Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka rihapur tenderin për identifikimin dhe regjistrimin e qenve me mbajtës (pronar).
Tenderi i kaluar ishte anuluar për shkak të gabimeve procedurale, pasi që nuk lejonte kontraktimin e më shumë se një subjekti për komunë, në pajtim me Ligjin për Prokurim.
Zyra e Kryeministrit ka bërë punë mjaft të rëndësishme për të ndihmuar AUV-në të gjejë procedurën e duhur në pajtim me Ligjin për Prokurim, për të kontraktuar më shumë subjekte veterinare për të zbatuar projektin e identifikimit dhe regjistrimit të qenve me mbajtës (pronar).
Me tenderin e ri, më shumë se një subjekt veterinar mund të kontraktohet për një komunë, varësisht nga interesimi i veterinerëve për të marrë pjesë në projekt. Prandaj, i bëjmë thirrje subjekteve veterinare që të aplikojnë në këtë tender, dhe të japin kontributin e tyre për të përmirësuar situatën me qentë në rrugë në mënyrë të qëndrueshme.
Identifikimi dhe regjistrimi i qenve me mbajtës (pronar) është një masë shumë e rëndësishme për të parandaluar braktisjen e qenve nga pronar të papërgjegjshëm, dhe rrjedhimisht parandalohet edhe rritja e numrit të qenve në rrugë për shkak të braktisjeve.
Përveç kësaj, në këtë projekt do të ofrohet pa pagesë edhe kastrimi dhe sterilizimi i qenve me mbajtës (pronar), i cili mund të bëhet vullnetarisht nga pronarët e qenve dhe shpresojmë që veterinerët do e rekomandojnë këtë mundësi tek klientët e tyre si mbajtës/pronar të qenit.
Organizata jonë tashmë ka kontaktuar edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, për të organizuar një takim njoftues dhe për ta dorëzuar në Polici një udhëzues për zbatimin e legjislacionit të ri në fuqi i cili e obligon identifikimin dhe regjistrimin e qenve, si dhe për të gjobitur personat që veprojnë në kundërshtim me dispozitat në fuqi, si dhe ata që braktisin kafshët e tyre në rrugë.
Edhe MPB ishte pjesë e takimit që Kryeministri Kurti ka thirrur për çështjen e qenve endacak dhe po kjo Ministri është zotuar që ta mbështesë zbatimin e mirëfilltë të projekteve shtetërore për zbutjen e problemit të rritjes së vazhdueshme të numrit të qenve në rrugë.
AUV po ashtu duhet që të krijojë një plan inspektimi të mbajtjes së kafshëve në shtëpitë (vendbanimet) e tyre, për të siguruar që mirëqenia e kafshëve respektohet në plotësi nga mbajtësit e kafshëve.
Ne shpresojmë që me aprovimin e Strategjisë Kombëtare që organizata jonë ka propozuar, Qeveria e Kosovës do të shtojë inspektorët veterinar që inspektimet e kafshëve shoqëruese të fillojnë, ngaqë deri më tani, inspektorët e AUV-së (dhe ata komunal) nuk kanë bërë fare inspektime të tilla. Pa vetdijësim dhe ndëshkim (kur është e nevojshme) të keq-mbajtjes së qenve si kafshë shoqëruese, nuk mund të përmirësohet situata në vend.
Për hapat e rradhës në këtë drejtim dhe kur regjistrimi të fillojë të zbatohet konkretisht në terren, do të ju njoftojmë përmes një fushate vetdijësuese tashmë aktive për një kohë të gjatë.
AUV ndanë 420 mijë euro për identifikimin dhe regjistrimin qenve me pronar në Kosovë