Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Organizata jonë është takuar me Zyrën e Kryeministrit dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë për të diskutuar rreth Identifikimit & Regjistrimit të qenve me mbajtës (pronar) pasi që kjo masë është urgjente dhe AUV duhet t’i kontraktojë veterinerët sa më parë. 

Tash një vit na është premtuar nga Drejtoria e Mirëqenies së Kafshëve në AUV që do të merret me çështjen e regjistrimit të qenve me pronar andaj duhet të punohet me një intensitet më të madh pasi që jemi jashtëzakonisht vonë me këtë masë të rëndësishme. 

Gjatë takimit, organizata jonë po ashtu kërkoi që brenda AUV-së të themelohet një sektor i veçantë për trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me kafshët shoqëruese dhe ato endacake por mbi të gjitha të angazhohen edhe më shumë resurse njerëzore (apo të tjera) brenda AUV-së që zbatimi i politikave dhe akteve ligjore dhe nënligjore në këtë aspekt të implementohet me përpikmëri dhe seriozitet.  

Është diskutuar mbi inspektorët në AUV dhe mungesës së madhe të resurseve njerëzore për të bërë inspektime efikase në fushën e kafshëve shoqëruese dhe atyre endacake (por edhe në inspektime të mirëqenien së kafshëve të tjera në përgjithësi). Ne diskutuam vështirësitë e AUV-së për të bërë inspektime për shkak të numrit të vogël të inspektorëve, por gjithsesi është kërkuar nga organizata jonë që AUV të bëjë një plan të inspektimeve që përfshihen edhe inspektimet e keqmbajtjes së kafshëve shoqëruese nëpër shtëpi dhe strehimore, pasi që shohim shumë qen të mbajtur në kushte të mjerueshme, kurse Drejtoria e Inspektoriatit brenda AUV-së nuk është interesuar asnjëherë në këtë aspekt. Për këtë, është diskutuar gjatë takimit që të bëhen disa trajnime për inspektorët, në mënyrë që të trajnohen për inspektime të mbajtjes së kafshëve shoqëruese dhe mirëqenien e kafshëve në përgjithësi. 

Për më tepër, është kërkuar nga ne si organizatë nga Qeveria që të ndajë buxhet për trajtimet e qenve endacak përmes metodës KSVL (kapje, sterilizim, vaksinim, lëshim) në gjithë vendin pasi që shumë Komuna nuk kanë fare apo pak buxhet për të bërë kastrimin dhe lëshimin e qenve endacak. Ky projekt të menaxhohet nga AUV ose nga komunat por gjithsesi duhet ndihmë shtesë nga Qeveria për këtë aspekt. Po ashtu është kërkuar nga organizata jonë, që Qeveria dhe AUV, të ndajnë buxhet edhe që edhe për një vit 2023/2024 të paguhet identifikimi & regjistrimi për qentë me mbajtës (pronar).

 I&R është komponent mjaft i rëndësishëm për menaxhimin e popullsisë së qenve me pronar dhe për të parandaluar braktisjet dhe shumimet jashtëligjore të qenve me pronar. 

Është diskutuar edhe nevoja që disa preparate mjekësore veterinare duhet të aprovohen nga AUV, siç janë anestetikët dhe disa preparate të tjera që deri më tani blihen dhe shfrytëzohen jashtëligjshëm nga veterinerët në mungesë të furnizimit ligjor në vendin tonë. 

Anestetikët duhet të jenë të menaxhuar me një monitorim të rreptë që mos të bien në duar të njerëzve jo kompetent për t’i shfrytëzuar ato. Do të presim vendimin e AUV-së mbi këtë aspekt.