Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Gjatë datës 7 dhe 8 mars, organizata e njohur italiane LEGA ANTI Vivisezione (Lega Anti-Vivisezione: https://www.lav.it/) ishte në Kosovë së bashku me udhëheqësin e saj z. Gianluca Felicetti dhe tre përfaqësues të tjerë, si z. Simone Stefani, znj. Sara Carlin dhe znj. Maria Luisa Bertoli, të selisë së organizatës në Trentino, LAV Trentino.

Bashkë me këtë delegacion, ishte edhe organizata italiane Trentino con i Balcani Onlus – ATB https://www.trentinobalcani.eu/, drejtori i tyre z. Maurizio Camin dhe po ashtu bashkëpunëtorja znj. Chiara Menguzzato. Organizata ATB, punon që 20 vite në Kosovë në fushat e zhvillimit të qëndrueshëm lokal, në fushat e mirëqenies së njerëzve dhe në disa projekte për mbrojtën e ambientit, duke pasur selinë kryesore në Pejë, Kosovë. Tani, mbështetja e tyre është zgjeruar edhe në fushën e të drejtave të kafshëve nëpërmjet organizatës tonë.

Arsyeja kryesore e vizitës së organizatave në Kosovë, ishte pikërisht që të zgjerojnë bashkëpunimin e tyre në vend, duke qenë partnerë shkencor dhe teknik të Fondacionit për Të Drejtat e Kafshëve nga tash e tutje edhe më konkretisht.

Praktikat e organizatës LAV në Itali do të jenë shumë të dobishme për ne në Kosovë sa i përket projekteve që kanë të bëjnë me promovimin dhe mbrojtën e të drejtave dhe mirëqenies së kafshëve.

Për një sukses sa më të mirë drejt përmirësimit të mirëqenies së kafshëve dhe të drejtave të tyre, nuk duhet të harrojmë që pa vullnetin dhe angazhimin institucional, nuk mund të arrihet asgjë; – nëse sigurisht, tentojmë që të punojmë drejt parimeve të qëndrueshmërisë të mbrojtës dhe shpëtimit të kafshëve në përgjithësi. Kjo do të thotë, të shpëtojmë jo vetëm 10 apo 50 kafshë në rrugë apo në ferma, por çdo kafshë duke siguruar baza ligjore sipas standardëve të larta për mbrojtën e tyre si dhe të ndihmojmë në formimin e një “fryme” të re institucionale dhe politik-bërëse, karshi mirëqenies dhe trajtimit të dinjitetshëm të kafshëve në Kosovë.

Vetëm ligjet dhe politikat e mirëfillta mund të shpëtojnë të gjitha kafshët në Kosovë, jo individë veç e vep me iniciativa personale dhe afat-shkurta (jo e qëndrueshme dhe ka kosto të lartë). Ne të gjithë si individë, në anën tjetër duhet të zotohemi si vullnetarë efektiv dhe konstruktiv dhe si pjesë e strukturave të qëndrueshme, afat-gjata të cilat do të mbronin dhe shpëtonin të gjitha kafshët në Kosovë, nga çfarëdo padrejtësie.

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve do të punojë dhe luftojë çdo herë në këtë drejtim, në mënyrë që baza të forta institucionale, ligjore, kulturore dhe profesionale të ndërtohen për të mirën e përgjithshme dhe mbrojtën e mirëqenies dhe të drejtave të kafshëve në çdo aspekt. Kjo betejë do të jetë shumë e gjatë dhe e vështirë, por falë partnerëve tonë ndërkombëtar dhe kombëtar, besojmë që puna do të bëhet së paku më e lehtë.

Ne jemi të bindur dhe është e vërtetuar edhe në mënyrë shkencore (të shumë fushave të ndryshme: mjekësi, juridik, permakulturë, akuakulturë, ekonomi, art, etj.) që mbrojtja e bashkëvendëseve tonë (kafshët), sjellë automatikisht përmirësime në mirëqenien e njerëzve, po ashtu. Mos të harrojmë që ndajmë të njëjtën shtëpi të vërtetë: ambientin/natyrën.

Takimet tona institucionale, të cilat i konsiderojmë si shumë të rëndësishme për projektet dhe synimet tona në të ardhmen, janë këto të listuara si më poshtë:

1. Instituti i Veterinarisë nën kornizë të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë së Universitetit të Prishtinës.
2. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës (AUVK)
3. Komuna e Prishtinës;

Dhe për fund, e kemi takuar edhe z. Piero Cristoforo Sardi, Ambasadorin e Italisë në Republikën e Kosovës.

Këto takime ishin realizuar kësaj radhe, kurse në të ardhmen e afërt, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve patjetër që do t’i shtrijë bashkëpunimet institucionale edhe më shumë, në shumë komuna tjera të Kosovës.
I falënderojmë të gjitha institucionet partnere për takimet efektive që kishim dhe shpresojmë që shpejt do të mund të realizojmë aktivitetet e planifikuara së bashku.