Strehimorja e jashtëligjshme në Ferizaj, e (keq)menaxhuar nga Flora Bujupi, po rrezikon mirëqenien e kafshëve duke refuzuar ndihmën për qentë për të cilët ajo kinse kujdeset, e të cilët kanë nevojë për ndihmë urgjente veterinare.
Organizata jonë, përveç shumë rasteve në të kaluarën, në kohët e fundit, dy herë ka qenë së bashku me ekipe veterinare për të trajtuar qentë të cilët kanë nevojë për trajtime mjekësore në strehimoren e Flora Bujupit në Ferizaj, dhe në të dy rastet, përgjegjësja e strehimores, ka ndaluar hyrjen, duke refuzuar ndihmën për trajtimin e nevojshëm mjekësor të qenve që ajo mban. Herën e dytë, ishim së bashku me inspektorët veterinarë të Komunës së Ferizajit, dhe znj. Bujupi nuk u shfaq në strehimore, dhe në telefon refuzoi të vinte në qendër për t’i lejuar inspektorët të kryejnë punën e tyre, siç parashihet edhe me Nenin 16 të Ligjit për Përkujdesje ndaj Kafshëve.
Edhe pse një vizitë e rradhës ishte dakorduar edhe nga inspektorët komunal të Komunës së Ferizajit, ajo vizitë deri më tani është anuluar dy herë. Ky rast, por edhe raste të tjera që kemi raportuar, tregon se zyrtarët e autorizuar për këto çështje, nuk i trajtojnë me seriozitet raportimet për rrezikim të mirëqenies apo abuzimeve me kafshë. Inspektorët e komunës, por edhe të AUV, duhet t’i trajtojnë me seriozitet obligimet ligjore që ju takojnë, duke kryer inspektime në të gjitha vendet ku dyshohet për rrezikim të mirëqenies së kafshëve apo abuzim me kafshë.
Për të gjithë ata që mendojnë që qentë në ndonjë strehimore janë nën posedimin absolut të një individi, i informojmë që janë gabim. Të gjitha kafshët, qofshin ato me mbajtës apo pa mbajtës (kafshë endacake) kanë të drejtat e tyre që të jetojnë me dinjitet dhe me mirëqenie të plotë dhe nëse kjo rrezikohet, është detyrë e institucioneve që kafshëve të keqmbajtura t’iu sigurohet mirëqenie të plotë përmes zbatimi të duhur të legjislacionit në fuqi.
Nëse të gjithë ne pajtohemi me keqmbajtjen e kafshëve vetëm pse individi që mban kafshët në strehimore, vet-deklarohet si “shpëtimtar” apo “bamirës”, atëherë jemi duke rrezikuar fuqishëm të drejtat e kafshëve në Kosovë. Sado që dikush mund të jetë bamirës apo shpëtimtar, nëse mungojnë aftësitë e duhura menaxhuese dhe profesionale dhe veprohet në kundërshtim me ligjin që t’iu sigurohet kafshëve jetë e mirë dhe e shëndetshme, kjo krijon vetëm shembull të keq për strehimoret në të ardhmen dhe motivon të gjithë personat, pa asnjë plan të mirëfilltë, të hapin strehimore dhe t’i mbajnë kafshët pa kuptuar mirë nevojat e tyre për të jetuar të shëndetshëm dhe të lumtur.
Organet shtetërore, e sidomos AUV, duhet të kërkojë transparencë dhe profesionalizëm maksimal nga çdokush që angazhohet për shpëtim apo trajtim të kafshëve, ashtu që mirëqenia e tyre të jetë e siguruar 100% dhe të ketë transparencë të plotë të secilit në punën që bën me kafshë.
Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha rrugët ligjore që të sigurohemi që kafshët në përkujdesje të individëve/organizatave/subjekteve veterinare të jenë të trajtuara me dinjitetin e merituar dhe mirëqenia e tyre të mos rrezikohet në asnjë mënyrë.