Me datë 31.12.2023, Kryetari i Prishtinës, z. Përparim Rama, ishte i ftuar në një intervistë me KTV në emisionin 038, ku ndër të tjera është biseduar edhe tema e qenve endacak. Fatkeqësisht, në këtë intervistë, kryetari Rama ka dhënë disa deklarata të pavërteta, prandaj ju ftojmë të kuptoni dhe të infomoheni në mënyrë korrekte:
1. Strehimi i kafshëve
Kryetari Rama tha që në Kosovë legjislacioni nuk lejon strehimin e kafshëve por vetëm marrjen e tyre për procedurat e kastrimit, sterilizimit dhe lëshimit të tyre në rrugë. Strehimi i kafshëve shoqëruese (endacake) lejohet sipas Udhëzimit Administrativ (MBPZHR) 02/2023 për kushtet teknike që duhet plotësuar strehimoret e kafshëve. Në nenin 23, paragrafi 5 të këtij UA, specifikohet se një strehimore mund të mbajë qentë edhe për periudhë më të gjatë nëse ka kapacitete të mjaftueshme. Vet Komuna e Prishtinës është është duke paguar strehimoren QTK me nga 50 euro në muaj për 25 qen që po strehohen për Komunën e Prishtinës, andaj është për t’u habitur se si thuhet publikisht që ligjërisht nuk lejohet strehimi i qenve. Problemi tek strehimi është diku tjetër, pasi që momentalisht si masë e vetme nuk do të ishte aspak e qëndrueshme (dhe do të ishte tejet e kushtueshme) dhe nuk do ta zgjidhte situatën me qentë endacak, por nuk ka të bëjë me ndalesat ligjore.
Të njejtën deklaratë e ka thënë edhe z. Sadik Heta, Drejtori i Mirëqenies dhe Shëndetit të Kafshëve në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, në një intevistë me RTV21: https://www.youtube.com/watch?v=pO4BxFGWp84
Ne i ftojmë zyrtarët komunal dhe ata të nivelit qendror të njoftohen mirë me dispozitat ligjore në fuqi sa i përket mirëqenies së kafshëve dhe të mos japin informata të gabuara në publik.
2. Kritikat ndaj shoqërisë civile
Kryetari Rama po ashtu tha që “shoqatat vetëm kanë fjalë dhe pak vepra” pasi që Kryetari me gjasë mendon që OJQ-të mund ta zgjidhin problemin por nuk po duan. Ne i rikujtojmë z. Rama që menaxhimi i popullsisë së qenve (MPQ) është përgjegjësi e institucioneve shtetërore dhe jo e OJQ-ve. OJQ-të gjithsesi që mund të mbështesin këtë aspekt në mënyra të ndryshme, por përgjegjësinë dhe autoritetin për menaxhim të popullsisë së qenve endacak e kanë institucionet.
Sa për rikujtim të z. Rama, OJQ-të (vendore dhe të huaja) kanë ndihmuar mjaft shumë deri më tani duke filluar nga: propozimi i masave humane dhe të qëndrueshme për MPQ (Menaxhimi i Popullsisë së Qenve), organizimi i punëtorive për prezantimin e masave dhe mjeteve për implementim të masave të qëndrueshme për MPQ, monitorimin e projekteve të KSVL-së, mbledhjen e të dhënave siç është numri i përafërt i qenve në rrugë, organizimin e fushatave vetdijësuese, mbështetja në krijimin e legjislacionit për Identifkim & Regjistrim të qenve, qindra shpëtime dhe adoptime të qenve etj. Pra, OJQ-të dhe aktivistët, veçse janë duke bërë jashtëzakonisht shumë, por që pjesa kryesore ju takon institucioneve lokale dhe qendrore. Po të mos ishte shoqëria civile, situata me qentë në rrugë do të ishte shumë më e keqe.
OJQ-të mund të ndihmojnë shumë por Komuna nuk duhet të limitojë qasjen për shoqërinë civile në projektet që ndërmerr, dhe duhet të respektojë premtimet ndaj shoqërisë civile. Në takimet e para në vitin 2023 dhe gjatë protestës që ishte organizuar nga shoqëria civile ishte premtuar shumë por që ato premtime nuk po mbahen. Transparenca dhe llogaridhënia janë themelet e një shoqërie demokratike ku institucionet e vendit punojnë për të mirën e shoqërisë duke përfshirë shoqërinë civile dhe komunitetin dhe jo duke ftuar takime sa për të thënë që kinse po punohet bashkë me shoqërinë civile apo komunitetin. Pa përfshirjen e komunitetit dhe pa qenë serioz dhe transparent në zbatimin e masave që ndërmirren për MPQ, nuk do të këtë situatë të përmirësuar me qentë në rrugë edhe pas shpenzimit të milionave euro të tatimpaguesve. Nuk është e rëndësishme vetëm sa para shpenzon një komunë, por si i shpenzon ato.
I lusim shumë mediat dhe gazetarët që të jenë më të informuar mbi këtë temë dhe të jenë më konstruktiv dhe kritik ndaj institucioneve, duke i pyetur në detaje se si saktësisht po shpenzohet paraja publike, sa qen saktësisht po kastrohen dhe vaksinohen, si po ndryshon gjendja në terren gjatë dhe pas intervenimeve si KSVL, dhe të kërkohen raporte statistikore për punën që bëjnë.
Masat që nuk maten dhe analizohen/vlerësohen, nuk garantojnë rezultate dhe nuk japin një raportim serioz të llogaridhënies. Çështja e qenve endacak gjithsesi që kërkon resurse të mëdha financiare, por gjithsesi edhe vlerësim dhe matje të masave që ndërmirren në mënyrë që paraja publike të shpenzohet me efektivitet.