qëllim të përfitimeve materiale, si dhe të kërkojë përgjegjësi ligjore për abuzimet që i kanë bërë. Nëse tolerohen këso lloj veprimesh kriminale ndaj kafshëve, atëherë kjo do t’i motivojë edhe abuzuesit e tjerë që të vazhdojnë me veprimtari të cilat e rrezikojnë mirëqenien e kafshëve.
Është e patolerueshme që veterinerët të cilët kryejnë vepra penale gjatë trajtimit të kafshëve endacake, të paguhen me taksa të qytetarëve dhe të mos i merret licenca.
Ne kemi dorëzuar kallëzime penale për veterinerët abuzues por ende nuk kemi ndonjë përgjigje nga organet e drejtësisë.
Qenushja në foto, është dërguar tek veterinari nga organizata jonë, dhe është në shërim e sipër.