Më 15 Shkurt 2024, jemi takuar me Nënkolonel Arbnesh Ajvazi, Drejtor i Departamentit të Rendit Publik në Policinë e Kosovës, për të diskutuar rreth braktisjes së qenve me mbajtës/pronar, si dhe implikimet për mirëqenien e kafshëve dhe sigurinë publike. 🐕🚓
Ne kemi kërkuar nga Policia e Kosovës që të ndihmojnë në zbatimin e detyrimeve ligjore që kanë të bëjnë me mbajtjen e përgjegjeshme të kafshëve shoqëruese, në këtë rast qenve, pasi që personat që mbajnë qen dhe nuk i regjistrojnë ata, duhet të ndëshkohen. Sipas legjislacionit në fuqi, autorizimi që të ndëshkohen personat që braktisin qentë apo macet u takon inspektorëve veterinarë të AUVK-së por gjithsesi që është tejet e nevojshme mbështetja e Policisë së Kosovës që braktisjet të identifikohen dhe të zbulohen personat që bëjnë këtë shkelje ligjore.
Ne po ashtu biseduam për fenomenin negativ të keqtrajtimit të kafshëve dhe sidomos luftërave me qen dhe vrasjet jo humane të qenve agresivë nga zyrtarët policor. Ne u dakorduam me z. Ajvazin që shoqëria duhet të vetdijësohet, dhe po ashtu edhe zyrtarët policor në mënyrë që qentë që lajmërohen si agresiv t’i lajmërojnë në Komunë të Prishtinës apo tek operatori ekonomik i kontraktuar nga Komuna e Prishtinës, që qeni të largohet nga rruga por jo të vritet me armë zjarri.
Gjatë takimit, jemi dakorduar që të bashkëpunojmë për iniciativa të përbashkëta për vetdijësim rreth identifikimit dhe regjistrimit të qenve me mbajtës (pronar), por edhe mbajtjes së përgjegjshme të qenve, si një nga mënyrat kryesore për parandalimin e braktisjes dhe abuzimit të kafshëve.
✅ Z. Ajvazi shprehu gatishmërinë për të mbështetur iniciativat tonë për vetdijësim, brenda kompetencave të policisë.
Gjatë javëve dhe muajve në vijim, do të kontaktojmë departamentet rajonale të policisë së Kosovës përmes mbështetjes së z. Ajvazit, për të biseduar rreth fenomenit negative të luftërave me qen si dhe për të kërkuar mbështetje nga Policia e Kosovës në të gjitha komunat sa i përket parandalimit dhe ndëshkimit të braktisjes së qenve. Po ashtu do t’i takojmë për të ofruar mbështetjen tone për organizimin e fushatave të targetuara vetdijësuese. Nëpërmjet edukimit dhe avokimit, ne përpiqemi të kultivojmë një kulturë dhembshurie dhe respekti për kafshët. 🌟🐾
Për fund, kemi theksuar se sa është e rëndësishme të organizohen trajnime të ndryshme për hetuesit policor dhe prokurorët në mënyrë që neglizhimi dhe abuzimi ndaj kafshëve të trajtohet më seriozisht në nivel vendi. Organizata jonë ka organizuar një trajnim të tillë në vitin 2022 dhe edhe në këtë vit është duke bërë përpjekjet maksimale që një gjë e tillë të ri-organizohet. Për më shumë detaje, do t’ju mbajmë të informuar.
E falenderojmë shumë z. Ajvazi për gatitshmërinë për të bashkëpunuar dhe po ashtu Ministrinë e Punëve të Brendshme që ishte bashkëpunuese deri më tani në këtë drejtim.