Me datë 13 janar 2024 është mbajtur takimi mes komunitetit për mbrojtjen e kafshëve në Termokiss.
Është tejet me rëndësi që shoqëria civile (komuniteti për mbrojtjen e kafshëve) të takohet sa më shpesh, në mënyrë që të bashkëbisedojmë për problemet që hasim të gjithë gjatë përkujdesjes apo mbrojtjes së kafshëve, sidomos atyre endacake, dhe mundësive të tejkalimit të këtyre sfidave së bashku.
Ashtu siç biseduam në takim, këtu më poshtë janë të rënditura vetëm disa pika të diskutimit edhe pse kishte bisedë shumë më të gjatë dhe konstruktive, për çfarë edhe i falenderojmë shumë pjesëmarrësit.
1. Reagim i përbashkët në raport me institucionet për çështjet që lidhen me kafshët
Është shumë e rëndësishme që për tema të rëndësishme që lidhen me kafshët, shoqëria civile të prezantohet me një qëndrim dhe kërkesa të përbashkëta, gjithmonë duke pasur prioritet mirëqenien dhe të drejtat e kafshëve. Sa më shumë presion që bëhet ndaj institucioneve, nga sa më shumë organizata e aktivistë, aq më të mëdha do të jenë gjasat për plotësimin e kërkesave tona për mbrojtje të qëndrueshme të kafshëve.
Në lidhje me këtë, sa herë që të shfaqet nevoja për reagim për çështje të caktuara, organizata jonë do t’ju drejtohet me propozime për reagim të përbashkët. Normalisht që ne do të tentojmë t’i përfshijmë edhe akterët tjerë të shoqërisë civile, që nuk ishin në takim por ishin ftuar nga ne, të paktën të jenë të informuar dhe nëse shprehin interesim të bashkëngjiten në kërkesat e përbashkëta.
Po ashtu presim që gjithsecili të na shkruajë për ndonjë probem të caktuar dhe nëse mendojnë të ngrisin ndonjë problem në nivele institucionale, të reagojmë së bashku për veprim. Ne e dimë që rezultate të shpejta nga institucionet nuk mund të presim, por edhe nëse nuk ka rezultate, heshtja institucionale do të na jep hapësirë më të madhe që të ankohemi tek instancat tjera dhe të listojmë secilin institucion si jo bashkëpunues dhe jo transparantë me shoqërinë civile për çështjet që ato kanë obligim ligjor që t’i përmbushin. Ndoshta në të ardhmen e afërt do të kemi më shumë bashkëpunime dhe do të shohim më shumë punë të bërë nga institucionet e vendit për të mirën e kafshëve.
2. Kërkesat për subvencionim
Është e rëndësishme që OJQ-të (por edhe individët), të drejtohen tek institucionet me kërkesa për subvencionim të aktiviteteve që ndërlidhen me mbrojtjen dhe përkujdesjen ndaj kafshëve. Edhe pse gjasat janë që në fillim këto kërkesa të mos plotësohen, megjithatë është me rëndësi që këto kërkesa të dërgohen vazhdimisht. Shoqëria civile bën punë shumë të madhe në shpëtimin dhe mbrojtjen e kafshëve të rrugës, dhe duhet të mbështetet nga institucionet. Nga përvoja jonë, nëse projektet publike nuk monitorohen dhe nuk ka llogaridhënie, gjasat që projektet të kenë sukses janë pothuajse inekzistente dhe nuk do të ketë menaxhim real të projekteve për menaxhimin dhe kontrollin e qenve, por edhe të projekteve të tjera në lidhje me kafshët e egra. Në takimet e ardhshme do të trajtojmë edhe tema të tjera që kanë të bëjnë me kafshët e egra dhe kafshët që përdoren për blegtori.
Sa i përket kësaj pike, organizata jonë është e gatshme t’i ndihmojë të gjithëve në draftimin e kërkesave për subvencionim, për t’i drejtuar pastaj tek institucionet.
3. Puna me media
Gjatë takimi u diskutua po ashtu që mediat shpesh i senzacionalizojnë storjet me qentë e rrugës, dhe që duhet të punohet në këtë drejtim. Megjithatë, krahasuar me vitet e kaluara, shumë media janë përmirësuar, por ende duhet të punohet shumë ne vetdijësimin e mediave.
Edhe për këtë temë është me rëndësi që sa herë që ka ndonjë storje të ekzagjeruar (për klikime) që lidhet me qentë e rrugës, të reagojmë sa më shumë ndaj asaj medie. Edhe këtu mund të koordinohemi, në mënyrë që sa më shumë persona të reagojnë dhe të dërgojmë edhe ankesa në AGK (Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës).
4. Një listë me dyqanet/bizneset që janë miqësore për apo me kafshët
Biseduam që të krijohet një listë me të gjitha dyqanet apo entitetet private që ndihmojnë apo janë miqësore ndaj kafshëve apo që janë edhe vegan/vegetarian friendly. Lista finale, pastaj do të publikohet online.
5. Uebfaqja e përbashkët me resurse të ndryshme për mbrojtjen e kafshëve
Një nga pjesëmarrësit ofroi vullnetarisht që të krijohet një uebfaqeje të thjeshtë, ku do të mund të futeshin resurse të ndryshmme si psh: organizatat e ndryshme që merren me mbrojtjen e kafshëve në Kosovë, këshilla të ndryshme për përkujdesje etj.
6. Projekti (afatgjatë) për shëndetin mendor
Në takim ishte prezent edhe Bind Skeja nga organizata QIPS dhe propozoi që si projekt afatgjatë, të mendohet diçka për të ndërlidhur kafshët me shëndetin mendor pasi që një kohë të gjatë kjo ide diskutohet mes QIPS-it dhe Fondacionit. Duke e ditur sa pozitivisht ndikojnë kafshët në shëndetin mendor të njeriut, dhe sa e rëndësishme është që aktivistët për mbrojtjen e kafshëve të pranojnë sado pak ndihmë psikologjike për rëndesat emocionale dhe shpirtërore që përjetojnë duke punuar çdo ditë për mbrojtjen e kafshëve, mendojmë që ky propozim duhet të elaborohet më tej, për të ardhur me propozime konkrete që më pastaj të implementohen në praktikë. Edhe Rozafa Maliqi nga Termokissi ka ndarë me ne që kanë pasur një aktivitet të ngjashëm në të kaluarën andaj mund të diskutohet tutje kjo ide shumë e nevojshme. Nëse nuk bëhet diçka në afat të shkurtër apo të mesëm, jemi të sigurtë që me angazhimin e përbashkët do të bëhet diçka në periudhe afatgjatë.
E falenderojmë edhenjëherë gjithësecilin për pjesëmarrje dhe diskutimin e frytshem dhe për punën e mrekullueshme që secili bën çdo ditë për kafshët. Aktivistët e palodhshëm janë shpresë për këtë vend dhe urojmë që t’jeni të shëndetshëm dhe të fuqishëm që të përballoni sfidat e mëdha në këtë fushë.
Për fund, jemi të lumtur që Termokiss hap dyert për çdo aktivitet me qëllime të mira dhe i falenderojmë shumë për bashkëpunimin dhe për gjithçka që bëjnë.