Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Me ftesë të ‘Regional Animal Welfare Centre’, organizata jonë po merr pjesë në punëtorinë 4-ditore të organizuar nga ICAM, në lidhje me menaxhimin e popullsisë së qenve.

Pikërisht bazuar në udhëzimet e ICAM, organizata jonë kishte draftuar propozimin për strategji kombëtare për menaxhimin e popullsisë së qenve. Bazuar në këto udhëzime, është duke u draftuar edhe strategjia kombëtare, e udhëhequr nga MAPL.

Menaxhimi i popullsisë së qenve, i përbërë nga një sërë masash, dhe me fokus të veçantë në burimet e shtimit të numrit të qenve në rrugë, është një angazhim i përhershëm që kërkon dedikim dhe resurse nga institucionet qëndrore dhe lokale me fokus të ndryshimit të sjelljeve njerëzore për pronësi/mbajtje të përgjegjshme të qenve.

Për t’u reduktuar numri i qenve në rrugë në mënyrë të qëndrueshme, vetëm strehimoret dhe projektet e KSVL-së (kap, vaksino, sterilizo, lësho) nuk janë të mjaftueshme nëse nuk ka fokus në burimet e problemit, e që janë braktisjet e qenve nga mbajtja/pronësia e papërgjegjshme si dhe importi, mbarështimi dhe shitja e pakontrolluar e qenve si kafshë shoqëruese.

Përderisa mund të krijohet iluzioni që me ndërtim të strehimoreve do të mund të largohen qentë nga rruga, përvojat nga vende të ndryshme na tregojnë që kjo nuk është aspak masë e qëndrueshme dhe efektive dhe shumë e kushtueshme. Gjithsesi që strehimoret duhet të ndërtohen kur bëhet anketimi i duhur i qenve dhe dinamikës së tyre që të mos rrezikohet eutanazi sistematike.

Organizata jonë do të vazhdojë të angazhohet dhe të mbështesë institucionet e vendit që të ndërmarrin masat e duhura humane dhe të qëndrueshme, në mënyrë që paratë publike të dedikuara për këtë qëllim të mos shpenzohen pa pasur asnjë efekt të dukshëm dhe që mirëqenia e qenve të jetë në qendër të çdo ndërhyrjeje, pasi që vetëm në këtë mënyrë mund të krijojmë një sistem të qëndrueshëm të menaxhimit të popullsisë së qenve.