Disa javë më parë, organizata jonë është kontaktuar nga Dogana e Kosovës, për të ndihmuar me strehimin e dy qenve të konfiskuar, pasi që Dogana nuk ka asnjë vend të paraparë për t`i strehuar kafshët në ndonjë vend karantinimi, deri sa të vendosen hapat e radhës për fatin e kafshëve shoqëruese.në Qentë ishin konfiskuar pasi që ishin zënë duke u kontrabanduar nga Kosova në Serbi.
Edhe pse organizata jonë nuk ka qendër për strehim të kafshëve, me ndihmën e DMV Albatrit Halili në Podujevë dhe tani me ndihmën e strehimores “Organizata për Kujdesin dhe Shpëtimin e kafshëve” e menaxhuar nga Lulzim Prenku, i kemi siguruar qenve strehim të përkohshëm, deri të bëhet një zgjidhje afatgjate. E barrën e shpenzimeve që ishte dashur ta mbante shteti, ashtu edhe siç parashihet me legjislacionin në fuqi, e merr prapë organizata jonë përsipër, gjë për të cilën nuk ka fonde.
Njëri nga qentë është kthyer tek pronari i tij i më hershëm, nga i cili ishte vjedhur qeni, para se të zihej duke u kontrabanduar në kufirin në Merdare.
Nuk është hera e parë që institucionet e ndryshme na kontaktojnë për strehim të qenve, pasi që shteti ende nuk ka krijuar ndonjë infrastrukturë/qendër strehimi dhe shpëtimi, së paku për kafshët e konfiskuara, e as nuk iu ndihmon qendrave që strehojnë kafshë dhe që bëjnë punë të mirë dhe transparente.
Mungesa e qendrave të strehimit të ndihmuara nga shteti, së bashku me mungesën e angazhimit për të ndalur burimet e shtimit të numrit të qenve në rrugë, e krijon një situatë ku braktisjet e qenve dhe problemet e tjera të kontrabandimit të kafshëve shoqëruese nga një shtet në një tjetër, bëhen të zakonshme, dhe rrezikimi i mirëqenies së këtyre kafshëve është bërë një realitet i përditshëm. E përveç kafshëve të gjora, po e rrezikohet edhe mirëqenia e përgjithshme shoqërore në vendin tonë.
Ashtu siç kemi propozuar edhe në strategjinë kombëtare, një sërë masash duhet të ndërmirren për të menaxhuar numrin e qenve me mbajtës/pronar dhe për ta kontrolluar dhe zvogëluar numrin e qenve në rrugë, e një nga këto masa është edhe krijimi i qendrave të strehimit për qentë e konfiskuar apo të abuzuar.
Në këtë rast ne kemi ndihmuar, por në raste tjera do të jetë e pa mundur që të ndihmojmë pa një plan strategjik dhe të qëndrueshëm në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.