Më 21 qershor 2022, komuna e Gjilanit ka nënshkruar kontratën në vlerë 18,500.00€ me operatorin ekonomik “Monuni SHPK” për trajtimin e rreth 250 qenve në rrugë me metodën KSVL (kap, sterilizo, vaksino, lësho).
Përkundër që na është ofruar bashkëpunim (me fjalë) nga drejtori i bujqësisë në komunën e Gjilanit z. Bajram Isufi, gjatë implementimit të këtij projekti deri më tani, kërkesat tona janë injoruar nga z. Isufi dhe Komuna e Gjilanit.
Ne kemi kërkuar që për çdo qen të trajtuar të ketë edhe foto të vendit të kapjes dhe lëshimit, e po ashtu kemi kërkuar të dijmë edhe lokacionet e qenve të trajtuar deri më tani, por nuk kami marrë asnjë përgjegjje nga komuna deri më tani. Kompania e kontraktuar dhe zyrtarët e Komunës nuk janë të interesuar të bashkëpunojnë me qytetarët sa i përket lëshimit të qenve dhe mirëqenies së tyre. Si po shpenzohen paratë publike nga kjo drejtori?
Ne po ashtu kemi ankesa edhe ndaj kohëzgjatjes së hospitalizimit të qenve pas operacionit, pasi që kemi vërejtur që qentë po lirohen shumë shpejtë nga qendra e trajtimit (nëse veçse lirohen), në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ (MBPZHR) 04/2017 për kushtet teknike të cilat duhet plotësuar qendrat e trajtimit të përkohshëm të kafshëve endacake. Veterinari dhe komuna mund të arsyetohet që qentë po shërohen shpejtë dhe nuk ka nevojë për hospitalizim më të gjatë, por në këtë rast nuk do të duhej të ishte problem të tregonin lokacionet e qenve të trajtuar, në mënyrë që të vërtetohet trajtimi i duhur kirurgjik i tyre. Gjithsesi vlen të theksohet se çdo qen pas operimit (sidomos femrave që sterilizohen) duhet të qëndrojnë të paktën 5 ditë për t’u sheruar komplet. Është shkelje e mirëqenies së kafshëve të lirohen me plagë ende të freskëta.
Po ashtu është mëse e rëndësishme të dokumentohet çdo proces i trajtimit të qenve që të garantohet shpenzim korrekt i parasë publike.
AUVK pas ankesës tonë ka dërguar inspektorët për të inspektuar punën e veterinerëve por as inspektorëve veterinerë nuk i janë dhënë lokacionet e lëshimit, pasi që Kompania e kontraktuar është mësuar të punojë duke shkelur dispozitat ligjore dhe e dinë saktë që nuk ka autoritet që i dënon. AUVK asnjëherë nuk ka ndëshkuar punën neglizhente apo dyshuese të veterinerëve. Arsyet për këtë mosveprim, i dijnë më së miri zyrtarët e AUVK-së.
Për këtë keqmenaxhim nga ana e Komunës dhe për dyshimet tona që qentë endacak po eutanazohen/vriten apo lirohen në ndonjë vend krejtësisht tjetër, organizata jonë do të ndërmarrë hapa ligjor për të garantuar mirëqenie të kafshëve dhe shpenzim korrekt të parasë publike.
Projektet e KSVL-së, por edhe projektet e tjera të fokusuara në menaxhimin e popullsisë së qenve, duhet të jenë transparente dhe të hapura për komunitetin, sepse vetëm me bashkëpunim të ndërsjellë me komunitetin dhe shoqërinë civile këto projekte mund të arrijnë një efekt të dëshiruar.
Paraja publike nuk duhet të përdoret për projekte të ngutshme pa monitorim të mirëfilltë dhe matje të efektit të projekteve, të cilën deri më tani nuk po e shohim në komunën e Gjilanit dhe shumë komuna tjera në Kosovë.
Nëse institucionet në Kosovë janë të interesuara të punojnë me seriozitet dhe transparencë për të reduktuar numrin e qenve në rrugë, duhet të jenë më të hapur për qytetarët për masat që ndërmarrin dhe t’i monitorojnë ato siç duhet.
Kompania në fjalë merr 18.500 euro për dy muaj dhe nuk ndihet e obliguar të jap as edhe një llogari apo raport të detajuar për punën pasi që Komuna e Gjilanit po heshtë në këtë drejtim.