Me datë 30 qershor, organizata jonë është takuar me z. Bajram Gecaj dhe z. Lulzim Fushtica nga komuna e Prishtinës për të diskutuar rreth iniciativave të fundit të Komunës sa i përket qenve endacak.
Fillimisht, komuna nuk është duke vazhduar me iniciativën e strehimit, pasi që nuk ka strehimore të licencuar për strehimin e qenve, gjë që është lajm shumë i mirë. Qentë e komunitetit janë të mësuar në rrugë dhe duhet të qëndrojnë në rrugë.
Është biseduar për subvencionimin e adoptimit dhe i kemi shprehur të gjitha shqetësimet tona për këtë subvencionim pasi që mund të tërheq persona abuzues të mbledhin qen andaj është premtuar nga Komuna që kontrata për adoptim do t’i parashikojë disa kushte që abuzimet të evitohen dhe po ashtu kemi kërkuar që kontratën e adoptimit ta shohim dhe komentojmë. Është premtuar që do ta formojnë grupin punues që këtë kontratë apo edhe gjithcka tjetër ta shqyrtohet së bashku me shoqërinë civile dhe po ashtu aktivistët individual të interesuar.
Kushdo që është i interesuar të jetë në këtë grup punues, ta lajmërojë Komunën në këtë email adresë: lulzim.fushtica@rks-gov.net
Është premtuar që subvencionimi do të vlejë edhe për personat që kujdesen për qentë e komunitetit. Gjatë gjithë kohës ne të gjithë kemi kërkuar nga institucionet që edhe aktivistët të mbështeten në punën e tyre që bëjnë për kujdesin dhe shpëtimin e qenve apo maceve. Kjo do të jetë një mundësi e mire për plotë dashamirës të kafshëve që kujdesen për qentë e lagjës së tyre.
Komuna e Prishtinës na ka njoftuar se është në proceset e funksionalizimit të qendrës për trajtim të përkohshëm (QTP) për projektet e KSVL-së dhe na ka njoftuar se nga viti i ardhshëm, KSVL në Prishtinë do të kryhet në QTP të Komunës. Komuna ka premtuar se stafi që do të angazhohet në QTP-në e Komunës, do të trajnohet. Nga komuna është thënë që qendra do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të vizitojnë qendrën por edhe ka bërë thirrje që aktivistët e mbrojtjes së kafshëve të aplikojnë në konkurset e hapura për angazhim brenda qendërs gjatë gjithë kohës. Nëse kastrimet dhe sterilizimet bëhen në një qendër dhe ku puna është e kontrolluar/moniotruar gjatë gjithë kohës, mundësitë për neglizhencë, keqpërdorim apo mashtrim bëhen shumë më të vogla. Duhet një menaxhim dhe kontroll më i mire i projekteve dhe për fat të keq, ky aspekt ka munguar gjithmonë dhe qentë janë ata që pësojnë.
Kemi ngritur shqetësimet tona të vazhdueshme të mungesës së transparencës në procesin e projekteve KSVL, pasi që organizata jonë ka kërkuar që të pranojë çdo muaj listën e operimeve nga veterinerët që monitorimi të bëhet në mënyrë më efiçiente por që këto të dhëna asnjëherë nuk na janë dhënë siç kemi kërkuar. Të dhënat e fundit që i kemi pranuar, ka qenë përmes AIP-së (Agjencisë për Informim dhe Privatësi). Në takim na është thënë se kurdo që Komuna i ka gati ato të dhëna/statistika, do t’i raportojë tek kushdo që i kërkon. Organizata jonë nuk pajtohet me këtë qasje, pasi që është thelbësor vlerësimi i të dhënave (në baza mujore) që raportohen nga veterinerët për qentë e trajtuar, që të parandalohet çdo parregullsi apo mashtrim me kohë. Komuna si autoritet kontraktues duhet të sigurojë se projektet e tilla zbatohen me rregull dhe ku mirëqenia e kafshëve është prioritet. Organizata jonë ka kërkuar që të takohet me menaxherin e kontratës për projektin KSVL që të diskutohen dhe shqyrtohen ankesat që janë dërguar për disa dyshime. Të gjithë ata që interesohen të jenë pjesë e takimit, na shkruani në info@animalrights-rks.org.
Organizata jonë përsëri ka ngritur shqetësimin për strehimin e qenve, duke potencuar nevojën që qentë e komunitetit të adaptuar në mjediset ku jetojnë, nuk duhet të përfshihen në iniciativa të tilla, përderisa ka shumë qen të tjerë që kanë nevojë për strehim, pasi që komuna e Prishtinës ka plane edhe për ndërtimin e “parkut të qenve” si qendër rajonale, për të cilën kanë hapur thirrjen ndërkombëtare, për studim të fisibilitetit. Ky studim do të mund t’I tregonte Komunës çfarë kosto e lartë kërkohet për mbajtjen e e strehimoreve dhe ndoshta edhe jep argument edhe më të fortë që Komuna të mos fokusohet tek strehimi i qenve por burimi i problemit: mbajtësit (pronarët) e qenve.
Ne ju bëjmë thirrje të gjithë atyre që kanë ngritur shqetësime ditëve të fundit, që të lajmërohen në komunë për t’u bërë pjesë e grupit punues, dhe të mos humbin këtë mundësi për bashkëpunim me komunën për t’u koordinuar rreth shumë aspekteve, gjithmonë duke pasur në fokus kryesor trajtimin human dhe mirëqenien e qenve/kafshëve.
Po ashtu, si gjithmonë, i bëjmë thirrje të gjithëve që gjejnë parregullsi apo mashtrime gjatë projektit KSVL, të raportojnë në komunë (dhe AUV) për secilin dyshim apo ankesë që e kanë.