Njëra nga objektivat rrënjësore për parandalimin e braktisjes, shtimit dhe shumimit të qenve në rrugë, më në fund u realizua!
Ministri në detyrë i MBPZHR, z. Besian Xh Mustafa, ka nënshkruar dy udhëzime administrative (MBPZHR 01/2021 & 02/2021), të cilat ua bëjnë të obligueshme mbajtësve (pronarëve) të kafshëve shoqëruese, të bëjnë identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve të tyre.
Organizata jonë së bashku me partnerët tanë, si inicues të këtij procesi, me fasilitimin dhe përkushtimin e madh zv. KM të parë, z. Besnik Tahiri, ka punuar vazhdimisht në grupin punues së bashku me AUVK-në dhe zyrtarët e MBPZHR, për t’i finalizuar këto dy udhëzime administrative.
Më konkretisht, pas hyrjes në fuqi të këtyre udhëzimeve (10.03.2021), të gjithë personat që mbajnë kafshë shoqëruese (qen, mace), duhet të identifikojnë dhe regjistrojnë kafshët e tyre, pranë subjekteve veterinare që do të kontraktohen apo autorizohen nga AUVK.
Organizata jonë do të takohet me AUVK-në për të diskutuar planin e zbatimit të këtyre dy udhëzimeve administrative, dhe më pas, do të organizojë fushata informuese për t’i informuar mbajtësit e kafshëve për përgjegjësitë e reja ligjore që ju takojnë për të regjistruar kafshët e tyre.
Më në fund, edhe shteti ynë ka një bazë ligjore, e cila e obligon regjistrimin e kafshëve shoqëruese, por ç’është më e rëndësishme, të njëjtën kohë, e ndalon dhe e ndëshkon braktisjen e tyre. Kjo, ka munguar për vite të tëra në vendin tonë, dhe jemi të lumtur që më në fund është krijuar baza ligjore për parandalimin e braktisjes së kafshëve shoqëruese.
Ne i falenderojmë të gjithë akterët e përfshirë, për punën dhe vullnetin e mirë për ta shtyrë përpara këtë proces, dhe i bën thirrje të gjitha institucioneve relevante të angazhohen për implementimin e plotë të këtyre udhëzimeve administrative.
Për fund, jemi shumë mirënjohës ndaj Fondacionit StrayCoco që ka këshilluar organizatën tonë me ekspertizën e saj për këto akte ligjore dhe mbështetjen e vazhdueshme për organizatën tonë që nga themelimi.