Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Më 1 dhe 2 mars, është mbajtur punëtoria dy ditore për institucionet e nivelit qendror dhe lokal për menaxhimin human dhe të qëndrueshëm të popullsisë së qenve, e organizuar nga FOUR PAWS dhe Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve.

Gjatë kësaj punëtorie, kolegët nga FOUR PAWS kanë ndarë përvojat e tyre nga puna më shumë se 20-vjeçare në Europën Lindore për menaxhimin e popullsisë së qenve dhe trajtimin e qenve në rrugë. Kanë treguar me të dhëna shkencore dhe statistikore që vrasja e qenve, si masë e reduktimit të numrit të tyre, përveç që nuk është humane, është edhe joefektive, aspak e qëndrueshme dhe ka kosto jashtëzakonisht të madhe.

FOUR PAWS po ashtu ka demostruar rastet e suksesshme të reduktimit të qëndrueshëm dhe human të popullsisë së qenve, në disa komuna të Bullgarisë dhe Rumanisë. Metodat humane janë të mundshme dhe e përmirësojnë situatën me qen endacak edhe më shpejtë se sa vrasja apo ndërtimi i strehimoreve për t’i futur të gjithë qentë aty.

Jemi shumë të kënaqur që shumë zyrtarë si nga niveli qendror ashtu edhe nga niveli komunal ishin pjesëmarrës në këtë punëtori, dhe shpresojmë shumë që nga kjo punëtori të marrin përvojat më të mira dhe po ashtu të mësojnë nga gabimet e vendeve tjera, në mënyrë që popullsia e qenve në Kosovë të menaxhohet në mënyrën më efektive të mundshme, gjithmonë duke respektuar mirëqenien e kafshëve. Organizata jonë patjetër që do t’u qëndrojë afër dhe do t’i mbështesë komunat me të gjitha kapacitetet tona për të bërë vlerësimin e popullsisë së qenve endacak dhe për të reduktuar numrin e qenve në rrugë, gjithmonë duke u fokusuar në burimet e shtimit të numrit të qenve në rrugë.

I falenderojmë jashtëzakonisht shumë kolegët nga FOUR PAWS që nga agjenda e tyre e ngjeshur, kanë ndarë kohë që të vijnë në Kosovë për të ndarë përvojat e tyre në menaxhimin e popullsisë së qenve. Kjo nuk është hera e parë që FOUR PAWS angazhohet për kafshët në Kosovë, pasi që tani falë FOUR PAWS kami një storje suksesi si PYLLI I ARINJVE Prishtina, që kanë shpëtuar të gjithë arinjtë e restauranteve në Kosovë (dhe së fundmi edhe luanin Gjoni), duke ju ofruar një jetë të dinjitetshme, të përshtatshme për specien e tyre.