Operatori ekonomik “Qendra për Trajtim të Kafshëve”, në krye me veterinarin Taulant Kastratin që është kontraktuar nga Komuna e Prishtinës për projektin e KSVL-së, dyshohet për punë neglizhente dhe jo korrekte.
Veterinari nga Komuna e Pejës, i cili ka bërë punë dyshuese edhe në Pejë në vitin 2018 po tregohet neglizhent kur bëhet fjalë për kapjen dhe lëshimin e qenve.
Taulant Kastrati është duke punuar nën ombrellën e QTK (Qendrës për Trajtim të Kafshëve) që kanë operuar në Harilaq dhe të cilët kanë qenë të kontraktuar nga Komuna e Prishtinës qysh nga viti 2013.
Për punën dyshuese të QTK ndër vite, gjithmonë ka pasur ankesa nga shumë aktivistë për mbrojtjen e qenve endacak pasi që shumë qen që janë marrë nga QTK në të kaluarën, nuk janë kthyer më në vendin e tyre.
Rasti i fundit i një qytetari që jeton në Novobërdë na ka dëshmuar që puna e kësaj qendre nuk është në rregull dhe mirëqenia e kafshëve po cenohet. Një qen i një qytetari në Novobërdë është marrë nga ekipi i kapjes së qenve të QTK dhe kur pronari i qenit ka vërejtur që dikush ia kishte marrë qenin, ka bërë të pamundurën që të gjinden personat përgjegjës për marrjen e qenit të tij. Kur po në atë ditë të kapjes (pa e dërguar në qendër qenin) ekipi i QTK-së e ka kthyer qenin tek pronari, por të vdekur. Do të thotë, ekipi i QTK, ka marrë një qen të gjallë në veturën e tyre dhe po në atë ditë e kanë sjellur të vdekur pasi që pronari i qenit ka raportuar rastin në Polici.
Ky rast thotë shumë për punën që po bëhet dhe për rrezikun e shumë qenve që do të hyjnë në duart e ekipit të QTK. Edhe pse në qendrën e tyre gjendja e qenve dhe plaget e kastrimit/sterilizimit kanë qenë në rregull, nuk do të thotë që shumë qen që janë marrë aty nuk kanë përfunduar njëjtë si qeni i qytetarit në Nobobërdë.
Ne jemi ankuar pranë Komunës së Prishtinës por siç duket për ta këto ankesa janë të parëndësishme dhe nuk janë marrë me këtë çështje dhe neve duhet të ndërmarrim gjithsesi hapa të tjerë ligjor dhe të garantohet punë e rregullt dhe humane me paranë publike.
Po ashtu i jemi drejtuar AUVK-së që të bëjnë inspektime të rregullta dhe ata të njëjtit kanë bërë edhe autopsinë e qenit pasi që pronari ka bërë një kërkesë të tillë. Në raportin e autopsisë thuhet që qeni ishte barrëse 40 ditëshe dhe gjatë ekzaminimit janë vërejtur gjakderdhje në miokard (muskul i zemrës) dhe që mushkëritë kanë qenë të edematizuara. Mushkëritë e edematizuara vijnë si rezultat edhe i traumës apo torturës. Sipas organizatës tonë, ky qen nuk ka vdekur vetvetiu por gjithsesi që përsonat e përfshirë në këtë rast do të japin llogari, pasi që organizata jonë do të kërkojë nga prokurorët që ky rast të mos kalojë në heshtje.
Një fakt tjetër interesant ishte që përgjegjësi i QTK, z. Nexhmedin Kabashi i ka thënë organizatës tonë që “nuk e ka ditur” që kapja, trajtimi dhe lëshimi i secilit qen duhet të bëhet me video dhe foto dokumentime. Të gjithë operatorët tjerë këtë e kanë kuptuar në shumë takime me Komunën, ku kanë qenë prezent edhe përfaqësues të QTK.
Komuna e Prishtinës duhet të japë llogari për shumë lëshime gjatë kësaj pune dhe për mungesën e transparencës së treguar në raportet e veterinerëve për trajtimin e qenve endacak në Prishtinë.